Pse po rrëzohen kaq shpesh aeroplanët në Indonezi?

Rrëzimi i një aeroplani në Indonezi të shtunën menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti i vendit Xhakarta, në bordin e së cilit ishin 62 persona, ka vënë edhe një herë në qendër të vëmendjes sigurinë e industrisë së aviacionit të këtij shteti.

Autoritetet indoneziane tashmë kanë njoftuar se kanë gjetur vendin ku besojnë se u rrëzua një aeroplan pasagjerësh Boeing 737, i cili u zhduk nga radari katër minuta pas fillimit të udhëtimit të tij për në Pontianak, në provincën perëndimore Kalimantan.

Indonezia është shtet në Azi ku ndodhin më së shumti aksidente ajrore të avionëve të pasagjerëve që nga viti 1945, raporton AP. Në të kaluarën, aksidentet ajrore i janë atribuuar trajnimit të dobët të pilotëve, problemeve mekanike, probleme që lidhen me kontrollin e trafikut ajror apo mirëmbajtjes së dobët të aeroplanëve.

Edhe pse ekspertët thonë se ka pasur shumë përmirësime në vitet e fundit, aksidenti i fundit ka vënë në dyshim progresin e vërtetë të mbikëqyrjes dhe rregullimit të aviacionit në Indonezi.

Pse ka pasur Indonezia shumë aksidente me aeroplanë?

Kjo është për shkak të një kombinimi të faktorëve ekonomikë, socialë dhe gjeografikë.

Në vitet e para kur industria e aviacionit në Indonezi mori hov, pak kohë pas rënies nga pushteti i presidentit Suhatro në fund të viteve të 90-ta, u hap ekonomia, pas dekadash në diktaturë dhe në këtë kohë kishte pak rregullativa dhe pak mbikëqyrje të industrisë së aviacionit. Suhatro ishte presidenti i dytë i Indonezisë, i cili kishte udhëhequr me vendin për 31 vjet, nga viti 1967 e deri kur dha dorëheqje më 1998.

Transportuesit ajrorë me kosto të ulët vërshuan tregun, duke bërë fluturimin një mënyrë të zakonshme të transportit nëpër këtë arkipelag, i cili ka shumë zona ku ende nuk ka infrastrukturë efikase ose të sigurt.

Sipas të dhënave nga Rrjeti i Sigurisë së Aviacionit, Indonezia ka pasur 104 aksidente të avionëve civilë, me mbi 1.300 viktima që nga viti 1945, duke e renditur atë si vendin më të rrezikshëm për të fluturuar në Azi.

Shtetet e Bashkuara ndaluan transportuesit indonezianë që të operojnë në vend nga viti 2007 deri më 2016 sepse ata ishin “kishin mangësi në një ose më shumë fusha, siç janë ekspertiza teknike, personeli i trajnuar, mbajtja e regjistrave ose procedurat e inspektimit”. Bashkimi Evropian kishte një ndalim të ngjashëm nga viti 2007 deri më 2018.

A janë përmirësuar gjërat?

Po.

“Angazhimi me industrinë është përmirësuar ndjeshëm dhe mbikëqyrja është bërë më rigoroze”, tha për AP, eksperti i aviacionit dhe kryeredaktori i AirlineRatings.com, Geoffrey Thomas.

Kjo përfshin inspektime më të shpeshta, rregullativa më të forta të pajisjeve dhe procedurave të mirëmbajtjes dhe trajnim më të mirë të pilotëve, tha ai.

Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara i dha Indonezisë një vlerësim të Kategorisë 1 më 2016, që do të thotë se ky shtet ishte në përputhje me standardet e sigurisë së Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Pse ndodhi aksidenti i fundit ajror?

Është herët që të dihet se pse ndodhi rrëzimi i avionit. Ekspertët thanë se mund të jenë disa arsye, duke përfshirë gabimin njerëzor, gjendjen e avionit dhe motin e dobët në Xhakarta, nga ku u nis avioni.

Peshkatarët në afërsi të vendit ku u rrëzua ky avion me pasagjerë thanë se kanë dëgjuar një shpërthim dhe më pas kanë parë mbetje (të avionit) dhe karburant afër varkave të tyre. Por, shiu i madh iu pamundësoi të shihnin më tepër.

Sriwijaya Air ka pasur vetëm incidente të vogla në të kaluarën, megjithëse është raportuar se një fermer u vra më 2008 kur një nga avionët e kësaj kompanie doli nga pista derisa po aterronte, për shkak të një problemi hidraulik.

Drejtori i kësaj kompanie ajrore, Jefferson Irwin Jauwena, tha se aeroplani që u rrëzua, i cili ishte i prodhuar para 26 vjetësh dhe ishte përdorur më parë nga linjat ajrore në Shtetet e Bashkuara, ishte i sigurt për fluturim. Ai u tha gazetarëve se avioni kishte fluturuar më parë në të njëjtën ditë.

Por, ekspertët thanë se është e nevojshme të bëhet një hetim për të përcaktuar nëse avioni ishte në të vërtetë i sigurt për të fluturuar.

Kur do të dimë më shumë?

Zyrtarët thanë se ata gjetën të dielën vendin ku u rrëzua avioni dhe kutitë e zeza. Autoritetet aktualisht po punojnë për të tërhequr nga deti regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit të kabinës së pilotit. Materialet e nxjerra nga uji, përfshirë kutitë e zeza, mund të japin një pasqyrë të asaj që ndodhi.

Por, hetimi mund të zgjasë me javë, me gjasë muaj, tha këshilltari indonezian i aviacionit, Gerry Soejatman.

Indonezia pritet të drejtojë hetimin dhe vëzhguesit ndërkombëtarë janë të mirëpritur që të kontribuojnë. Brenda një muaji pritet një raport i përkohshëm nga Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Transportit të Indonezisë, tha Soejatman.

“Analiza do të fillojë me atë raport”, tha ai./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close