30 vjet nga mobilizimi për shpëtimin e arsimit në Kosovë

Në mënyrë që të kërkonte të drejtat në arsim, duke kundërshtuar planet diskriminuese që Serbia bëri ndaj arsimit në Kosovë, 30 vjet më parë u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, e cila vazhdoi veprimtarinë e saj për një dekadë.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ushtroi veprimtarinë e saj, duke i rezistuar regjimit serb, i cili synonte të impononte ligjet e veta.

Një ndër themeluesit e Lidhjes, ish-kryetari i saj, Rexhep Osmani thotë për KosovaPress se rrugëtimi i arsimit shqip në vitet e 80-ta dhe 90-ta ishte shumë i dhimbshëm dhe i vështirë.

Ai kujton se si Serbia deshi të imponojë ligjet e përbashkëta, përmes së cilave do të vendoste vet për çështjet e mëdhanë arsim në tërë territorin.

Kushtetuta dhe ligjet e Serbisë ”unike” ia kishin marrë të drejtën themelore Kosovës për miratimin dhe nxjerrjen e dokumenteve kryesore të arsimit: planprogrameve mësimore dhe teksteve shkollore.

Kështu, Osmani thotë se lindi nevoja për formimin e një organizate joqeveritare për t’iu kundërvënë planeve diskriminuese të Serbisë ndaj arsimit në Kosovë.

Osmani: Në shtator të vitit 90 ne bllokuam të gjitha veprimet e Serbisë

“Në shtator të vitit 90 ne bllokuam të gjitha veprimet e Serbisë dhe asnjë shkollë e asnjë arsimtar nuk pranoi ligjet dhe programet e Serbisë. Kështu që na lindi nevoja që të formojmë një organizatë joqeveritare dhe të regjistrohemi zyrtarisht në mënyrë që të mos ndiqemi penalisht dhe më 12 dhjetor të vitit 90, në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’, në të cilën bënin pjesë të gjitha strukturat e arsimit… Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë po atë ditë nisi veprimtarinë e vet sepse po atë ditë u mbyllën dy shkolla në Podujevë, një shkollë në Lipjan dhe një shkollë në Obiliq. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë kishte degët dhe nëndegët e veta në tërë Kosovën, mori përgjegjësinë historike për organizimin dhe menaxhimin e arsimit në Kosovë, në emër të Lidhjes si shoqatë kinse, por praktikisht Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ka kryer punën e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, e cila kishte vetëm ministrin jashtë kurse të gjitha shërbimet tjera i kreu në Kosovë”, thotë ai.

Duke parë se procesi i asimilimit serb ndaj popullit të Kosovës po shkonte shumë thellë, Osmani thotë se si Lidhje e Arsimtarëve Shqiptarë organizuan bllokimin e programeve dhe ligjeve serbe, duke u dhënë frymë programeve të Kosovës në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë për të ndërtuar programe dhe tekste të përbashkëta.

Osmani: Logoja “Republika e Kosovës” ishte hapi më i rrezikshëm në atë kohë

“Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë… ndërroi emrat e të gjitha shkollave të cilat bartnin emrin e serbëve dhe të malazezëve, përveç në enklavat serbe, për arsye se Serbia kishte bërë ndërrimin e emrave. Edhe një shkolle plotësisht etnike shqiptare, u kishte vënë emra serbë… Pas kësaj u bënë edhe tekstet e përbashkëta, tekstet tona që nxirrte Enti i Teksteve, dokumentacioni pedagogjik, dëftesat, vulat, diplomat e të gjitha niveleve të profileve të ndryshme dhe kështu praktikisht dokumentacioni shkollor i Kosovës mbante logon ‘Republika e Kosovës’ për herë të parë. Dhe, ishte hapi më i rrezikshëm që ishte ndërmarrë atë kohë”, thotë ai.

E në mënyrë që shqiptarët të mos defaktorizohen dhe të mos asimilohen, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” ndërmori një hap shumë të rëndësishëm, e që ishte vijimi i mësimit në shtëpitë-shkolla.

Osmani: Mësimi shtëpitë – shkolla filloi më 20 janar të vitit 1992

“Mësimi (në shtëpitë-shkolla) filloi më 20 janar të vitit 1992. Para se të fillojë mësimi, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë doli me një apel publik dhe u bëri thirrje të gjithë prindërve, qytetarëve, arsimtarëve që ‘të ndihmojnë arsimin, shkollën sepse po fillonte një orë e madhe e arsimit, historisë të Kosovës për të shpëtuar arsimin tonë’… Në Prishtinë kryesisht peshën dhe ndihmën kryesore e ka dhënë Mehmet Hertica dhe Hamdi Hertica, ku kanë punuar aty gjimnazi, shkolla ekonomike. Pastaj më vonë familja Zhushi, shkolla e mesme teknike, pastaj në Velani Shaban më duket është emri i pronarit të shtëpisë ku ishte shkolla e mesme e mjekësisë dhe, praktikisht shkollat e mesme gati të gjitha ishin, përveç ‘Xhevdet Dodës’”, thotë ai.

E një ndër shtëpitë – shkolla, që ka mbetur mbase i vetmi objekt i cili pasqyron kujtimet e luftës së fundit në kryeqytetin e Kosovës është Shtëpia e Herticëve në Kodrën e Trimave.

Vajza e pronarit të kësaj shtëpie, Mehmet (Hertica) Aliu, Azemine Aliu rrëfen për KosovaPress ditën kur i ati u bëri me dije se kishte vendosur të lëshonte shtëpinë e re për shkollë.

Aliu: Prisnim të hynim në shtëpi të re kur babi na tha se po e lëshonim për shkollë

“Ka qenë një ditë emocionuese për shkak se ne veç filluam të mobilojmë shtëpinë dhe pritnim dhomat e fjetjes për të hyrë në të. Një mbrëmje erdh baba, kishte dëgju që Serbia po i fuste planprogramet e veta nëpër shkolla dhe kështu që ne nuk kemi pranu dhe ata kishin mbajtë njëfarë mbledhje me përfaqësues të shkollave dhe baba kish vendosur me e lëshu shtëpinë për shkollë dhe erdh e na tha: ‘Unë kam vendosë me e lëshu shtëpinë shkollë’. M’u duk absurde, s’kemi dëgju përpara histori, ia nisëm po qeshim: ‘Qysh babi shtëpi-shkolla?’, tha: ‘Epo, do ta shihni’. Dhe, ne: ‘E dhomat e fjetjes?’, ‘Dhomat e fjetjes tjetër herë’”, rrëfen ajo.

Ajo thotë se nxënësit fillimisht kishin mësuar nëpër divan e nëpër tokë, teksa shton se gëzimi më i madh ishte kur kishin arritur bankat.

Aliu: Në fillim kanë mësuar nëpër tokë, gëzim i madh ishte kur erdhën bankat

“Ditët e para, nxënësit kanë qenë pak të frikësuar, pak të përmbajtur sepse nuk e dishim sepse kjo lagje ka qenë pak e përfolur për keq dhe pastaj filluan nxënësit dalë ngadalë me ardh. Dy vitet e para kanë qenë nëpër divan e nëpër tokë, qysh kanë mundur, pas dy vitesh, me iniciativën e babës, organizatave e diasporës i morëm bankat. Kur ka ardh materiali i bankave kemi punuar 2 ditë e 2 netë që të vijnë shumë shpejt për shkak se ka pasur vështirësi në mësim. U kanë gëzim shumë i madh sepse atëherë u kompletua dhe u dukke tamam sikur shkollë”, shpjegon ajo.

Shtëpia e Herticëve, e cila mbanë epitetin e kujtesës së represionit serb të viteve të 90-ta, para se të digjej nga forcat serbe ka shërbyer për gati 10 vite si shtëpi shkollë, ku ishin sistemuar mbi një mijë nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”, ndërsa Azemine Aliu tregon se aty pati edhe një dyluftim, porse fatmirësisht askush nuk kishte pësuar.

Ajo tregon se shkolla ka pasur 12 klasë, ka pasur arkivin e saj, dhe ka pasur klasën e kompjuterëve, ku kanë bërë nxënësit praktikë.

Aliu, që atëherë sa kishte mbushur 18 vjet, thotë se kishin pasur mjaft sfida.

Aliu: Më shumë jemi tutë për nxënësit

“Kemi pasur sfida, probleme, shumë kemi pasur. Ka ndodhur një rast që kanë ardhur na e kanë ndërprerë rrymën, e kanë rrahur korrilin, e kanë rrahur rojën. Ka qenë një situatë e rrezikshme sepse kanë qenë nxënësit në shkollë. Na më shumë jemi tutë për nxënësit”, kujton ajo.

Ajo tregon sesi ish nxënësit e shkollës-shtëpi shkojnë shpesh aty për të vizituar familjen Aliu, dhe për t’iu treguar fëmijëve të tyre se ku kanë mësuar prindërit e tyre dikur. Ajo kujton sesi ndonjë të shtunë apo të diel nxënësit janë organizuar për të pastruar shkollën, teksa tregon sesi ajo dhe familja e saj kanë qenë në dispozicion të nxënësve në çdo kohë.

Aliu: Jemi kanë në gjendje gatishmërie 24 orë

“Ka pasur pemë, në jetë nuk ka ndodhur me dalë me e marrë një pemë pa pyetur: ‘A bon me e nuk?’, por baba ju ka thënë: ‘s’keni nevojë, kjo është shtëpia juaj, oborri është i juaji. Merrni pemë’. Ka ndodhë që najherë janë kanë untë, ka ndodhë ju ka hup këpuca, kanë ardhë: ‘A bënë bukë’, ‘M’kanë humb këpucat’, do të thotë jemi kanë në gjendje gatishmërie 24 orë”, kujton ajo.

Në 30 vjetorin e mbylljes së dhunshme të shkollave në Kosovë nga regjimi serb kujtimet e tij të asaj periudhe i ndan për KosovaPress edhe kryetari i tubimit të punëtorëve të shkollës “8 Nëntori” në Podujevë, Raif Muçolli.

Mes ngjarjesh të shumta të asaj kohe, Muçolli kujton vendimin e regjimit të instaluar serb për mbylljen e shkollës së mesme “8 Nëntori” në Podujevë, vendimi i parë i kësaj natyre, më 11 dhjetor të vitit 1990.

Tutje ai tregon sesi u organizuan arsimtarët në mënyrë që të gjejnë forma për t’iu kundërvënë vendimeve famëkeqe dhe gjenocidiale të Serbisë së atëhershme dhe që të bëhet organizimi i mirëfilltë i mësimdhënies pa shkëputje për arsimin shqip.

Ai thotë se kanë respektuar të gjitha vendimet e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”.

Muçolli: Është dashur një organizim i mirëfilltë

“Është dashur një organizim i mirëfilltë. Fillimisht është dashur që ët bëhet vazhdimi i punës arsimore pa shkëputje, respektivisht përfundimin e gjysmëvjetorit të parë, që ka qenë një sfidë mjaft e madhe, sepse nuk ka pasur mjete të komunikimit siç ka sot. Është dashur të gjejmë mënyra tjera dhe ajo ka qenë sfida më e madhe e jona në fillim. Pastaj, me ndihmën e prindërve, vullnetarëve, dashamirëve të arsimit u siguruan objektet shtëpi-shkollë, ku u rregullua ajo që ishte e nevojshme për një punë të mirëfilltë, normalisht jo në kushte çfarë është dashur, por është arritur ajo që ka qenë objektiv dhe nxënësit kanë vijuar mësimin, madje kanë pasur dëshirën dhe vullnetin për të zënë njohur gati më shumë sesa sot”, thotë ai.

30 vjet më parë, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë ”Naim Frashëri” e organizuar në degë dhe nëndegë mori përgjegjësinë historike për kryerjen e detyrave arsimore dhe të organizimit të procesit mësimor në të gjitha nivelet e shkollimit, në rrethanat e pushtimit të egër serb, në periudhën 1990-1999.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close