PZAP-ja vendos kundër kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që të certifikohen kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me përjashtim të atyre që kanë pasur probleme me ligjin.

Sipas ligjit, të gjitha palët që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme.

Në vendimet e publikuara të martën, PZAP-ja njoftoi se ka refuzuar pjesërisht apelin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ky organ, ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjve për moscertifikimin e gjashtë kandidatëve për deputetë të kësaj partie: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

“Pranohet pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, certifikohet lista e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, me përjashtim të kandidatëve të cekur”, thuhet në njoftim ku shtohet se “kandidatët e cekur në pikën një të diapozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë”.

Paneli po ashtu ka vendosur që Nisma Socialdemokrate të certifikohet si parti politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, por ka refuzuar kërkesën për certifikimin e 12 kandidatëve për deputetë: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Si në rastin e LVV-së, edhe për Nismën Socialdemokrate, PZAP-ja ka rezufuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, që kishte dërguar në KQZ me rekomandimin që kandidatët që kanë probleme me ligjin, të certifikohen për zgjedhje.

Edhe kandidatët e Nismës që janë cekur në vendim, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë thotë PZAP-ja.

Vendimi i njëjtë vlen edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku PZAP-ja ka thënë se kandidatët për deputetë: Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen dhe as të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Ndërkaq, kandidatët e tjerë në listën për garë zgjedhore të këtij subjekti do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në mbledhjen e mbajtur më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar listat me kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate dhe disa parti të komuniteteve joshumicë. Në këtë mbledhje, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti.

Ky vendim i KQZ-së nxiti reagime të shumta të partive politike, pasi vetë Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim kishte rekomanduar që të certifikohen listat zgjedhore të të gjithë partive.

Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar dhjetorin e kaluar, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, KQZ-ja ka ndërmarrë një proces të verifikimit të kandidatëve për deputetë, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje dërguar KQZ-së më herët gjatë këtij muaji, ka thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin.

Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë.

‘Kërcënimet ndaj KQZ-së’

Por, para kësaj mbledhjeje, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një konferencë për media më 21 janar, deklaroi se është kërcënuar nga partitë politike, por nuk tregoi se nga cilat parti ka pranuar kërcënime.

Më 25 janar, shefat e vendeve të Quint-it thanë pas një takimi me Dakën, se ata besojnë në aftësinë e KQZ-së për të mbikëqyrur zgjedhjet dhe bën thirrje që të ndalen sulmet ndaj këtij institucioni.

“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, u tha në deklaratën e shefave të misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë në Kosovë.

Vendet e Quint-it porositën të gjitha palët e përfshira në procesin zgjedhor që të respektojnë rrugët ligjore për apelimin e vendimeve të fundit të marra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar të mbahen më 14 shkurt. Ato vijnë pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila gjeti se Qeveria Hoti ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, pasi për të kishte votuar deputeti, Etem Arifi. Në kohën kur votoi për Qeverinë Hoti, ndaj Arifit kishte një dënim të formës së prerë, prej një viti e tre muaj burgim, për veprën penale “mashtrim me subvencione”./rel

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close