Protesta në Shkodër, i vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste

Një efektiv i Policisë së Shqipërisë ka mbetur i plagosur gjatë përleshjeve me protestuesit në qytetin e Shkodrës, pasi këta të fundit thyen dhe i vunë zjarrin orendive të selisë së Partisë Socialiste në këtë qytet. Marshimi i thirrur në Shkodër për protestë ndaj vrasjes së Klodian Rashës nga një polic në një lagje të Tiranës, përshkallëzoi në dhunë kur një grup të rinjsh iu drejtua mesditën e së shtunës selisë së Partisë Socialiste. Policia reagoi duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka akuzuar opozitën për keqpërdorim dhe abuzim të të miturve.

“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme”, ka shkruar Rama.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nga Partia Demokratike, me anë të një statusi në Facebook, ka reaguar lidhur me ngjarjen. Ajo ka thënë se të rinjtë nuk ishin pjesë e protestuesve, ndërsa theksoi se pasi ka parë përshkallëzimin e situatës ka njoftuar autoritetet e policisë.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime”, shkruan Voltana Ademi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Partisë Socialiste kanë thënë se ngjarja është nxitur nga opozita. Drejtuesi i shtabit elektoral të socialistëve për qarkun Shkodër, Ilir Beqja tha se tashmë pas djegies së selisë së PS-së protestat nuk kanë më lidhje me vrasjen e Klodian Rashës.

Shqipëria që disa ditë po përballet me protestues që kërkojnë drejtësi për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një polic. Policia ka bërë të ditur se 87 protestues u arrestuan përgjatë tre ditëve të protestave. Ata kanë thënë se Klodian Rasha ka thyer orën policore kundër pandemisë, ka qenë i armatosur dhe ka bërë disa lëvizje të dyshimta.

Miq dhe familjarë të Rashës kanë thënë se ai nuk ka qenë i armatosur. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, dha dorëheqje pas vrasjes së 25-vjeçarit duke thënë se “vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike”./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close