Kryeministri Rama: Meta njeri i dyzuar, Basha nuk është lider i mungon karakteri

/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, ka rrëfyer mbrëmjen e sotme hapat e parë në politikë dhe marrëdhëniet me me liderët kryesorë politikë në vend, duke nisur nga Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta dhe më tej, sikundër edhe për Lulzim Bashën, kreun aktual të Partisë Demokratike.

Ai u ndal fillimisht te ditët e para në si ministër i Kulturës në qeverinë Nano që shënuan fillimet e karrierës politike.

“Në fillim ndjehesha si në kurth. S’kisha hyrë ndonjëherë në zyrat e shtetit, përveç Akademisë së Arteve. Pastaj gjërat filluan të ecin në një farë mënyrë si Ministër Kulture dhe nisa edhe të marr frymë disi. Pastaj erdhi e dyta, kur më propozuan kryetarin e Bashkisë. Deri atëherë, nuk bëhej fjalë ta fitonin socialistët Tiranën, pasi ishte bastion i të djathtëve dhe ka qenë Fatosi dhe Ilir Meta, njëri nga njëra anë dhe tjetri nga krahu tjetër që më nxitën të pranoja. Fatosi më thoshte që nuk i mundim dot pa ty, pasi ti ke një pjesë të njerëzve që të votojnë që s’janë bazë e PS, ti vë emrin ne të mbështesim”, u shpreh Rama.

Ai rrëfeu se ambicia për të vijuar dhe për të ngjitur shkallët në politikë erdhi kur kishte parë se Fatos Nano nisi të ishte një njeri tjetër.

“Kishte një si bllokim. Nuk ishte më njeriu që kishte atë gjerësinë. Ishte shumë i ngarkuar dhe shumë i mbushur me njëlloj si të thuash, nuk po them inati, por kishte dhe inat brenda, për atë që kishte ndodhur. I kishin ndodhur shumë gjëra dhe në një moment të caktuar e pa veten jashtë. Më ka thënë njëherë në tavolinë, që donte të ishte si Edmond Dantesi. Aty filloj pak nga pak një proces, që nuk ecte më puna, bllokoheshin gjërat”, rrëfeu Rama.

“Aty e pashë, e kuptova se kisha dy rrugë, o duhet të ikja, ose duhet të merrja PS. S’kishte rrugë tjetër. Fatosi nuk ta kthente inatin në hakmarrje. Mbasi unë fitova mandatin e dytë, kalova një periudhë stazhi për atë që mund të vinte pas. Isha një njeri i pëlqyer dhe i pritur nga të gjithë. Sapo njoftova se do garoja për lidershpinin e PS, 99% nuk është se më braktisën, por u shfaq para meje një mbyllje komplet e komunikimit, dhe kisha pak njerëz që komunikoja. Ishin shumë pak të cilët ndanin me mua këtë ide, vetëm një njeri, që nuk ndryshoj fare, po fare, ai ishte dhe nuk kam për ta harruar, Gramoz Ruçi”,- tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se takimet me njerëzit nuk i sheh si detyrim, por pjesë e të qënit në këtë punë. “Ka njerëz që kanë pushtetin qëllim, ka të tjerë, që e shohin pushtetin si mjet për të arritur qëllimet dhe qëllimet janë aq të mëdha saqë nuk bën dot sikur, por ato njerëz janë pjesë e vizionit dhe kjo ëshë një betejë”, tha ai.

Kryeministri cilësoi si shenjën e tij në Tiranë se riktheu konceptin e hapësirës publike. “Ajo që unë besoj, është se historia e re e Tiranës, ka nisur në atë fazë. Gjurma më e rëndësishme është rikthimi i idesë së hapësirës publike, si hapësirë e përbashkët, lufta kundër paligjshmërisë ndaj hapësirës publike, si një luftë për të garantuar bashkëjetesën në këtë hapësirë. Ne jetuam 40 e kusur vite në hapësira publike fanatastike sa i takon pastërtisë, madhësisë, por ishte hapësirë publike e një spitali psikiatrik dhe nuk ishte e jona. Ne ishim pronar të së gjithës dhe s’ishim pronar të asgjëje. Prandaj ishte dalja nga spitali dhe fillimi i copëzimit të hapësirës rreth spitalit, duke kërkuar secili të kapi pronën e tij dhe më shumë në shumë raste që krijoi çoroditje, kaos të paparë. Rikthimi tek hapësira publike, risistemimi i hapësirës së përbashkët, futja e elementëve të shijes e për ta shijuar këtë hapësirë janë revolucion”,- tha Rama.

Duke folur për marrëdhënien me Ilir Metën, Rama tha se ai është dy në një.

“Iliri në aspektin politik është 2 në 1, jo në kuptimin 2 njerëz të ndryshëm në dy periudha të ndryshme historike, por është 2 njerëz në çdo moment. Është një njeri i dyzuar. Ajo që unë them, që duket si figurë letrare, por që është shumë e vërtetë, është që Iliri është njeri me hënë, është shumë i pasigurtë brenda vetes e kjo e bën të paqëndrueshëm, por në thelb s’kam asnjë problem me të. O jam marrë vesh shkëlqyeshëm me Ilir Metën, ose nuk jam marrë vesh fare. Është rast unik. Varet kë Ilir të bie radha të kesh përballë në atë moment kur ke një çështje për të trajtuar”,- tha Rama

“Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, dhe jo si mjet për të arritur qëllimin. Në aspektin e lidershipit po, është dhe ka qenë karizmatik, shumë i vendosur, mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Është shumë më tepër strategjik se sa taktik në lidership dhe kjo e ka bërë të jetë dominant në një periudhë të gjatë në partinë e tij dhe të jetë dominant edhe në këtë periudhë të historisë dhe kur të mos ketë pasur pushtetin”,- tha Rama.

“Nuk është se kursej Bashën. Mund të diskutosh karakterin e lidershipit të Saliut, Nanos, edhe të Ilir Metës, që s’krahasohet për kapacitetet e lidershipit me dy të parët, por ka stofin e liderit. Basha nuk është lider. Lulzim Basha është drejtues pa karakter. Kjo tryezë ka karakter, ky dollap ka karakter, ky gur ka karakter, ndërkohë që është një lloj paluze që nuk e di…”,- tha Rama.

Duke iu referuar raportit me pasurinë, Rama u shpreh se “im atë më ka rrënjosur diçka që kur kam qenë i vogël, mos kërko kurrë asgjë përveç librave, asgjë tjetër mos kërko përveç librave, se është turp. Nëse dikush mendon për ty, një dhuratë është ok, por ti s’duhet të kërkosh asnjëherë”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close