Kodi i ri i Procedurës Penale përcakton suspendimin e zyrtarëve me aktakuza

Ministri në detyrë i Drejtësisë Selim Selimi ka prezantuar sot finalizimin dhe ndryshimet e draft-kodit të ri të procedurës penale, e të cilat pritet ta forcojnë luftimin e korrupsionit dhe të lehtësojnë gjykimin në mungesë.

Selimi tha se sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, çdo zyrtar i cili keqpërdorë detyrën zyrtare dhe ndaj të cilit ngritet aktakuzë, ai do të suspendohet menjëherë.

Ai gjithashtu tha se harmonizimi i disa dispozitave ligjore do të krijojnë lehtësi në intervenimin e institucioneve për konfiskimin e pasurive të fituara me vepra penale.

Selimi: Zyrtarët që keqpërdorin pozitat zyrtare do të suspendohen

“Çështja e parë ka të bëjë me luftën e korrupsionit, i kemi bërë dy intervenime shumë të rëndësishme. Për herë të parë kanë hyrë nenet që kanë të bëjnë me suspendimet e zyrtarëve të lartë që ndiqen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Me Kodin e Ri të Procedurës Penale, zyrtarët në kohën kur t’i ngritet aktakuza do të suspendohen menjëherë. Ky intervenim është i rëndësishëm pasi çdo herë kur dyshojmë se dikush është duke e vjedhur shtetin dhe po e keqpërdorë detyrën zyrtare për përfitime dhe favore…Një intervenim tjetër që ka të bëjë me këtë fushë është edhe çështja e konfiskimit të pasurës së fituar me vepër penale. Pra, ne e kemi harmonizuar dispozitat e procedurës penale me ligjin e ri për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurës dhe tash e kemi më të fortë pjesën e intervenimit të institucioneve në konfiskimin e çdo pasurie që është marr me hajni, me korrupsion dhe vepër penale”, tha ai.

Sa i përket hetimeve dhe gjykimit në mungesë, Selimi tha se tashmë janë eliminuar pengesat për t’u gjykuar edhe në mungesa kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Selimi: Kemi bërë zhvillime edhe të dispozitave për hetim dhe gjykim në mungesë

“Kemi bërë edhe zhvillimin e këtyre dispozitave të cilat kanë të bëjnë me të gjithë ata kriminelë, të cilët ecin të lirë në Serbi dhe të cilët i dimë ne që kanë kryer krime të luftës, se tash do të ndiqen dhe do të gjykohen në mungesë. Këto dispozita kanë të bëjnë edhe me vepra tjera penale për persona që kanë kryer vepra penale. Por nga aspekti politik ka qenë e rëndësishme që të rregullohet dhe të forcohen përpjekjet tona për të gjykuar krimet e luftës. Ne kemi ende të bëjmë punë me shtim të kapaciteteve të Prokurorisë që merret me krimet e luftës dhe departamenti special, por këto nene do t’i hapin rrugë dhe do t’i largojnë pengesat që ka pasur deri më tash”, theksoi Selimi.

Selimi beson që përmes vettingut të kombinuar sistemi do të ishte më i qëndrueshëm dhe nuk do të mund të përdorej politikisht.

Selimi: Të kemi një sistem të qëndrueshëm të vettingut

“Qëndrimi im është që të zgjidhet ajo e kombinuara, sepse mendoj që e kombinuara mund të na mundësojë që të kemi një sistem të qëndrueshëm të vettingut, të përhershëm dhe të qëndrueshëm. Ky është pozicioni im, vendimi merret pas konsultimeve, sepse nëse nuk konsultohemi, as nuk mund ta implementojmë”, tha ai.

E për kërkesat e të akuzuarve nga Specialja për ndihmë financiare ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi tha se këto kërkesa janë të përfundim e sipër të shqyrtimit dhe aprovimit, dhe gjatë kësaj jave pritet të dalin informacione.

Ai tha se nuk sheh ndonjë pengesë për aprovimin e këtyre kërkesave, pasi që ato janë bërë sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi.

Selimi: Jemi në përfundim të shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave

“Jemi në përfundim të kërkesave të shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave. Mendoj që gjatë kësaj jave do të keni një informatë, por nuk e kemi hasur ndonjë pengesë në këtë aprovim. Pra, mendojmë që kërkesat kanë qenë të dorëzuara në bazë të ligjit dhe rregulloreve i plotësojnë kushtet e parapara me ligj dhe rregullore. Komisioni është mbledhur dhe i ka shqyrtuar, tash pres rekomandimin e komisionit dhe nuk shoh pengesa për aprovimin e tyre”, tha ai.

Në Kodin e ri të Procedurës Penale është punuar nga muaji korrik i vitit të kaluar.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close