Serwer & Weber:Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian t’i japin fund problemit Kosovë-Serbi

Dy njohësit e zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, amerikani Daniel Serwer dhe gjermani Bodo Weber po kërkojnë që administrata e re e drejtuar nga Joe Biden dhe Bashkimi Evropian t’a çojnë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes finale.

Daniel Serwer, profesor në universitetin “John Hopkins”, ka thënë se pret që SHBA dhe BE të jenë tandemi që do të vulosë pajtimin mes kosovarëve dhe serbëve.

“Unë pres që presidenti Joe Biden të përpiqet, së bashku me BE-në, që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjeve të tyre të pazgjidhura”.

Sikurse amerikani, në këtë pikë mendon edhe gjermani, Bodo Weber, tha se definitivisht pret nga administrata e re e SHBA-së t’i japë përparësi dialogut Kosovë-Serbi në bashkëpunim me BE-në. Madje, ai u shpreh i lumtur që më në fund iku një administratë që performoi “rrezikshëm” në këtë rast.

“Performanca shumë e rrezikshme e ish të dërguarit Grenell tërhoqi vëmendjen e ekipit të Biden për çështjen Kosovë-Serbi edhe gjatë fushatës. Unë pres që administrata e Biden t’i kthehet, si në të kaluarën, bashkëpunimit të ngushtë transatlantik me BE-në për çështjen Kosovë-Serbi dhe kjo të mundësojë përfundimisht një rivendosje të vërtetë të negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, me BE-në në rolin kryesor dhe SHBA-në në një rol të fortë partneriteti mbështetës”, tha ai, njofton Klan Kosova.

Analisti Weber i ka pritjet e mëdha që rruga që do të ndjekë Biden në lidhje me Kosovën do të jetë pikërisht ajo që ndoqi në vitet e 90-ta.

“Pres që politika e Biden dhe administratës së tij të jetë në përputhje me atë të administratave të mëparshme, demokratike dhe republikane, bazuar në mbështetjen që kishte në të kaluarën për pavarësinë e Kosovës si mënyra e vetme reale për zgjidhjen e qëndrueshme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi dhe në mbrojtje të sovranitetit të vendit dhe integritetit territorial”.

Nga ana tjetër, Serwer thotë se beson që Kosova – kushdo që do të jetë në krye të saj – nuk do të lejojë një marrëveshje me Serbinë që e vendos vendin në rrezik, megjithatë, rekomandon pak kompromis.

“Unë besoj se cilido autoritet që është në pushtet në Prishtinë nuk do të pajtohet me një zgjidhje gjithëpërfshirëse që nuk është në interesin e përgjithshëm të Kosovës, por kompromisi për çështje jothelbësore është gjithmonë pjesë e një zgjidhjeje të negociuar”.

Marrëveshja trelaterale mes Kosovës, Serbisë dhe SHBA-së më 4 shtator që u nënshkrua nga ish-presidenti Donald Trump pati fort kritika në Kosovë, ndonëse Qeveria Hoti që e nënshkroi e quajti atë një sukses të madh të Kosovës.

Të dy analistët mendojnë ngjashëm për këtë marrëveshje duke e konsideruar si jo fort të mirë. Prandaj, deklarata e sekretarit të shtetit në ardhje të SHBA-së, Antony Blinken, që tha se duartroket marrëveshjet e nënshkruara të Trumpit ngriti shqetësime edhe te këta. Por, për dallim prej Serwer që tha se një marrëveshje e nënshkruar nga një administratë e kaluar duhet të respektohet, Weber ishte më i ashpër.

“Ai (Blinken) po tregohet i mirë. Nuk ishte ndonjë marrëveshje kushedi se çfarë, por është korrekte ta mirëpresësh atë”, ka thënë profesori Serwer.

Weber propozon që Biden të shfrytëzojë të mirat që ka marrëveshja, ndërsa të heqë dorë nga pikat tjera.

“S’do doja të lexoja shumë nga deklarata e Blinken. Kjo u tha në Senat nga Blinken duke synuar që të merrte mbështetje nga demokratët dhe republikanët. Nuk do të ketë vazhdim me qasjen e politikës së keqe të Grenell, e lëre më me shkëmbimin territorial. Unë pres që administrata e Biden të zgjedhë nga dokumentet jodetyruese të Washingtonit atë që ata mund të përdorin në një mënyrë konstruktive dhe thjesht të injorojë pjesën tjetër”, përfundoi Weber.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close