NJë mik i jashtëzakonshëm *Tregim

Brahim Ibish AVDYLI:

Me të arrirë në lokalitet, Hasan Zenuni muar rrugën përpjetë kodrës dhe nëpër shkallët e betonit. Ecte me një hap të zvarritur dhe të lëkundur.

Po ta vëreje me kujdes mund të kuptoje se natën nuk kishte fjetur fare ose kishte përdorur sasi të konsideruar alkooli, sa të nesërmen t`i mirreshin këmbët. Kur mbërriti në dhomën e tyre e hapi vrullshëm derën. Albani nuk u zgjua. Dhoma iu duk pa ajr. Sado që e ndjente veten të lodhur, e hapi derën e ballkonit. Ajri i freskët u fut në dhomë. Tërë natën kishte ra shi dhe dielli tashmë po shkëlqente nëpër qiellin e kthjellët.

Albani po flinte i dërmuar nga nata e kaluar. Nuk po ndihej të merrte frymë i gjallë dhe në fytyrë ishte pak më i zymtë. Hasani iu përplas te këmbët, duke pëshpëritur me vete. Me ta shkundur pakëz më dorë, Albani u zgjua, lau fytyrën, u vesh dhe u mbath pa fjalë.

-Nuk erdhe mbrëmë! – i tha më në fund Hasanit, me kokën ulur.

-Isha në qytet… te… ajo rrospia! Kam pirë mjaft venë!

-Ngaqë gogësin, e kuptoj! – tha përsëri Albani, pa qef për asnjë bisedë.

Ai iu afrua ballkonit. Shikonte ambientin nga kodrina e banesës. Për inatin e tij koha po buzëqeshte. Dukej se po i dhembte koka.

-A fjete mirë? – pyeti dikur Hasani, sa për të hapur një bisedë. Vendosi të shtrihej në krevat e të flinte. Tjetri e pat shiquar njëherë, si të kishte dalur jashtë vetes. Por, i mbeti shikimi përjashta. Po i shikonte vrragat e shiut mbi barë. E kujtoi natën e mbrëmshme. Kishte edhe mendime të liga.

Dikur, u përgjegj Albani me një vonesë të konsideruar, pa e kthyer kokën në drejtimin e Hasanit:

-Unë… kisha probleme me rradaken time! Vonë më zuri gjumi!

Ngase biseda kishte ngecur, u kthye të shikonte. Hasani kishte filluar të gërhaste si t`i ishte zbiruar gabzerri. Ishte një zhurmë e ligë për një mëngjes. Edhe muret e dhomës iu duk se po dridheshin.

Albanit i erdhi rëndë që Hasani po flinte.

-Zgjohu! – shkoi pranë tij dhe i tha në fytyrë. –Pse tani po fle? Mos të ka dërguar babai të sillesh tërë natën nëpër kabaré?! Ditën, do të jesh i zgjuar!

-Ik more, më le të qetë! Dua të fle! – dhe u rrotollua në anën tjetër.

-Për zotën, nuk të le të qetë! Tani, kështu e ke me mua! – dhe ia hoqi jorganin, pastaj shpejtë jastëkun. –Të ka lënë vesi ty tërë natën të zgjuar! Natën jemi të ndarë, por ditën e kemi së bashku! Mos flej ditën!

-Çka do, ore vëlla?! Ne, njerëz jemi! – u përgjegj Hasani, duke u ngritur plot me përtesë. –Tani, dua të fle!

-Ehëë! Edhe ata që vrapojnë tërë natën pas pasioneve të çthurura, njerëz qenkan?! Familja jote pret nga ti! Ke ardhur që të punosh dhe të kursesh!

-E po, të gjithë nuk janë intelektualë, si ti, zoti Çela! – tha, pak me ironi Hasani, dhe zgjati dorën të marrë jorganin dhe jastakun. Albani iku edhe më largë, që të mos t`ia jepte. Kishte vendosur kështu, edhe nëse plasë shamata.

-Duket se të pëlcet gabzherri! Paratë e një muaji do t`i kesh futur në te, pas lavireve! Të ka helmuar katrani i kësaj jete! Të mbledhet në fyt paraja jote! Djersa jote e mallkuar! A e di ti? Babai yt pret çdo ditë para postes, duke menduar se i ke dërguar paratë! Plaku i shkretë! Shtatëdhjetë dimra të ashpër i merr me vete, deri në postë, kalistrok, dhe njëmijë halle mbi kërrutë! – vërejti seriozisht Albani, me mjaft thekse.

Hasani e pau se është e pamundshme të grindej me te. U ul në një qosh të krevatit dhe nuk bëri zë. Kishte vendosur kokën në të dy duart mbi gjunjët e mbledhur lart. Albani nuk foli më. U ngrit ngadalë dhe i mbathi këpucët. Doli. Shkallët i kapërceu nga dy-tri copë teposhtë, u fut korridorit nën trena dhe hyri në postë, ku kërkoi një mandat poste për dërgesë parashë në Kosovë. E mbushi në emrin e tij dhe i dërgoi dyqid franga në vendlindje.

Kësaj here, e dinte se plaku nuk do të priste kot. Shkoi në kafenenë e qytezës të porositë një pije. Nuk ia vlente radha të grindej me te. Do të rrinte të paktën deri sa t`i kalojë ndjenja për tu grindur. Një copë të tërë kohe e kaloi aty. Sot e kishte ditë të lirë, nga puna.

Ç’ishte bërë ashtu me të gjithë ata të rinjë nga vendlindja e tij?! Pak kishim mbetur ata që po merreshin si ai, me çështjen e Atdheut të tyre. Një pjesë jo e vogël qenë të kthyer nga UDB-ja, të cilët po vepronin në mesin e mërgimtarëve, madje edhe në Zvicër. Futeshin ndonjëherë në dikutime për çështjen që kanë të bëjnë mërgimtarët, të mbushur me ndjenja jugosllaviste. Nuk pritonin edhe ta akuzojnë rrebtë rininë përparimtare për “separatizëm e irredentizëm”, që, sipas tyre, ajo e meritonte që të urrehej. Nuk e dinin ata se po i bashkangjiteshin dhe po u shërbenin pushtuesve të mëdhenj të tokës së tyre. Sapo takohej me ta, plaste biseda. Duhet të ruhej që të mos e kuptonin se ishte me bindje të rinisë përparimtare shqiptare. Kishte shumë forma për t`u ikur përplasjeve me ta. Të paktën, ushtrohej çdo herë me vete dhe kishte mjaft metoda për këtë punë. Ai ishte kundërshtar i armikut dhe shërbyesve.

This slideshow requires JavaScript.

Të tjerët, ishin si Hasani. Çdo ditë e natë me pije në dorë e me lojëra parash. Kishte mbetur pa banesë dhe ishin bërë së bashku. Nga sjelljet e tij Albani ishte i gatshëm që të grindej, po ç‘të bënte me te. Po mendonte, si t’ia gjëjë atij një banesë të veten. I mori gazetat dhe shikoi nëpër to, të gjitha, por nuk pau asnjë banesë. E dinte fort mirë, se kur vendoste që t`i thërrasë me telefon, jo vetëm telefoni bënte shpenzime, por edhe banesë ishte vështirë që ta siguronte, sepse aty kishin telefonuar sa njerëz të tjerë para tij…

Nuk vonoi, e në restorant u futën dy shqiptarë. Njëri punonte në kulm. E njihte. Ishte nga Prishtina. U ulën në një tavolinë, pak më largë. Porositën dy birra. Sakaq, i pari, e pau dhe iu drejtua:

-Nuk të pamë. Nëse do, mund të vimë atje.

-Mirë, pra! Ejani, nëse doni, po të mos u vie keq që ndërroni vend! – u tha Albani, derisa u bënte vend. Të dytë, i morën birrat dhe u ngritën nga tavolina e tyre. U ulën së bashku dhe u pyetën.

-Ku është Hasani? – pyeti ai që e njihte Hasanin. Ndërsa, atë tjetrin, as vetë Albani nuk e njihte.

-Në banesën time. Po fle. Sigurisht, ka mbetë pa fjetur mbrëmë! Tani për tani, nuk ka banesë. Unë, po shikoja shpalljet e gazetave. Për besë, nuk pashë asnjë banesë!

Ishte pak i merzitur, edhe për shkak të karakterit të Hasanit.

-Aha!… Të them të drejtën, nuk të njoh aq mirë, ndërsa Hasanin e njoh! E kam shok!… – ia bëri ai. Albanit, kjo gjë nuk iu duk aq e mirë. Megjithse nuk deshi që të polemizojë, u lëkund dy a tri herë nga vendi dhe shtoi:

-Ju dytë, më mirë pini birra, se është më mirë për juve, ndërsa unë, jam i shqetësuar! Hasanin the, e keni shok. Por, a e dini se ku ishte mbrëmë?! A e dini pse babën e tij, në atdhé, e maltretoi disa herë, deri në postë e në shtëpi, duke i thënë se do t`ia dërgojë të hollat për ushqim?! A e dini pse unë jam tepër i shqetësuar?! – pyeti, prej nervoze.

-Për besë, jo! – u përgjegjën të dytë.

-E po, më mirë është që të mos e dini! Këtu kam ardhur që të evitoj të mos grindem me te! Nejse! Babait të tij ia kam dërguar dyqind franga të Zvicrës! – dhe e nxori qekun e ua tregoi atyre.

-Nuk është mirë të grindesh me te! Ai, e di më mirë këtë punë! Është më i vjetër, se sa ti! – kundërshtoi shoku i Hasanit, Zeneli.

-E ka të vetin, o Zenel! Mos u grind kot! – foli me të shpejtë Artani, që e njihte Albanin, i cili po e takonte për herë të parë Zenelin.

-Hasani është më i ngritur, hedi, dhe më i vjetër! Unë, edhe këte e di! – i tha prapë atij, Zeneli.

-Jo, jo, Zenel. Nuk e di këtë punë. Ti, nuk njeh Albanin! Është më i ngritur dhe shkrimtar! – iu vesh atij, Artani.

-Çka di unë çka është “shkrimtari”! Të ishte shkrimtar, ishte në Kosovë! Këtu, ne punojmë fizikisht! As nuk marr vesh, pse jeni jashtë vendit e nëpër Zvicërr! – kundërshtoi ai, sikur t`i kishte mendët në kokë. Bëri me dorë, në shenjë revolte. Ishin gjëra sikur nuk i interesonin. Pastaj, e ngriti birrën.

-Artan, ky Hasanin e paska shok! Unë, e kuptoj! Le të thotë çka të dojë, se nuk kam ardhur për të shitë mendje, me çdonjërin. Pini këto dy gota dhe po deshët shkoni! Është edhe për ju më mirë! – ua shpehi pak shqetësimin e tij Albani dhe shmoi. Por, nuk foli më tepër.

I ngehën me dy gëllënjka birrat e mbetura dhe u ngritën.

-Mirë! Po duhet të shkojmë! Mirupafshim! – shqiptoi Artani dhe e dërgoi dorën te xhepi. Zeneli u ngrit pa folë asnjë fjalë dhe u nisë restorantit.

-Jo, jo! Unë do të paguaj! Udha e mbarë u qoftë!! – e zuri për dorë në xhep dhe i mbledhi etiketat nga tavolina. E thirri kamarierën për të paguar këto tri pije dhe u ngrit edhe ai ngadalë. Koka po i dhimbte, pa pushim.

Doli të sillet në breg të liqenit. Shetiti një copë të mirë. Nuk e di se si ishte mbushur ashtu dhe nuk e dinte se si do të zbrazej. Ende po e mbante inati i mbledhur, gjatë natëve të kaluara. Gjithmonë shkonte Hasani vonë në mbrëmje, edhe pas punës, prej orës 24:00 e këndej. Kohë të gjatë kështu arratisej pa treguar se ku shkonte, madje edhe nëpër kabarétë dhe në lokalet e tjera. E të gjitha rrogat i lënte nëpër ato lokale e makina të lojës.

Iu kujtua si e kishte marrë Hasani edhe rrogën e tij, te shefi, dhe nuk ia kishte treguar atij të vërtetën. Kur i erdhi radha Albanit, shkoi për ta marrë rrogën. Shefi i tregoi se Hasani e kishte marrë edhe rrogën e tij, duke lënë një arsyetim, thjeshtë të veçantë, se Albani ia kishte borgj tërë rrogën.

Shefi e kishte të qartë se nuk mund t’ia japë Hasanit rrogën e dikujt tjetër, por pas arsyetimeve të tija të veçanta, se Albani i paska borgj rrogën Hasanit (ndoshta i kishte thënë shefit se Albanin e kishte propozuar ai për garancion dhe për këtë ia kishte borgj ato të holla, apo ku e di se çka do t`i kishte thënë me këtë rast!), e më në fund, ia kishte dhënë rrogën e Albanit.

Për çudi, aspak nuk i kishte ardhur mirë. Një muaj mbeti pa rrogë. Sa kishte punuar ai! Mundej rrogën prap ta kërkoj te shefi përmes organeve, dhe i njihte shumë mirë sjelljet e Hasanit, por, organet vendosnin ngadalë për të huajtë. Hasani ishte kaherë aty; i njihte mirë edhe organet; iu kishte shërbyer të gjithëve; ndonjë pije ua kishte lënë pa të holla, si dhuratë, duke marrë fjalë të mira prej tyre, etj. I tregoi shefit se aspak nuk i kishte borgje Hasanit, e tjetër herë, në qoftë se bënë të marrë Hasani në emrin e tij ndonjë rrogë, do të zgjidhë gjyqi këto gjëra. E gjyqi ishte i ngadalshëm, veçanërisht për punëtorët sezonal, e kishte prap të qartë. Sa për t`i evituar shpenzimet e organeve, e shtynin punën më tutje, për vitin tjetër. Shefat, pronarët, qenë zvicrranë dhe dinin si do të veprojnë. Në vitin tjetër nuk kishte garancion për ta! Organet heshtnin, sikur nuk dinin asgjë.

Albani shpresonte se pronari i restorantit do t`ia bënte edhe në sezonën tjetër garancionin. Prandaj, nuk u prish krejtësist me shefin e tij.

Hasani ishte i gëzuar për këtë rrogë dhe e kishte në dorë Albanin, edhe për ndonjë rrogë tjetër. I kishte shpenzuar të dy rrogat, në lojë të automatit, duke menduar se do t`i nxjerrë. Shefi apo pronari i restorantit e mbajti në mend këtë fakt, por Hasani ishte më i mirë si drejtues i punës në restorat. Natyrisht, e kishte bërë si “Kryekamarier”; e paguante pak më shumë se të tjerët dhe, kur kishte kohë, e kontrollonte punën…

Meqë ishte lodhur nga shëtitja, u fut në Restorant Trotten, restoranti që më së paku do të futej. Kishte frigë se mos ndeshej me Hasanin, sepse ai ndonjëherë ndodhej edhe në atë lokal, pas pushimit të drekës. Aty, kishte edhe makina të lojës. Nuk kishte kohë për të shkuar në qytet, por ndalej aty.

Sakaq, e vërejti njërin me kurriz të kthyer nga të ardhurit, sepse ai po i ndreqte automatët e lojërave, mu përballë tij. U kthye për të vendosur diçka në kutitë e mëdha dhe e vërëjti Albanin, si me dyshim. Albani menjëherë e njohu. U çudit për këtë punë të tij, por e përshëndeti. Ai qe një ingjinjer i mirëfilltë, që ushqehej çdo ditë, në drekë, te ata, në restorant. Nuk ia kishte marrë mendja se do dilte në kohën e lirë si mjeshtër i automateve.

-Zoti Lyti! Ju, qenkeni edhe mjeshtër i automateve! – i tha, ndër të tjera.

-Ndoshta nuk e di këtë çështje, por ne i prodhjojmë dhe i mbajmë në disa lokale të ndryshme, të cilat i keni në listë si “tonat”. Por, ti e di që jam vetë inxhinier. Në fakt, vi këtu, si mjeshtër, e i punoj ndonjëherë edhe automatët e lojës. – u shpreh gjatë përshëndetjes me zotëri Lytin, përderisa nuk ndodhej askush pranë makinave të lojës. Ishin të vetëm e pranë tyre.

-Zoti Lyti, më vjen mirë që u takova pikërisht juve, sepse e kam një hall të madh! Prej këtij halli dola jashtë e bregut të liqenit, që ta hiqja hallin, i cili më mundonte. Sa nuk qaja! Por, unë do t’ua tregoj juve, e ju do të mund të më ndihmoni. Të lutem, eja në tavolinën time! Do ta marrësh një pije, nese keni kohë, dhe do t`ua tregoj problemet e mija, lidhur pikërisht me këto makina! – mezi ia shprazi pak hidhërimin e tij. Kjo ishte një befasi për këtë rast!

-Mirë. Shko njëherë dhe më prit! – u shpreh Lyti dhe iu përvesh punës më tutje. Ai u ulë dhe e porositi një pije për vete, pa gazifikim dhe alkool. Nuk besonte se zoti Lyti ishte zot i atyre makinave, të cilat i kishte shtruar për tokë! A thua, a do të shkonte në tavolinën e tij dhe a do ta kuptonte?! A ishte vërtetë në gjendje që ta kuptojë ate? Zoti Lyti ishte me shkencë teknike, ndërsa ai me letërsi. Në punë, nuk kishin kohë, sepse punonte në byfenë e restorantit. Ua lëshonte pijet të gjithë atyre që ishin në shërbim. Pra, drynin e restorantit e kishte në dorë, sepse kamarierët përpiqeshin që të merrnin pijet në banak pa etiketë dhe bënin përpjekjet e veta që ta hutonin me fjalët e tyre, me pyetje e përgjegje, kur restoranti mbushej plot me njerëz. Por, ai i kontrollonte të gjitha gjërat e byfesë, pa e dhënë asnjë gjë pa etiketë. Kishte kokë për këtë çështje. Prandaj, shefi e donte dhe i besonte…

-Hasani punon me mua. Është daja i im. Tërë rrogën e le në automat të lojës. Asnjëherë nuk vi në Restorant Trotte, që të mos e shoh Hasanin, duke luajtur. Ju gjithmonë vini tek ne. Ju kam borgj, sa nuk mund të thuhet! Ju njoh mirë, sadoqë nuk e dija se ju i prodhoni këta automata të lojës dhe nuk u kam parë asnjëherë t`i rregulloni ndonjërin nga automatët. Automatët tek janë të fabrikës suaj, e mora vesh! Siç e dini, jam poet i njohur, në vendin tim! Ju më kuptoni! Jam shqiptar i vërtetë, dhe kur e japin fjalën e nderit, nuk e nxjerrim prej gojës atë fjalë para se të vdesim! Ju lutem, a mund të vini me mua, në banesë, me një automat, dhe ta montoni të qelur, që t’ia tregoni atij të vërtetën. Ju i keni dy automata rezervë. Mund të merrni një prej vetes e të ngriteni në banesën tonë. Për besë, pa më dalur ky shpirt, nuk i tregoj askujt! Ta jap besën time! – dhe e shtriu dorën drejtë tij. Ai, e shikoi mirë, por nuk e kuptoi besën e dhënë me dorë. E ngriti pijen dhe shikoi i shqetësuar, për atë dorë.

-Zgjateni dorën po u them, se ua kam shtrirë për besën që ua jap! Po e pranuat besën time, e zgjatni edhe ju dorën tuaj! Kjo fjalë nuk luan pa u përmbytur toka e qielli, së bashku! – i tha Albani, me dorë e shtrirë prej tij, që e vështronte plot me pyetje. -Nëse guxoni, ejani, ju lutem! Është i vetmi prej familjes së tij që punon. Të gjitha të hollat i shpenzon në lojë! Familja varet prej tij! I merr edhe të hollat e mia, e nuk i dalin! Ju lutem, keni mirësinë dhe i tregoni të vërtetat e kësaj loje, sepse besoj se do ta kuptojë! Është daja im, e jemi të dytë së bashku, te ai restoranti që vjen. Nuk kam aq shumë të holla për familjen time, por i kam në shpirt familjen e fëmijët e tij! Sot, me të hollat e fundit, ia dërgova babai të tij këto të holla! – i shpjegoi Albani dhe nga dora e majtë, që e kishte nën tavolinë, e lëshoi mbi tavolinë qekun e parave.

Ai, vetëm po e shikonte, madje ngultazi. E mori disa herë pijen e tij dhe po mendohej. A e kishte me të vërtetë ai djalosh? E njihte si djalë të mirë e të sinqertë. Por qenka edhe poet. Ai e kishte një prift të mirë, që ishte poet. Zoti Lyti, lexonte edhe prej tij dhe e kishte mik. I kishte parë disa fotografi të tij, madje kur kishte qenë i ri. Ky djalosh, i ngjante atij.

-Shiko! Nuk e kam për detyrë, atë që kërkon prej meje. Po të më dëgjojë ndonjëri, e pat puna ime! – foli aq ngadalë dhe qetas. –Sot, është e diele. Nuk e kam orar pune. Nëse vërtetë ma jep fjalën e nderit se nuk i tregon askujt, po vi e bëj siç dëshiron, se je i sinqertë e poet! Unë, jam njëri i të paktëve mjaft serioz! E kam një prift, që është poet dhe librat ia lexoi. Prandaj e kam mik e shkuar mikut dhe i besoj! Nga ti, nuk kam lexuar, por e konsideroj se të kam të veçantë!… Pritëm pak, më atje, nëpër trotuar! – dhe e zgjati dorën e vet fuqishëm, sa asnjë nuk e kishte aq seriozisht. E lëkundi dy a tri herë, si besë të marrur prej tij, pa buzëqeshje. Dukej sikur kishte lindur në maje malesh, edhe të Shkelzenit të Gashit, prej nga vinte ai djalosh. U ngrit të shkojë te automatët, të cilët duhet t`i bartë në makinën e tij.

Albani ishte i gëzuar pa masë. Pagoi menjëherë pijet dhe doli. Në rrugë, i ra te presë. Nga pritja, lëvizi andej e këndej. E shikonte parkimin më tutje dhe Lytin që po i ngarkonte ngadale automatët. Dikur, u fut në makinë dhe i dha gaz përpjetë. Te Albani u ndal dhe e muar me vete.

-Në Mönchenstrasse, numri 24. A e dini këtë adresë? – ia bëri Lytit, si shpjegim.

-Sigurisht! E njoh më mirë se ti! – iu përgjegj Albanit, menjëherë.

-Ah! Këte nuk e dija unë! Thash, për ta ndihmuar ecjen tuaj!

-Do të kaloj andej pari, rrugës së drejtë. Po ti, shkoje në këtë drejtim! – dhe bëri me dorë për shkallët, andej, përmbi stacion të trenit.

Albani ishte mjaft i goditur. Nuk e dinte se si do të kalojë me Hasanin. Vazhduan rrugës dredharake e shkuan te banesa e tyre. Zbritën nga makina dhe zbarkuan një nga autamatët. E kapi qantën e veglave dhe ia hapi derën zotit Lyti, duke e lutur që të mos bëjë zhurmë. Në katin e tretë, në korridor, kishte vend sa të duash. Për fat të mirë nuk ishte spanjolli dhe këte e dinte. I vendosi dy burmet e mëdha apo burgjitë në mur, në të cilat do të jetë i varur automati i lojës. Ishte i hapur tërësisht dhe i lidhur me korrent, nga shteku i energjisë elektrike. Sa deshi të futej në dhomë për të zgjuar Hasanin, ia behu ai në trap të derës. Ishte zgjuar nga rropullima e makinës shpuese, të bërë në murin e koridorit, nga zoti Lyti.

-Çka dreqin është kjo zhurmë! – e bëri me dorë nga automati. Nuk pati kohë të pyeste më shumë.

-Është automat i lojës, që ti e luan kudo. Unë jam inxhinier i tyre dhe kam ardhur me porosinë e Albanit t’ua tregoj metodat e lojës. Ndëgjo këtu, se nuk kam aq kohë. Ky është principi i lojës dhe është i qelur se t`i duhet ta shohësh. Principi i lojës është dy me një: dy për firmën tonë dhe një për lojtarin. Ja, shiko! E hedhi frankun e parë e shkon në kasën e madhe, këtë këtu. A e pave? E hedhi të dytin dhe shkon në këtë kasën e dytë. Kjo është kasë e lojës, në fund. Nëse e di lojën, këto mund t`i luash. Të tretën, e hedhë në automat të lojës e shkon prap në kasën e parë. A e pave? Kjo, këtu. Është kasë e jona! A e kupton, Maks? – i tha atij, sikur i thoshin në firmë, sepse ishte i gjatë, si gegët tanë. -Këto të holla nuk dalin në lojë! Nuk ke se si me i nxjerrë! Është kasa e jonë. E kuptove, Maks? Të kemi shërbyes dhe duhet që ta japësh fjalën e nderit, se nuk i tregon njeriut të gjallë, sepse më hodhën nga firma! Ti e di, je daja i poetit, ky djalosh! – dhe ma vuri dorën mbi krah. –Për fjalë të nderit, vetëm me nxitimin e tij erdha këtu e të tregova! – dhe u ndal, një kohë. Asnjëri nuk e dinim se si do të rridhte puna. Ishim me ndenja të ngrira, që të dy! Po tregoi Hasani dhe po e ndjeu udhëheqja e fabrikës së tyre, kishte përfunduar Lyti. Unë isha nxjerrë prej firmës sonë e nuk do të isha kurrë më në Zvicër.

-Dy kasa, i paskeni! Pse t`i kenë nga dy kasa!… – ia filloi Hasani të flasë, i befasuar dhe i skuqur.

-Unë ta lash vetë të çelur që ti ta shohësh si punon dhe si vepron! Është hera e parë që e çel dhe njeriu i parë nga auslanderat[1] që e sheh apo e di se si punon! Të thash se nuk guxoj t`ia tregoj askujt këtë princip të lojës, por e kam mik të mirë një prift poet zvicëran dhe e kuptoj mirë nipin tënd! Është edhe ky poet dhe më tregoi se ia ka dërguar babës suaj 200.- CHF. Prandaj, e bëra për ty, sepse ky m`i tregoi shqetësimet tuaja. Principi i tyre është pesëdhjetë franka për ne, e njëzetepesë për lojë! Ato na i falë neve dhe të tjerat në lojë. Nëse di të luajsh, i fiton prap një të tretën, e nëse nuk e di, i humbë edhe ato! Pra, po të pyes Maks, a je kështu në fitim?! – ia shpjegoi qartë Lyti.

-Dreqi e marrtë!… Deqi e marrtë!… Lojëra të mallkuara!… – dridhej i tëri Hasani e përpëlitej sa andej e këndej.

-Qetësohu Maks, qetësohu! Kjo është thënë vetëm për ty! Mos i trego askujt, për Zotin, se më ke parë mua me këto makina të lojës dikund dhe të kam treguar se si fuksionojnë këto makina! Unë dhe Albani ia kemi dhënë fjalën e nderit, njëri tjetrit! Punoj pas orarit tim në fabrikë, për fëmijët e mi! A e di çka janë fëmijët?! A ke fëmijë dikund, apo jo?! – shtoi, duke e përcjellur Hasanin, në të gjitha përpëlitjet e tija

[1] Gjermanisht, i huaji, të huajtë, ata që vinin nga jashtë me garancion sezonal apo e vizë vjetore.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close