Maqedonia e Veriut miraton Ligjin për regjistrimin e popullsisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten Ligjin për regjistrimin e popullsisë.

Ligji u miratua me 62 vota, përfshirë edhe ato të opozitës shqiptare që ishin vendimtare për kalimin e tij.

Shumica parlamentare nuk i kishte numrat e nevojshëm, ndërsa opozita maqedonase e bojkotoi votimin.

Sipas Ligjit, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill të këtij viti – 19 vjet nga regjistrimi i fundit, i realizuar në vitin 2002.

Miratimit të Ligjit i parapriu debat i ashpër mes partive në pushtet dhe partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, e cila pretendon se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet.

Në bazë të regjistrimit të fundit, shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë dymilionëshe të Maqedonisë së Veriut.

VMRO-DPMNE-ja ka nisur me mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e Ligjit për regjistrim, duke paralajmëruar se nuk do t’i njohë rezultatet e tij.

Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës.

Mbi bazë të kësaj përqindjeje janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, të përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha të mërkurën se regjistrimi i popullsisë nuk duhet të nxisë tensione, sepse, siç tha, “të drejtat e fituara civile të popujve pakicë mbeten dhe mund të zhvillohen më tej”.

Përpjekje për zbatimin e regjistrimit ka pasur në vitin 2011, por ky proces është ndërprerë disa ditë para përfundimit, për shkak të përplasjeve të ashpra mes partive që ishin në pushtet, VMRO DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, pikërisht për mënyrën e regjistrimit të popullsisë, në veçanti të qytetarëve që jetojnë përkohësisht jashtë vendit.

Si atëherë, edhe tani, VMRO është kundër përfshirjes së tyre në numrin e përgjithshëm të popullsisë, meqë kjo, sipas kësaj partie, do t’i prishte shifrat reale të popullatës që jeton në Maqedoninë e Veriut./rel

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close