Votuesit e regjistruar jashtë vendit hiqen nga listat votuese në Kosovë

Ka mbetur vetëm edhe pak kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pritet që të dal me raportin e detajuar për sa i përket periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë  se të gjithë ata që janë regjistruar me sukses si votues jashtë Kosovës do të largohen nga lista e votuesve në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përpilojë listën e votuesve jashtë Kosovës, e cila përmban të dhënat e atyre votuesve që me sukses janë regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe duhet që këta emra t’i largojë nga lista votuese, e cila shpërndahet në vendvotime nëpër Kosovë, në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt”, ka thënë  ai, për Kosovapress.

Elezi theksoi se në një afat shumë të shkurtër do të dalin edhe me raportin e detajuar për votuesit jashtë vendit.

“KQZ, respektivisht shërbimi votues gjatë këtij vikendi do të hartojë një raport të detajuar sa i përket periudhës së aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Në këtë raport do të kemi të qartë sesa është numri i qytetarëve të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe sesa prej tyre janë refuzuar për shkak që nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj”, shton ai.

Sa i përket periudhës së votimit përmes postës, Elezi bën të ditur se do të realizohet në një afat kohor prej 10 ditësh, gjegjësisht nga data 2 shkurt deri më 12 shkurt.

“Të gjithë ata qytetarë, të cilët do të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit do të munden të votojnë përmes postës nga data 2 shkurt. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, e ka precizuar që fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së para ditës së zgjedhjeve. Pra, periudha e votimit përmes postës zhvillohet nga data 2 deri më datën 12 shkurt”, bën të ditur ai.

Ndërkaq në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të premten, kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se janë mbi 174 mijë aplikues përmes e-mailit për zgjedhjet e 14 shkurtit, proces i cili është pritur të përfundonte dje. Teksa ka shtuar se këto të dhëna janë preliminare dhe numri mund të ndryshojë meqë ka raste kur përmes një e-maili janë dërguar shumë aplikacione.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close