Kusari-Lila vijon bashkëpunimin me LVV-në

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila thotë se subjekti që ajo udhëheqë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm do të vazhdoj të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa e quan të vonuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e Ethem Arifit, Kusari-Lila thotë se 17 ose 24 janari mund të jenë data se kur mund të mbahen zgjedhjet në Kosovë.

“Me Lëvizjen Vetëvendosje si Alternativë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë dhe ky bashkëpunim është zgjeruar edhe në nivel lokal, nuk kemi bashkëpunuar vetëm në nivel qendror dhe me politikat e nivelit qendror. Ka pasur koordinim dhe lidhje shumë të mirë edhe të degëve tona dhe unë besoj që e kemi rrugën e hapur dhe dakordin e përgjithshëm që të vazhdojmë në bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje. Natyrisht që për ne është shumë e rëndësishme që si subjekt të jemi të njohur dhe të ketë një formalizim të bashkëpunimit se çka ka munguar në zgjedhjet e kaluara. Gjithsesi që përkundrejt pozicioneve politike e shohim tepër të rëndësishëm vazhdimin e bashkëpunimit dhe kontributin për një të ardhme dhe një qeverisje kredibile dhe të përgjegjshme për qytetarin.”, tha ajo.

Përkundër situatës me pandeminë, Kusari-Lila thotë se 17 ose 24 janari duhet të jenë datat kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet.

“Uroj që me konsensus të të gjitha partive zgjedhjet të përcaktohen sa më parë, çfarëdo shtyrje e procesit zgjedhor do të jetë ngarkesë edhe për qytetarët por edhe për proceset të cilat po presin dhe natyrisht që sa më parë që organizohen zgjedhjet e dimë se nuk e kemi fushatën klasike, nuk do ketë tubime, do jetë në masa mjaftë të kufizuara sipas rekomandimeve të IKSHP-së prandaj sa më parë të bëhet kjo datë aq më mirë. […] Duke i marrë parasysh festat e fundvitit dhe afatet e tjera mund të jenë ose me 17 janar nëse dakordohen ose më 24 janar, njëra prej të dielave e treta ose e katërta e muajit janar”, u shpreh kryetarja e Alternativës.

Kusari-Lila për KosovaPress e ka komentuar edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çka tha se është vendim i vonuar, por i cili ka treguar se Qeveria Hoti ka qenë jo legjitime.

“E konsideroj si vendim tepër të vonuar është dashur që vendimi të merret më herët, pa folur për cilësinë e vendimit do thotë se çka përmban vendimi një situatë e tillë është dashur të ketë gjykimin apo aktvendimin e gjykatës shumë më herët. Në ndërkohë kemi pasur krizë pas krize e cila e ka karakterizuar Kosovën si në aspektin shëndetësor ashtu edhe ekonomik një mungesë totale të koncentrimit dhe seriozitetit të qeverisë që tashmë doli se ka qenë jo legjitime dhe ilegale si dhe pasoja të mëdha në shëndet dhe në numër të personave që kanë ndërruar jetën”, tha Kusari-Lila .

Gjykata Kushtetuese vendosi pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close