Do të evidentojmë dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se do të evidentohen dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet, në mënyrë që të kompensohen qytetarët.

Në një konferencë për media, të hënën Hoti u pyet nëse do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas vërshimeve në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Po mundohemi të marrim masat e nevojshme për të shpëtuar së pari jetën e qytetarëve, për t’i evituar dëmet madhore në infrastrukturë, në mënyrë që të mos mbesin lokacionet e bllokuara për qarkullim normal. Përmes shtabeve lokale, do të evidentojmë së shpejti dëmet që janë bërë edhe në pronën publike dhe private. Dëmet që janë bërë në prona private do t’i shohim maksimalisht, në përputhje me kapacitetet që kemi, edhe komisionet përkatëse, që të kompensojnë, në veçanti ato familje që janë në kushte pak më të vështira të jetesës”, tha Hoti.

Më herët gjatë së hënës, Hoti ka vizituar Qendrën e Situatave për t’u njoftuar si është gjendja nëpër komunat e prekura më së shumti nga reshjet e shiut dhe borës, që kanë shkaktuar vërshime në disa rajone.

Përveç takimit me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, kryeministri në detyrë Hoti është thënë të jetë në komunikim edhe me komandatin e KFOR-it, Gjeneral-majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmëri për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse nëse ka nevojë.

“Institucionet e Kosovës janë duke përcjell nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, është thënë në komunikatën e kryeministrisë.

Në njoftimin e Ministrisë në detyrë të Infrastrukturës, u është bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë ngasjes për shkak të kushteve atmosferike.

Aty është thënë se në rajonin e Gjilanit, është bllokuar rruga në drejtimin Kamenicë-Strezovc, derisa në rrugën Brezovicë – Sharr ka dy pengesa, në të cilat është intervenuar nga ekipet e mirëmbajtjes.

Në pjesën dalëse të autostradës Ibrahim Rugova në Mazgit është thënë se ka deformim të rrugës.

Përveç tyre, kjo ministri ka njoftuar se në Prishtinë afër rrethrrotullimit në QMI ka grumbullim të ujit, andaj është mbyllur qarkullimi në këtë rrugë, përkatësisht nga rrethrrotullimi mbi hekurudhë deri në rrethrrotullim të QMI-së.

Një ditë më parë, Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sasitë e reshjeve janë më intensive në rajonin e Dukagjinit.

“Më i atakuari është sistemi lumor i Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuotat maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime (Drini Bardhë, Ereniku, Bistrica e Pejës Bistrica e Deçanit, Mirusha, Toplluha) pastaj në pellgun e Ibrit lumenjtë: Ibri, Sitnica, Drenica me degët e tyre”, është thënë në njoftim./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close