BE diskuton për vaksinat për Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan të hënën në Bruksel për ndarjen e vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të fqinjësisë lindore.

Sipas burimeve diplomatike të BE-së, në këtë takim u përsërit qëllimi i BE-së që “sa më parë” të sigurojë një sasi të dozave të vaksinave edhe për vendet në fjalë, të cilat do të ndaheshin nga sasia që u dedikohet vendeve anëtare.

Por, problem serioz në këtë moment thuhet se paraqesin vonesat në shpërndarjen e vaksinave nga prodhuesit te vendet anëtare të BE-së.

Kjo, sipas burimeve në Bruksel, e vështirëson edhe donacionin e vaksinave që BE-ja e ka paralajmëruar për vendet e Ballkanit Perendimor.

Komisioni Evropian është në bisedime me prodhuesit e vaksinave për t’i detyruar ata që t’i përmbushin obligimet nga marrëveshja për shpërndarjen e tyre.

Aktualisht, vëtëm dy vaksina janë të autorizuara për përdorim në BE: Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Nga Komisioni Evropian është paralajmëruar se deri në fund të kësaj jave do të autorizohet edhe vaksina e zbuluar nga Universiteti i Oxfordit dhe e prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Kjo kompani e ka shqetësuar BE-në me njoftimet se në çerekun e parë të vitit do të shpërndajë 60 për qind më pak vaksina sesa që janë porositur.

Vonesat e tilla në BE tash përmenden si arsye shtesë se përse ende asnjë vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk ka marrë ndonjë sasi të vaksinave përmes BE-së.

Shumica e vaksinave për këto vende pritet të arrijnë përmes nismës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vende të varfra.

Por, duke e ditur se ato do të arrijnë më vonë, në BE pohojnë se do të “bëjnë çdo gjë në mundësinë e tyre” për të siguruar qasje sa më të shpejtë në këto vaksina edhe për vendet e rajonit.

Pos që është donatore kryesore në nismën COVAX me mbi 800 milionë euro, BE-ja ka dhënë edhe 70 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’iu ndihmuar në fushatën e vaksinimit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close