Ndërpriten gërmimet në Kizhevak

Në Kizhevak të Rashkës tash e pesë vjet është vazhduar me kërkimin e mbetjeve mortore të personave, që edhe pas dy dekadave, nuk dihet fati i tyre. Një muaj më parë, prej kur është zbuluar kjo varrezë masive, po qëndrojnë ekspertë nga Kosova, të cilët po marrin pjesë në zhvarrimin e mbetjeve mortore. Dje janë ndërprerë gërmimet në këtë lokacion, për shkak të kushteve klimatike, ndërkohë që do të vazhdojnë në pranverë.

Të shtunën, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ramë Manaj para gazetarëve tha se nga 16 nëntori në këtë lokacion po qëndrojnë mjekë dhe ekspertë mjeko-ligjor nga Kosova.

Manaj: Gërmimet në Rashkë janë ndërprerë për shkak të motit

“Sot mund të njoftojmë edhe familjarët edhe opinionin përgjithësisht se punimet gërmuese në Kizhevak, në të pestën e varrezave masive që janë konfirmuar si të tilla që janë filluar faktikisht qysh në vitin 2015, e që kanë rezultuar në gjetjen me 16 nëntor, dje janë ndërprerë, për shkak të rrethanave të motit.. këto kërkime do të vazhdojnë në pranverë sapo të krijohen kushtet klimatike. Duhet të themi se lokacioni ku është gjetur varreza masive, në vazhdimësi në këtë proces të gjetjes kanë qenë të pranishëm mjekët, ekspertët tanë mjeko-ligjor”, ka thënë ai.

Manaj ka theksuar se gjatë këtij viti ka pasur kërkime edhe në disa lokacione të Kosovës, ku janë gjetur mbetje mortore, ani pse sipas tij, nuk kanë qenë të shumta.

Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përmendur faktin se janë tri grupacione te cilat janë përdorur për fshehjen e krimit. Ai ka treguar edhe për numrin e mbetjeve që janë gjetur në Kizhevak të Rashkës, ku tha se pritet që gjatë këtij viti të fillojnë kërkimet edhe në një lokacion në Rahovec, në rast se kushtet klimatike janë të favorshme.

Gërxhaliu: Deri më tani janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe

“Ujërat, minierat dhe vendet e ashtuquajtura varreza civile, në të cilën është menduar se nuk do të gjenden pas luftës. Meqenëse bëhet fjala për një minierë ku për për vite të tëra janë hedhur gurë dhe mbeturina, atëherë logjikisht ka qenë se ka ndryshuar një reliev, i cili sjell deri te telashet që i kemi pasur për këto pesë vite, sepse nuk kemi mundur të rastisim në vendin e saktë te lokacionit të varrezës…. është punuar për dy javë, ku ekipet tona kanë qenë gjithmonë në lokacion dhe dje për shkak të motit jemi detyruar që të ndërpremë punën, sepse atje javën e kaluar ka pasur shumë shi dhe shumë shpejt pritet të bie edhe borë. Deri më tani janë tërhequr ato pjesë kockore që kanë qenë në sipërfaqe pas gjetjes, janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për ADN, dhe para se t’i qasemi punës në pranverë i kemi rezultatet e identifikimet me çfarë do të dimë të cilit regjion i takojnë”, ka theksuar ai.

Ndër tjera, Gërxhaliu ka folur edhe për konservimin e lokacionit, ku siç tha ai, është me standarde antropologjike.

Gërxhaliu: Mund të bëhet fjalë për 4-5 persona

“Mund të bëhet fjalë për 4-5 persona të cilët janë tërhequr nga ai lokacion, ku pjesa e lokacion është konservuar me standarde pesë shtresore, me masat gjeo-plastike të cilat nuk lejojnë lëvizjen, as lagien e vendit. Si dhe për siguri është ndërtuar një çati në pjesën e epërme. Thjesht është bërë nje konservim me standarde antropologjike të cilat i kërkojnë”, shtoi ai.

Tutje, udhëheqësi i Zyrës në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara tha se gjatë vitit janë bërë kërkime në shtatë lokacione.

Siç ka njoftuar ai, gërmimet janë bërë në Polan të Istogut, në katër varreza të besimtarëve myslimanë në Mitrovicë, Suriganë dhe në një lokacion në Gjilan.

Gara: Të gjitha mbetjet mortore që janë zhvarrosur në lokacionin janë dërguar për analizë të ADN-së

“Të gjitha mbetjet mortore që janë zhvarrosur në lokacionin që potencova tani janë dërguar për analizë të ADN-së nga ekspertët e mjekësisë ligjore janë dërguar në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur edhe mostrat për mbetjet mortore që tani me janë zhvarrosur në lokalicion në Kizhevak. Dhe besoj qe ditëve në vijim edhe do të kemi rezultatet”, ka shtuar Gara.

Ndryshe, për disa ditë radhazi në këtë lokacion ka pasur kërkime nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe asaj të Serbisë. Mbetjet mortore janë identifikuar muajin e kaluar përmes imazheve fotografike nga ajri, të vitit 1999, të cilat i siguroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close