Ambasadori Minxhozi: Marrëveshja Kosovë-Serbi hap rrugën për zhvillim multilateral

Mungesa e stabilitetit politik, ku vetëm vitin e kaluar janë ndërruar tri qeveri, për ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi reflekton edhe në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se nevojitet angazhim për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pasi zgjidhja e ngërçit mes dy vendeve hap rrugën për zhvillim multilateral rajonal efikas.

Minxhozi në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për liberalizimin e vizave, bashkëpunimin ekonomik Kosovë – Shqipëri gjatë pandemisë, si dhe mini-shëngenin ballkanik.

Sipas tij, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është çështje kohe.

“Çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje vitale e zhvillimit, e përparimit, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por të gjithë rajonit. Prandaj nuk mund të jetë peng i një partie politike, i kujtdo qoftë ajo. Është diçka që ka të bëjë me vet të ardhmen e popujve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit. Zgjidhja e një ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë i hap rrugën një zhvillimi multilateral rajonal efikas”, thotë ai.

Vitin që lamë pas u ndërruan tri qeveri, e kjo sipas Minxhozit reflekton edhe në çështjen e dialogut me Serbinë.

Kur pyetet lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa është ai në krye të shtetit serb, ambasadori shqiptar thotë se kjo çështje nuk është në dëshirën e Vuçiqit.

“Nuk do të hyjë të vlerësojë deklaratat e udhëheqësve, por ajo që duhet të themi është se Kosova ka një status që e ka fituar këtu e 20 vjet përpara dhe historia nuk do të mund të kthehet mbrapshtë. Nuk është në dëshirën e një udhëheqësi e njoh apo nuk e njoh. Kosova ka një realitet të ri dhe realiteti mes Kosovës dhe Serbisë ka ndryshuar. Çështja e njohjes është problem kohe dhe është e pamundur që të mbahet peng nga Serbia mosnjohja e Kosovës. Çështja është që biseda e udhëheqësve politikë duhet të jetë në një rrafsh tjetër, si të shikohet mundësia për të ulur këto tensione, për të realizuar disa projekte, disa gjëra që kanë të bëjnë me shtensionimin e situatës, sidomos në fushën e ekonomisë. Serbia është e favorizuar në Kosovë me eksportet që bënë këtu, prandaj edhe në interesin e vet Serbisë është që marrëdhëniet me Kosovën të jenë të mira dhe të qëndrueshme, ashtu siç ka nevojë edhe Kosova për të”, shprehet ai.

Ai flet edhe për mini-shëngenin ballkanik, për çka thekson se pa një ndërthurje interesash rajonale, asnjë vend i Ballkanit nuk mund të bëjë përpara, pasi që kjo është edhe motoja e Bashkimit Evropian.

“Bashkëpunimi rajonal është shumë, shumë i rëndësishëm. Është një bashkëpunim që ne jemi vende të vogla, ne të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor jemi sa një qytet i madh në Amerikë apo diku në Evropë. Dhe, po prodhojmë shumë probleme në marrëdhëniet midis njëri-tjetrit. Çështja është që ne duhet të fillojmë të krijojmë koncepte të qarta që një vend i vetëm e ka të pamundur të zhvillohet nëqoftëse nuk ka marrëdhënie normale, bilaterale, ekonomike me vendet fqinje… Ne nuk mund të zhvillojmë ekonominë në mënyrë të mbyllur sepse është e pamundur, jemi në një shoqëri të lirë, jemi në një treg të lirë vlerash, kemi shkëmbime të lira dhe këto patjetër duhet të shtensionohen por në radhë të parë duhet të shtensionohen nga pikëpamje të ndryshme politike, dhe pastaj për t’i lënë rrugë specialistëve që të shikohet se cilat janë fushat ku ne mund të bashkëpunojmë. Kjo është shumë, shumë e rëndësishme pavarësisht nga emrat… Pa një ndërthurje interesash rajonale, asnjë vend i Ballkanit nuk mund të bëjë përpara sepse kjo është moto e Bashkimit Evropian”, thotë ai.

Diplomati shqiptar vlerëson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje të lirë, teksa shton se vendi ynë është në parametrat e njëjtë me vendet tjera në arritjet për liberalizimin e vizave.

“Kosova i ka plotësuar kushtet. Janë plotësuar me kohë. Nëqoftëse e bëjmë të njëjtin metër për arritjet që ka pasur Kosova në fushën e liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve me vendet tjera, Kosova është në ata parametra. Dhe, unë mendoj që ky është një proces që Kosova në radhë të parë ka arritur t’i përgjigjet me korrektësi, t’i përgjigjet me profesionalizëm të gjitha detyrave që ka thënë BE. Natyrisht që këtu hyjnë edhe problemet nacionale, problemet e situatës politike në vende të ndryshme të BE-së, është një problem që nuk ka kaluar siç duhet në një shkallë sensiteti në shkallën e politikanëve, që edhe Kosova të ketë të drejtë liberalizimin e vizave, lëvizjen e lirë, nuk është mirë që të krijohet një sihullë në mes të Ballkanit, për një vend që ka sakrifikuar me luftë, me përpjekje për tu dhënë e drejta për të lëvizur lirshëm drejt destinacioneve të ndryshme të BE-së, gjë e cila pastaj, do t’i jepte një dimension të ri edhe zhvillimeve politike, ekonomike e të tjera, në Kosovë, që të jetë pjesë e rëndësishme e këtij rajoni edhe Kosova në BE”, thekson ambasadori.

Viti që lamë pas ishte sfidues për gjithë globin. E këtu padyshim se nuk mbetën pa u prekur as Kosova e Shqipëria.

Krahasuar me vitin 2019-të, gjatë 2020-ës, Kosova dhe Shqipëria shkëmbyen afër 50 milionë euro më pak.

Se ishte një vit i vështirë për vendet, e thotë edhe ambasadori Qemal Minxhozi. Ndërsa shton se sektori më i goditur ishte ai i turizmit.

“Ka qenë vit i vështirë për vet ekonomitë të Kosovës dhe Shqipërisë sepse ka pas rënie të prodhimit si rezultat i situatës së krijuar që në shkurt të këtij viti kur ishin hapat e para të pandemisë kishim të bënim me një vit që ishte punuar për 2 muaj, ndërsa 9 muajt e tjerë kanë qenë shumë të kufizuara. Kjo ka bërë që përveç produkteve bazë jetike si në Kosovë dhe Shqipëri prodhimet në sektorë të jetë krejt minimal. Krahasuar me vitin 2019 Shqipëria dhe Kosova kanë shkëmbyer 307 milionë euro mallra ndërsa këtë vit kjo shifër ka rënë ku është diku 250-260 milionë euro, do më thënë është një rënie. Gjithsesi jemi munduar që të mbajtëm linjat e komunikimit për Kosovën që kanë qenë shumë të rëndësishme për sa i përket transportit se pjesa më e madhe e mallrave për tregun e Kosovës vijnë nga Porti i Durrësit dhe Porti i Durrësit ka qenë funksional gjatë gjithë kohës edhe për Kosovën. Ajo që është tepër e rëndësishme është se nuk ka qenë pengesa burokratike që herë pas here janë evidente, sivjet ka qenë një maturi më e mirë, një kujdes më i madh dhe me më pak probleme për sa i përket importeve dhe eksporteve”, thotë ai.

E pandemia që mbizotëroi këtë vit bëri që edhe mbledhja e dy qeverive, e mbajtur në tetor, të ketë më shumë karakter të shkëmbimit të informatave.

Ambasadori shqiptar thotë ka shumë gjëra që duhet të rregullohen edhe në bazë të ligjeve, në mënyrë që të kenë përshtatshmëri më të mirë. Teksa shton se këto mbledhje japin impuls dhe një shtytje të rëndësishme në përgjithësi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close