Shpiket unaza inteligjente që parashikon ethet ose simptoma të tjera
ATSH-ANSA/ – Shpikja e një unaze inteligjente mund të parashikojë nëse do të vijnë ethe ose simptoma të tjera tipike të gripit dhe Covid-19, të tilla si kolla dhe lodhja, para se ato të shfaqen, sipas studiuesve nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego dhe San Francisco dhe nga ”Massachusetts Institute of Technology” (MIT) në Boston.
Falë një algoritmi, unaza, e krijuar nga kompania finlandeze ”Oura” nga e cila merr emrin e saj, arrin të kombinojë dhe interpretojë disa parametra biologjikë duke i monitoruar vazhdimisht si temperaturën e trupit, ritmin e frymëmarrjes, rrahjet e zemrës dhe nivelin e aktivitetit fizik.
Analizat e para tregojnë se një ndryshim në temperaturë ndodh disa ditë para se të shfaqen simptomat e koronavirusit.
Falë të dhënave të mbledhura, autorët e studimit shpresojnë të përfundojnë zhvillimin e algoritmit deri në fund të vitit dhe se ai mund të ndihmojë autoritetet shëndetësore që të përmbajnë përhapjen e koronavirusit.
“Kjo nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një çështje sociale. Ideja e ekspertëve është të eliminojnë çdo informacion të mundshëm që i atribuohet individit nga të dhënat, duke filluar nga pozicioni i tyre, duke shoqëruar secilin person me një numër identifikimi të rastësishëm”, theksoi Benjamin Smarr, nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, një nga koordinatorët e studimit.
“Me këto unaza në gishta ne mund të fillojmë të imagjinojmë një sistem paralajmërues të hershëm publik për Covid-19”, shtoi ai.
Comments are closed.