Shqipëri/Mbeten në fuqi masat antiCovid: Ora policore pas 22:00

ATSH/ Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje për mediet mbi situatën epidemiologjike dyjavore ka bërë publike vendimet e fundit. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se kufizimi i lëvizjes fillon në orën 22:00, duke thënë gjithashtu që dhe mësimi në universitete do të vazhdojë online edhe për të paktën dy javë të tjera.

“Në diskutimet e bëra sot në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve mendohet që kjo situatë e qëndrueshme natyrisht që është pasojë e masave të marra, të propozuara dhe të marra gjatë dy javëve të fundit, dhe për këtë arsye ne mendojmë që në këtë lloj situate të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Pra, të vazhdojë të mbetet në fuqi ora policore që fillon mbas orës 22:00. Universiteti të vazhdojë edhe për një periudhë dyjavore online, pa prezencën e studentëve fizikisht nëpër auditore. Dhe po kështu fluturimet me Britaninë e Madhe të mbeten të pezulluara deri në datën 18 janar”, tha Rakacolli.

Duke thënë se nuk ka të dhënë ta plota për praninë e “virusit anglez” në Shqipëri, Prof. Rakacolli në cilësinë e drejtueses së Komitetit Teknik të Ekspertëve tha se situata paraqitet e qëndrueshme, por se kjo duhet të të konfirmohet në javët në vazhdim, duke bërë thirrje për respektin të masave të vendosura.

“Akoma nuk kemi të dhëna të sakta ose të plota për praninë e virusit të ashtuquajtur “virusi anglez” në Shqipëri. Situata e epidemisë në këto dy javë në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme me një tendencë të lehtë ulje në incidencën dy javore por që është një tendencë ulje e cila pritet të konfirmohet ose jo në javët në vazhdim. Është një situatë në të cilën duhet të jemi shumë të vëmendshëm, sidomos që priten pasojat që mund të kenë dhënë grumbullimet në festat e fundvitit. Prandaj të vazhdojmë të mbajmë masat të cilat propozohen nga autoritetet shëndetësore, t’i respektojmë ato që kemi thënë, ta vazhdojmë të përdorim maskën, dhe natyrisht të vazhdojmë të ruajmë distancimin fizik dhe atë social”, tha Rakacolli.

“Situata epidemiologjike në vend është vlerësuar në mënyrë dinamike gjatë gjithë periudhës së pandemisë dhe specifikisht gjatë periudhës së festave të fundvitit duke u mbështetur në indikatorët mbi: vlerësimin 14-ditor të situatës lidhur me incidencën 14-ditore e cila paraqitet me një tendencë në ulje, totalin e rasteve të hospitalizuara dhe që kërkojnë trajtim reanimator si dhe totalin e rasteve vdekje”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico.

Prof. Fico ka bërë dhe një përmbledhje të situatës epidemiologjike referuar të dhënave javore ndërkohë që ka bërë me dije se është vënë re një rritje e pozitivitet në moshat 25-34 vjeç.

“Vetëm gjatë javës së fundit niveli i përhapjes është ulur dhe është në vlerën 110 raste për 100.000 banorë. Përhapja e rasteve me COVID-19 për Shqipërinë është 227 raste për 100,000 banorë krahasuar me dy javët e mëparshme 9-22 dhjetor ku përhapja e rasteve me COVID-19 ishte 330 raste për 100 000 banorë. Vendin më të rëndësishëm të rasteve të konfirmuara e zë grupmosha 55-64 vjeç me 20% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18% të rasteve të konfirmuara dhe grupmosha 45-54 vjeç me 17% të rasteve. Vihet re që ka një rritje në grupmoshën 25-34 ndaj gjejmë rastin të bëjmë një apel tek të rinjtë, të zbatojmë masat, të mos grumbullohen pasi kjo përkthehet në raste infektimi”, tha Fico.

Në fjalën e saj Fico e ka përshkruar situatën si të qëndrueshme, por dukë bërë thirrje që nuk ka vend për kënaqësi pasi duhet të vazhdojmë me respektimin e masave.

“Situata për këto dy javë mbetet e qëndrueshme me zbritje të lehta të cilat janë për t’u parë në vijimësi. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në fund të ditës ne jemi akoma në një situatë ku transmetueshmëria është e lartë, ku pozitiviteti është ai që ne përmendëm ku rastet spitalore vazhdojnë të jenë të rëndësishme si numër dhe mbi të gjitha jemi në pikën ku duhet të jemi tejet të kujdesshëm në zbatimin masave”, bëri thirrje Fico.

Drejtori i Urgjencës Mjekësore Kombëtare, Skënder Brataj, ka deklaruar në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, se forcimi i kapaciteteve në këtë vit të ri me 36 autoambulanca të reja do të rrisë më tej standardin në shërbim të pacientëve në këtë situatë të pandemisë, duke qenë të pajisura me oksigjenin dhe gjithë mjetet e nevojshme deri në dërgimin e qytetarëve në spital.

“Për fatin e mirë këtë vit e filluam me forcimin e kapaciteteve, 36 autoambulanca të reja i të pajisura të cilat veç pajisjeve kanë 4400 litra oksigjeni në çdo ambulancë për të patur në dispozicion deri në dërgimin në spital. Vetëm në dy vitet e fundit e kemi fuqizuar flotën e autoambulancave në territor me 80 autoambulanca të reja moderne të pajisura me të gjithë mjetet jetëshpëtuese. Me riorganizimin e shërbimit të urgjencës dhe ngritjes së Njësisë së Koordinimit, e cila tashme është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, kemi bërë të mundur ti përgjigjemi në kohë çdo thirrje për ndihmë në numrin unik 127”, deklaroi Brataj.

Brataj ka deklaruar se në vitin që lam pas janë pritur 700 mijë thirrje nga Urgjenca Kombëtare dhe janë kryer mbi 150 misione në banesë.

“Është kryer një punë voluminoze ku vetëm 700 mijë thirrje kanë ardhur nga fillimi pandemisë në vitin që lam pas. Numri i misioneve të kryera është rreth 150 mijë misione gjatë kryerjes së të cilave në banesë janë trajtuar rreth 55% e pacientëve, që shënon një arritje cilësore të shërbimit të ofruar mjekësor nga ekipet e Urgjencës Mjekësore, duke i ofruar qytetarëve të gjithë ndihmën e duhur mjekësore në banesë dhe 45% e misioneve të kryera kanë përfunduar në spital”, theksoi Brataj.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close