Aktori shqiptarë në serialet amerikane: Ëndërr që punova me James Spider

Si shumë të tjerë, edhe Kushtrim Hoxha u largua nga Kosova drejt SHBA-së gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Edhe pse u detyrua të emigrojë ai punoi fort dhe e shfrytëzoi këtë rast për të arritur edhe ëndrrat e tij, vazhdimin e studimeve për aktrim. Hoxha, aktori i cili karrierën e tij e filloi me disa shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin e Gjakovës, e vazhdoi suksesshëm rrugën e tij si aktor, duke u bërë kështu pjesë e shfaqjeve, filmave e serialeve të famshme, kryesisht në New York. Rolet ndërkombëtare të aktorit shqiptar, duke përfshirë këtu serialet e famshëm amerikan “Elementary”, “BlueBloods”, “Person ofinterest”, si dhe “The Americans”, bën që zëri i Kushtrimit të dëgjohet dhe emri i tij të lartësohet, për të fituar kështu edhe role të reja, si ai në serialin e famshëm amerikan ”The Blacklist”. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare” Kushtrim Hoxha në tregon rrugëtimin e tij në fushën e artit.

Jeni larguar në SHBA gjatë kohës së luftës Kosovës, pasi kishit nisur karrierën tuaj në vendlindje. Studimet në Amerikë erdhën menjëherë apo ju desh kohë sa u përshtatët?

Ka qenë rrugëtim interesant. Studimet e mia të aktrimit kanë nisur në Akademinë e Arteve në vitin 1996 për tri vite deri në vitin 1999, unë kam qenë në vitin e tretë të aktrimit kur ka filluar lufta në Kosovë, edhe unë kam përfunduar si refugjatë në SHBA. Në Amerikë për fat të keq nuk mi pranuan vitet e mëparshme të fakultetit që kisha bërë në Kosovë, kështu që mu desh të filloj edhe një herë nga fillimi në Universitetin e “North Carolines” në Greensboro ku pas 4 viteve në vitin 2003 u diplomova, pastaj jam kthyer në Kosove deri në vitin 2012 kur jam pranuar për Master në “Universitetin e San Diegos” dhe Teatrin “Old Globe” dhe nga ajo kohë jetoj në SHBA. Më është dashur një kohe shumë e shkurtër të përshtatem, sidomos për studime të aktrimit, sepse më duhej ta përvetësoja gjuhën angleze.

Si i kujtoni vitet si student në SHBA dhe a kishte ngjashmëri me leksionet që ju më parë kishit marrë në Kosovë?

Leksionet nuk dallonin shumë, mirëpo dallimet ishin më shumë nga ana teknike, edhe pse profesorët i kishim shumë të mirë ne në Kosovë punonim në kushte shumë të vështira, ishin kohëra të vështira ato të studimeve në vitet e ’90 në Kosovë. Më kujtohet që mësimin e mbanim në shtëpi private ose në kafeteri për shkak se nuk na lejohej të shkonim në universitet. Mirëpo më duhet të theksoj që kishim shumë vullnet për të punuar. Kur erdha në Amerikë këtu gjithçka funksinonte si duhej me kushte shumë të mira për punë.

Shumë role ndërkombëtare përmendim, serialin e famshëm amerikan “Elementary”, “BlueBloods”, “Person ofinterest”, si dhe “The Americans”. Cilin veçoni si rolin më të rëndësishëm?

Çdo rol është i rëndësishëm për mua edhe me çdo rol që e luaj gjej diçka të re që më intrigon. Në Amerikë rolet që kam pasur në seriale televizive nuk është se janë role të mëdha dhe që kanë një thellësi të jashtëzokonshme, mirëpo unë mundohem që edhe në ato role të bëj më të mirën që mundem. Projektet që kam punuar janë projekte shumë të njohura në SHBA. Mund të them se për çdo rol të ri që marr mundohem të jap maksimumin dhe të mishërohem me personazhin që luaj.

Na tregoni disa detaje për përvojën në serialin e famshëm amerikan ”The Blacklist”?

Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, sepse është një serial mjaft i popullarizuar në gjithë botën dhe për fat kisha një rol shumë interesant. Për mua ishte ëndërr që punova me një aktor si James Spider dhe i kishim skenat së bashku. Do të luaja edhe në disa episode të reja në këtë serial, sepse roli im kishte vazhdimësi, mirëpo kur u izoluam për shkak të COVID-19 gjithçka ndryshoj dhe shumë role u shkurtuan nga seriali.

Nuk kanë munguar dhe rolet shqiptare për ju si aktor?

Po pata fatin të jem me rol kryesor në filmin “Nëntor i Ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina. Ishte hera e parë që kisha një rol kryesor në një produksion filmik në Kosovë dhe ishte një përvojë e jashtëzakonshme. Fimi u prit shumë mirë dhe pati shumë sukses edhe në arenën ndërkombëtare.

Përveç aktrimit, ju edhe këndoni. Keni realizuar disa këngë, po punoni për këngë të tjera?

Për fat të keq nuk është se jam marrë me muzikë kohët e fundit, kam shumë tekste e këngë që mund t’i punoj, mirëpo ende nuk e kam gjetur kohën e duhur. Shpresoj në një të ardhme të afërt të punoj një këngë të re.

Muzika, aktrimi, po ndonjë pasion tjetër që ju keni lidhet po me artin?

Më pëlqen gjithçka që ka të bëj me artin, nga artet pamore, muzika, teatri filmi dhe gjej inspirim dhe kënaqësi nga të gjitha. Babai im i ndjerë ishte karikaturist, nga ai kam trashëguar dashurinë për karikaturën .

Aktualisht me çfarë po merreni? Si ka ndikuar pandemia e Covid-19 në karrierën tuaj?

Covid 19 ka bërë që shumë aktivitete që kam pasur të planifikuara të shtyhen ose të anulohen. Ishin kohëra të vështira këto të Covid-19, jo vetëm për mua, por për të gjithë. Këtë kohë më shumë jam marr me fëmijët e mi, sepse të mos harrojmë ky izolim mund të ishte një traumë edhe për fëmijët. Gjithashtu sa për të mbajtur veten në formë kam ndjekur disa mësime online në disa universitete të ndryshme. Të shpresojmë që gjithçka do të kaloi mirë dhe të kemi shëndetin.

Në SHBA ka shumë shqiptarë, a jeni i angazhuar në organizime të Diasporës?

Po, vjet organizova premierën e filmit “Nëntor i Ftohtë” ku ishin të pranishëm shumë bashkëatdhetar, gjithashtu kemi organizuar disa koncerte humanitare me disa miq artiste që jetojnë nq New York. Presim që në të ardhmen të kemi edhe më shume aktivitete.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close