Maqedoni e Veriut: Politizim i regjistrimit të popullsisë

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut kanë filluar debatin mbi projektligjin e regjistrimit të popullsisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu duke prezantuar projektligjin, tha, se me të parashikohet që regjistrimi të kryhet nga 1 deri më 22 prill të këtij viti. Gjithnjë sipas tij në procesin e regjistrimit do të përfshihen edhe qytetarët që punojnë jashtë vendit.

“Personat që punojnë jashtë vendit, regjistrimin do ta kryejnë vetë, me një aplikacion të veçantë, i cili do të instalohet në faqen e internetit të Entit Shtetëror të Statistikave nga 1 marsi deri më 21 prill 2021”, thotë Nuhiu.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu siguroi për transparencë të këtij operacioni të rëndësishëm statistikor, duke i vënë theks të veçantë nënshkrimit të lidhur midis drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Entit të Statistikës.

“Me këtë përcaktim rritet objektiviteti, transparenca, kolegjialiteti i punës në entin shtetëror për statistika dhe mënjanohet çdo dyshim, paragjykim për hile, fabrikim, majorizim edhe mbi baza etnike”, thotë Nuhiu.

VMRO-DPMNE kundër regjistrimit të popullsisë

VMRO-DPMNE-ja në opozitë kërkon që projektligji të tërhiqej menjëherë nga debati parlamentar dhe të organizohet debat brenda-partiak dhe brenda-shoqëror në mënyrë që të gjendet zgjidhje konsensuale se si të zhvillohet ky operacion statistikor. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski thotë, se një ligj i tillë është i papranueshëm për ta dhe se do të votojnë kundër, sepse asnjë nga 26 amandamentet e tyre të paraqitura nuk është pranuar.

“Regjistrimi duhet të jetë operacion statistikor që duhet të japë numra për popullsinë rezidente dhe jo numrin e qytetarëve”, vlerëson Micevski.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kërkon nga shumica parlamentare që të tërheq projektligjin e propozuar për regjistrimin e popullsisë, në të kundërtën paralajmëroi grumbullimin e firmave të qytetarëve për  anulimin e ligjit në fjalë.

“VMRO-ja do të organizohet me të gjithë qytetarët që të sigurojë firmat për anulimin e këtij ligji. Për këtë i ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim të përcaktimit politik, etnik e fetar. VMRO-ja do të fillojë iniciativë për të dorëzuar projektligji, përmes të cilit do të kërkohet shmangia e ligjit për regjistrim”, është shprehur Mickoski. Ai njëkohësisht ka numëruar disa vende të cilat për shkak të pandemisë së koronavirusit e kanë anuluar procesin e regjistrimit.

Stojanovska: Ende pa u miratuar ka dyshime në ligj

Deputetja e VMRO-DPMNE-së Dafina Stojanovska vlerëson, se qytetarët ende pa u miratuar ligji për regjistrimin e popullsisë kanë humbur besimin tek ky operacion i rëndësishëm statistikor.

“Regjistrimi i popullsisë duhet patjetër të realizohet në kohën kur arrihet konsensus i plotë i të gjitha subjekteve politike e shoqërore, vetëm në këtë mënyrë të dhënat nga ky operacion do të ishin të besueshme për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut pa dallim politik e fetar”, thekson Stojanovska.

Petrovska: Opozita vazhdon me destruktivitet

Deputetja e socialdemokratëve Sllavjanka Petrovska mendon ndryshe, ajo thotë se nuk do të lejojë që populli të pësoj dëme, regjistrimi do të realizohet sivjet.Opozita duhet ta kuptojë se ky është thjeshtë një operacion statistikor dhe jo politik.

“Pas 19 viteve vendit i duhet urgjentisht rregjitrimi i popullsisë.Të dhënat nga regjistrimi do të mundësojnë  krijimin e politikave afatgjate për zhvillim dhe kjo është në interes të qytetarëve”, thotë Petrovska.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni është realizuar në vitin 2002, ndërkaq në vitin 2011 u fillua, por për shkak të mosmarveshjeve politike procesi u ndërpre./dw

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close