Ekipi i OBSH-së në Vuhan fillon punën në terren

Ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) do të fillojë punën në terren, në Vuhan të Kinës, pasi anëtarët e tij e kanë përfunduar karantinën.

Ekipi do të hetojë origjinën e koronavirusit të ri që e shkaktoi pandeminë e COVID-19.

Pasi mbërritën në Kinë, atyre iu kërkua të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.

Ata pritet të kalojnë rreth një muaj në Vuhan, në vendin ku koronavirusi ri u zbulua për herë të parë, në fund të vitit 2019. Misioni hulumtues i ekspertëve të OBSH-së është shënuar me vonesa dhe shqetësime në lidhje me qasjen në informacione dhe në njerëz që kanë njohuri për fillimin e përhapjes së virusit.

Pekini deri më tani ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur origjinën e virusit, i cili ka vrarë më shumë se 2.1 milionë njerëz në të gjithë botën.

Kina gjithashtu është kritikuar për kushtet që vendosi për vizitën e ekipit dhe teoritë e qeverisë kineze që thonë se faji për shpërthimin e koronavirusit është diku tjetër. Shkencëtarët ndërkombëtarë i kanë hedhur poshtë ato pretendime.

Familjarët e njerëzve që vdiqën në Vuhan kanë akuzuar autoritetet kineze se kanë fshirë grupin e tyre në mediat sociale duke u bërë presion atyre për të heshtur.

Shtetet e Bashkuara kërkuan një hetim ndërkombëtar “të fuqishëm dhe të qartë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se “është e domosdoshme që të hulumtojmë në ditët e para të pandemisë në Kinë”, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetëse të një hetimi ndërkombëtar.

Puna e ekipit të OBSH-së vjen pasi numri i të infektuarve në botë ka arritur në më shumë se 100 milionë persona. Qeveritë po përpiqen të shpërndajnë vaksinat kundër koronavirusit, por janë duke u ballafaquar me probleme në furnizim.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close