Qeveria miraton strategjinë kundër korrupsionit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe strategjinë kundër korrupsion dhe planin e veprimit 2021-2023.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, i cili paraqiti draft-strategjinë kundër korrupsionit, tha se aktivitetet dhe alternativat vepruese të kësaj strategjie ndërlidhen kryesisht me sektorin politik.

Sipas tij, kjo strategji do të plotësohet me strategjinë e sigurisë.

“Aktivitetet dhe alternativat vepruese të kësaj strategjie ndërlidhen kryesisht me sektorin politik, në të gjitha rrafshet. Kur flasim për këtë, flasim për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit, rritjen e transparencës në financimin publik të partive politike dhe në fushatat parazgjedhore dhe në rritjen e transparencës tek administrata publike, ku ne kemi bërë disa hapa kyç në luftën kundër nepotizmit apo themi troç ‘punësimit me të njohur’, ku aplikimi është online. Me këtë strategji flasim shumë edhe për integritetin e zyrtarëve që janë në administratë të shtetit. Pastaj, pika 3 lidhet me zbatimin e ligjit dhe gjyqësorin. Pika 4 lidhet me prokurimin publik dhe menaxhimin e financave publike”, tha ai.

Tahiri theksoi se për t’i dalë në ballë korrupsionit duhet të angazhohen të gjitha institucionet së bashku.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe zëvendësimin e ndarjeve buxhetore në mes të burimeve të financimit dhe bartjen e shpenzimeve në shumën prej 28 milionë e 176 mijë e 480 euro, bazuar në Ligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, për projektin “Projekti Emergjent Covid-19 për Kosovën” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, për rimbursim të shpenzimeve të ndodhura në emër të kredisë për masat fiskale 1.1 dhe 1.15 të parapara në Pakon Fiskale Emergjente.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për zëvendësimin e ndarjeve buxhetore në mes të burimeve të financimit dhe bartjen e shpenzimeve në vlerë 17 milionë e 34 mijë e 744 euro, bazuar në Ligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, për projektin “Instrumenti për financimin e sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19 me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, për të rimbursuar shpenzimet e ndodhura në emër të kredisë për masat fiskale 1.6 dhe 1.7 të parapara në Pakon Fiskale Emergjente dhe të shpenzimeve në kuadër të Planit për Gatishmëri.

Kabineti qeveritar ka miratuar sot edhe ndryshim – plotësimin e Ligjit për zonat ekonomike, projektligj ky që ka për qëllim qartësimin e procedurave për themelimin, administrimin dhe menaxhimin e zonave ekonomike, vendndodhjen e zonave ekonomike, mënyrën e shfrytëzimit dhe promovimit të zonave ekonomike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Financave për kursime, ndarje dhe rregullime në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore për vitin 2020, ku mjetet në vlerë prej 500 mijë euro nga Ministria e Financave transferohen në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.

Me vendimin e miratuar sot është themeluar Sekretariati për monitorimin dhe koordinimin e zbatimit të aktiviteteve të operacionalizimit të zotimeve të Qeverisë së Kosovës për reformat si parakusht për zbatimin e “Financave Publike të Kosovës dhe Zhvillimit të Politikave Financiare” me Bankën Botërore.

Gjithashtu, miratimin e Qeverisë së Kosovës e ka marrë edhe Projektligji për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10. Amandamenti i marrëveshjes vjen si rezultat i kërkesës për zgjatjen e afatit të kredisë deri më 2020, sepse sipas marrëveshjes bazë, data e fundit e disponueshmërisë së mjeteve të kredisë ka qenë 15 dhjetori i vitit 2018.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e Komunës së Prizrenit për transferim të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit në shumën prej 931 mijë e 537 euro, për shlyerjen e obligimeve të Komunës së Prizrenit lidhur me projektin “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza”.

Edhe kërkesa e Komunës së Gjakovës për transferim të mjeteve buxhetore në shumën prej 275 mijë e 57 euro për shlyerjen e obligimeve të komunës lidhur me projektin “Impianti i ujërave të zeza”, është aprovuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close