MPJ-ja thotë se e ka refuzuar lejehyrjen Petkoviqit

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm u lajmërua nga malet e Kosovës në veri.

Petkoviq po qëndron dje dhe sot në Kosovë me një kërkesë për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia kishte refuzuar.

MPJD në një përgjigjje për Gazetën Express ka thënë se Petkoviq më 4 janar kishte bërë kërkesë për këtë vizitë, ndërsa ajo i ishte refuzuar të nesërmën.

“Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq, ka bërë kërkesë për vizitë në Kosovë me datën 4 janar 2021.Një ditë më vonë, me datën 5 janar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi që të refuzojë këtë vizitë”, thuhet në përgjigjjen e MPJD-së.

Ministria e drejtuar nga Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë tri arsye se pse e kishte parë të paarsyeshme vizitën e Petar Petkoviq.

“E para, ai ishte për vizitë në Kosovë pak javë më parë, në më pak se një muaj. E dyta, për shkak të deklaratave të tij, që s’ishin në linjë me parimet e fqinjësisë së mirë. E treta, kontrabanda me vaksina, që ka ngritur shumë dyshime për çka ende po vazhdojnë hetimet. Për arsyet e sipërthëna, vizita e tij është parë si e paarsyeshme dhe në këto rrethana Zyra jonë Ndërlidhëse në Beograd është udhëzuar që ta refuzojë kërkesën e tij për vizitë”, thuhet në përgjigjjen e ministrisë.

Tutje, në përgjigjje thuhet se vizitën e Petkoviqit në Kosovë e kanë lejuar “autoritetet mbi MPJD-në”, pa specifikuar se kush.

“Në ndërkohë autoritetet mbi MPJD-në kanë lejuar vizitën e tij në Kosovë për shkak të festave ortodokse, përkundër qëndrimit refuzues të Ministres Haradinaj-Stublla”, thuhet në përgjigjjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Pë vizitën e Petkoviqit, Express ka provuar dje të marrë një përgjigjje nga Qeveria, e cila ka udhëzuar që për këtë të kontaktohet ministria.

“Krejt shkojnë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.

Petkoviq dje përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, i ka uruar serbët dhe ata që festojnë Krishtlindjen ortodokse, duke publikuar një fotografi të tij duke e mbajtur mbi sup një pemë të prerë.

Pasdite, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ua dorëzoi çelësat e 36 apartamenteve të reja në Mitrovicën e Veriut, qiramarrësve serbë në tri ndërtesa banimi, të cilat u ndërtuan nga Qeveria e Serbisë.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili i përgëzoi pronarët e rinj të apartamenteve, duke thënë se “të gjithë në Serbi janë një familje e madhe, pavarësisht se në cilën pjesë të vendit tonë jetojnë”.

“Nuk ka moment më të mirë apo më të lumtur sesa kur një burrë mund të festojë festën e Krishtlindjes më të lumtur me familjen e tij në shtëpinë e tij. Që nga sot, 36 familje do t’i festojnë të gjitha festat në shtëpitë e tyre”, tha Rakiq.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close