MIQËSIA PERSONALE RAMA-ERDOGAN, KËRCËNIM SERIOZ PËR INTEGRIMIN E SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EUROPIAN

Shkruan Hajro Limaj

Shteti dhe populli turk janë miq, ndërsa strategjia e Erdoganit ndaj Shqipërisë përbën rrezikshmëri. Kryeministri Rama miqësinë personale me kreun e shtetit turk e ka kthyer në strategji të politikës së jashtme të vendit. Këto vlerësime unë i kam trajtuar edhe në dy librat e mi. I pari “Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990-2000” dhe i dyti “Ku po e çon Erdogani Turqinë?“. Kualifikimet e larta në Turqi dhe detyrat shtetërore që kam kryer me këtë vend, veçanërisht me atë të atasheut ushtarak të Republikës së Shqipërisë në vitet 1994-2000 më kanë dhënë mundësinë që ta njoh nga afër , të vlerësoj zhvillimet politike të brendshme dhe të jashtme, zhvillimet ekonomike dhe ushtarake të tij.

Para ardhjes në pushtet të Erdoganit, Turqia ,veçanërisht me drejtimin e Turgut Ozalit dhe Sulejman Demirelit konsolidoi shtetin demokratik, ligjor dhe laik të ngritur nga Ataturku. Turqia ishte në lulëzim të te drejtave të njeriut, të lirive të shprehjes dhe të medias së lirë, të unitetit kombëtar dhe veçanërisht të funksionimit të shtetit me ndarjen e tre pushteteve ; pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv dhe pushteti drejtësisë-gjyqësor. Sistemi ishte shumë partiak, parlamentar. Vlen të nënvizoj, se në këtë periudhë marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë ishin shumë të mira, marrëdhënie me interesa reciproke dhe të dyja paralelisht kishin për objektiv integrimin në Bashkimin Evropian. Turqia e asaj kohe mbështeti Shqipërinë nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme që po i vinin ne vitin 1997, kohë në të cilën ish kryeministria Ciler paralajmëroi Greqinë, apo mbështetja politike dhe ushtarake që dha për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb në vitet 1998-1999. Dhe e gjithë kjo mbështetje ishte e natyrshme dhe PA NGARKESA NEO-OTOMANE, APO ISLAMIKE, siç po bëhet sot.

E përsëris. Kam qenë për një kohë të gjatë në Turqi atashe ushtarak dhe e njoh mirë këtë vend. Ruaj respektin më të lartë për lidershipin politik dhe ushtarak të asaj kohe. Por, fatkeqësisht në vitet 2002 në Turqi fitoi islami politik, partia islamike e drejtuar nga Erdogani. Turqia nën drejtimin e tij shkoi drejt shkatërrimit të plotë te shtetit të krijuar nga Ataturku i madh: shtetit demokratik , ligjor dhe laik. Erdogani ndryshoi kushtetutën duke krijuar shtetin presidencial ,ku presidenti ka fuqi dhe pushtete të gjithanshme. Pra është, president, kryeministër, kryetar i partisë në pushtet, kryetar i këshillit të lartë të drejtësisë dhe komandant i përgjithshëm. Liria mori fund. Burgjet u mbushen me kundërshtarët e Erdoganit: 2400 shkencëtarë, 165 gazetarë, 7800 kolonelë,190 gjeneralë dhe me mijëra qytetarë me mendime ndryshe. Liria e shtypit dhe e mendimit ndryshe janë varrosur. Me qindra diplomatë e ushtarakë kanë marrë strehim politik në Amerikë, Gjermani, Holandë, etj.

Me këto zhvillime politika shqiptare duhej të ishte distancuar prej kohësh nga Erdogani dhe politikat e tij, të cilat përbëjnë kërcënim për të gjithë botën shqiptare. Ai ka ngritur një strategji të ripushtimit të saj me konceptet otomane. Investime masive në institucionet fetare, në kulturën osmane nëpërmjet pushtimit të kanaleve televizive me filma turq, me qendrat kulturore etj., të cilat janë edhe një nga shkaqet kryesore që Franca dhe Holanda kundërshtojnë dhënien e statusit të negocimit për anëtarësim te Shqipërisë në BE. Prandaj miqësia private e Edi Ramës me Erdoganin po i sjell pasoja të rënda të ardhmes integruese Shqipërisë në Evropë. Ai miqësinë personale e ka kthyer në strategji të politikës së jashtme. Shteti dhe populli turk janë miq, ndërsa strategjia e Erdoganit ndaj Shqipërisë përbën rrezikshmëri, një kërcënim serioz për të ardhmen e saj. Mbajtien dhe zhvillimin e marrëdhënieve natyrale me Turqinë nuk e kundërshton askush, por kur Edi Rama e ka kthyer Erdoganin aleatin kryesor strategjik, duke braktisur bashkëpunimin me shtetet e Bashkimit Evropian e deri Amerikën, nuk mund t’i lejohet atij vazhdimi i mëtejshem. Turqia nuk është partneri kryesor ekonomik, por i katërti dhe më e keqja investimet kryesore nuk janë në ekonomi dhe tregti, por në islamizimin jetësor, me në krye xhamitë dhe kultet e individit. Si mund të mbushet vendi me xhami dhe institucione te tjera islame kur Evropa islamizimin e ka kundërshtuar ashpër dhe e ka kritikuar afërsinë me Erdoganin?

Erdogani e komandon Z.Rama deri në gjëra të çuditshme. Ai i kërkon që shoqëritë arsimore me origjine turke t’i shpallë organizata terroriste dhe ti shpërbejë ato. Sulltani Erdogan e shikon Shqipërinë si vilajet të tij, ndërsa Ramën si pashain e këtij vilajeti që drejtohet nga ai. Me këto qëndrime Edi Rama është kundër Amerikës dhe të gjithë Evropës, pasi këto shkolla nuk i lidh asgje me asnjë organizatë terroriste që krijon sulltani në Ankara për interesat e tij të brendshme politike. Ato janë qendra arsimore më me vlerë ne Shqipëri dhe jashtë saj dhe çdo tentativë e kundërligjshme e Ramës për t’i ndëshkuar sepse ja kërkon Erdogani do të ketë pasoja të rënda për vendin tonë në raportet me vendet demokratike. Do të ketë se vetëm Rama si kryeministër i një vendi europian e me gjere po i qaset kaq shumë Erdoganit në këtë pikë. Nëse ai do të vazhdojë rrugën e shtrembër që ka nisur me këto shkolla, do të humbas të gjitha gjyqet e brendshme dhe të jashtme dhe do të paguajë nga djersa e populli haraçet, ashtu siç po i paguan tani Begettit që i sekuestroi televizorin.

Politika e jashtme e Shqipërisë vitet e fundit është në rrugë shumë të gabuar. Në vend që ajo të jetë me përparësi me shtetet evropiane dhe Amerikën, ai ka vendosur në plan të parë Turqinë dhe Serbinë, Erdoganin dhe Vuçiqin, dy presidentët e dy vendeve që në histori e kanë pushtuar dhe copëtuar Shqipërinë.

Autori,është ish atasheu ushtarak i R.SH. në Turqi, drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare. Tiranë

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close