Blinken e sheh Kinën si kundërshtarin më të madh të SHBA

Shumë presin që ndryshimi i pushtetit në Uashington të sjellë edhe ndryshime në politikën e jashtme të SHBA. Por Kina nuk mund të shpresojë një gjë të këtillë.

Sekretari i ri amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë se nuk ka pikë dyshimi se Kina paraqet sfidën më të madhe në politikën e jashtme amerikane. Ministri i ardhshëm Antony Blinken tha gjatë prezantimit të tij në Senat se Uashingtoni duhet ta shikojë Kinën me një sy shumë kritik dhe nga një perspektivë e fuqisë, e jo dobësisë.

Për ta bërë këtë, SHBA duhet të punojnë së bashku me aleatët e saj dhe nuk duhet t’i lerë asnjë territor Kinës në strukturat ndërkombëtare. Presidenti i SHBA-së në largim Donald Trump, kishte të drejtë me qasjen e tij të ashpër ndaj Kinës, theksoi Blinken.

Duke iu referuar Iranit, Blinken tha se administrata e re e SHBA-së dëshiron të punojë me aleatët e saj për të arritur një marrëveshje bërthamore më afatgjatë dhe “më të fortë” me Teheranin. Në vitin 2015, Irani nënshkroi një marrëveshje me SHBA-në, Kinën, Rusinë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë për të parandaluar ndërtimin e armëve bërthamore iraniane. Por nën Trump, SHBA u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018.

Presidenti i ardhshëm i SHBA-së Joe Biden do të donte të zgjaste marrëveshjen “New START” me Rusinë, për të kufizuar armët bërthamore, tha Blinken. Marrëveshja skadon më 5 shkurt. “New START” i detyron SHBA-në dhe Rusinë të mos kenë më shumë se 1.550 koka bërthamore secila.

Në dëgjimin e tij ai iu referua edhe raporteve me Turqinë. Blinken fliste për një “të ashtuquajtur partner strategjik”, e në këtë kontekst përmendi edhe sanksionet e mëtejshme kundër Ankarasë. Ai tha se është e papranueshme që një partner i NATO-s të futet në një marrëveshje me Rusinë, me konkurrentin më të madh strategjike të SHBA-së. Administrata Trump ka vendosur masa ndëshkuese kundër Turqisë, pasi ky vend ka blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400.

Administrata e re e SHBA-së dëshiron ta rishikojë klasifikimin e diskutueshëm të rebelëve Houthi në Jemen – si një organizatë terroriste. Blinken tha se vendimi i ministrit të Jashtëm në largim Mike Pompeo do të “rishikohet menjëherë”. Kombet e Bashkuara dhe organizatat e ndihmës kanë paralajmëruar se vendimi i Pompeos ka një ndikim masiv në ndihmën humanitare për popullsinë që po vuan shumë, në këtë vend të përfshirë nga lufta civile. David Beasley, kreu i Programit Botëror të Ushqimit, foli madje për një “dënim me vdekje për qindra mijëra, në mos miliona njerëz të pafajshëm” në Jemen.

bc/wa/fw (dpa, rtr, afp)/dw

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close