Walker:Nuk është vazhduar kontrata me presidencën e Kosovës

Ish-ambasadori William Walker ka thënë se nuk është vazhduar kontrata e tij me Presidencën e Kosovës.

Emri i tij u bë shumë i përfolur edhe një herë në Kosovë. Gjithçka nisi, kur ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, foli për një kontratë që presidenca ka me “Fondacionin Walker”.

E vet William Walker, vendosi që për herë të parë pas kësaj situate, t’i sqarojë detajet rreth kësaj ngjarje.

Ndonëse kontrata nuk është vazhduar ende zyrtarisht, William Walker tregon se kjo varët nga Presidenca, e jo nga ai. Ai tregon se u.d, Vjosa Osmani, e ka thirrur në telefon pas reagimeve të shumta në Kosovë, pasi nuk iu vazhdua kontrata.

“Kemi biseduar disa ditë më parë. Ajo telefonoi dhe më shpjegoi për atë që ndodhi me keqinterpretimin e fjalëve të saj, por kontrata nuk është zgjatur zyrtarisht. Ne do të duhet të diskutojmë për një kontratë të re me Presidencën, me Vjosa Osmanin, nëse duam ose jo një kontratë të re, ose nëse ata duan një kontratë të re. Kështu që ne diskutuam shumë gjëra, unë shpjegova më hollësisht se për çfarë u themelua fondacioni dhe çfarë jam përpjekur të bëj për Kosovën për 20 vjet në fakt, por si një fondacion për disa vitet e fundit”, ka theksuar Walker në një intervistë për T7.

Ish ambasadori i OSBE-së, që në kohë lufte ia zbuloi botës krimet që Serbia po kryente në Kosovë, tregoi se çfarë veprimtarie kishte ky fondacion.

“Ne kemi themeluar fondacionin për të ndihmuar në thelb çështjen shqiptare, jo vetëm Kosovën ose Shqipërinë, por për shqiptarët kudo në diasporë, në vendlindje për t’i ndihmuar në bashkimin e tyre në mënyrë që ata të punojnë më mirë së bashku. Dhe na thanë që nëse fondacioni dëshironte të ndihmonte Kosovën, mënyra më e mirë e mundshme ishte të arrihej një marrëveshje me Presidencën, jo personalisht me Hashim Thaçin, për të parë nëse mund të bashkëpunojmë në një farë mënyre për të ndihmuar fondacionin të bëjë atë që u themelua për të bërë”, ka thënë Walker.

Vlera e kontratës që fondacioni Walker kishte nënshkruar me presidencën, në kohën kur i pari i shteti ishte Hashim Thaçi, është 7000 euro për muaj.

Megjithatë Walker thotë se këto para nuk i merr ai personalisht, por fondacioni që e udhëheq miku i tij, Hasan Salihu.

E fiks një javë më parë ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, tha se kjo marrëveshje ka skaduar dhe nuk është vazhduar, ndonëse kishte afat deri më 31 dhjetor.

Më pas Osmani i ndërroi fjalët dhe i la fajin mediave për keqinterpretim të asaj se çfarë kishte thënë.

Duket se këtë qëndrim ia përcolli edhe ish-ambasadorit të OSBE-së, në bisedën që më pas e zhvilluan.

“Ajo në të vërtetë nuk kishte fuqi ta shkëpute, në fund të dhjetorit do të përfundonte sipas marrëveshjes që arritëm me Presidencën e Hashim Thaçit. Kontrata përfundon siç përcaktohet në kontratë më 31 dhjetor, dhe siç e kuptoj unë kishte një konfuzion në publik pasi që Ushtruesja e Detyrës së Presidentit Osmani tha diçka brenda këtyre rreshtave, por mediat e morën atë dhe e interpretuan atë sikur ajo e shkëputi kontratën”.

Ndërkohë, për bisedën Osmani – Walker, kishte njoftuar një ditë pas ngjarjes edhe vet presidenca.

Në komunikatën zyrtare thuhet se palët janë pajtuar që të vazhdojnë bashkëpunimin.

Ish ambasadori i OSBE-së kishte qenë zëri i Kosovës në masakrën e Reçakut, pasi pa personalisht 45 civilët e vrarë nga forcat serbe, dhe thuajse për çdo përvjetor të kësaj masakre ai e viziton Kosovën.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close