KALAJA E TOMORIT

Në rrëzë të malit Tomor, pak më në veri të fshatit Tomor i Madh, lartësohet një platformë e ngurtë, që pjerret nga jugperëndimi.Kodra mban platformën shkëmbore dhe që vendasit e quajnë qytet duhet të jetë vazhdim i masivit të Tomorit, por si rezultat i një çarjeje të madhe dhe më vonë nga forca gërryese e ujrave është shkëputur nga mali duke mbështetur ashtu me pjerrësi të theksuar nga tri anët. Vet platforma ngrihet si një sofër shkëmbore e thikët mbi kodër, mbi një lartësi gati 50 m. Platforma ka qenë e banuar që prej kohërave të lashta. Duke iu ngjitur të përpjetës së platformës, në krye të saj, në anën veriore përpara del një shesh ku ndeshemi me muret e akropolit. Këtu muret nuk i përkasin vetëm një periudhe. Muri antik prej blloqesh të mëdha guri, rreth 1,70 m. të gjatë e 0,40 m. të lartë i është mbivënë në një fazë të dytë një mur me gure të vegjël lidhur me llaç, që i përket periudhës bizantine.
Forma e këtij sheshi është ajo e një trapezi të çrregullt. Një vend të rëndësishëm këtu zë stera me një kapacitet 100,000 litra ujë. Muret e saj janë të dyfishta. Muri i brendshëm është ndërtuar me llaç prej pluhur tulle horasan i cili nuk lejon penetrimin e ujit.Sipas Shuaip Manes kjo kala duhet lidhur me kalanë e përmendur nga Gj.Kedreni, kur ai bën fjalë për ngjarjet e vitit 1018, kur shembet Perandoria Bullgare dhe rivendoset sundimi Bizantin.Burimet historike e përmendin edhe një herë këtë qendërbanim në lidhje me ngjarjet e vitit 1336. Kalaja duhet të jetë ndërtuar vetëm me qëllim mbrojtjeje. E ngritur në një zonë të thellë malore, pa kushte të mira për bujqësi dhe banim, por me një pozitë të mrekullueshme strategjike për mbrojtje, ajo, u ka shërbyer qendrave të tjera të banuara të zonës si një prapavijë e sigurt. Në të mirë të këtij mendimi flet edhe J.Katakuzeni, i cili e quan fortesë e banuar. Dhe jo vetëm aq, por kjo është ndoshta dhe e vetmja kala që mbizotëron pothuaj mbi gjithë kalatë e njohura në këtë zonë deri tani, dhe që janë Berati, Gradishta e Peshtanit, Mbolani,Vojak, Gradishta e Qereshnikut, Kalaja e Vokopolës (Plenck) etj.Dy ngjarjet që përmendëm dhe lidhja e kalasë së Tomorit me to, provojnë edhe njëherë rëndësinë e madhe strategjike të kësaj kalaje.
Reference :(Sh.Mane, Kontribut për hartën arkeologjike të Shqipërisë, “Iliria” VI, Tiranë: 1976, f.405-406)
via DRTK Berat

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close