Senati çon përpara gjyqin kundër Trumpit

Senati amerikan ka votuar për të çuar përpara gjyqin e dytë ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mirëpo dënimi duket se është i pamundshëm, përveç nëse një mori republikanësh ndryshojnë qëndrim.

Me 56 vota për dhe 44 kundër, Senati ka votuar për 9 shkurt për nisje të procedurave formale më 10 shkurt, për të vërtetuar nëse Trump është fajtor për “nxitje të kryengritjes” lidhur me sulmet që i janë bërë Kongresit më 6 janar.

Gjashtë republikanë u janë bashkuar demokratëve në Senatin e ndarë, në mbështetje të votës procedurale, çka ka treguar se dy të tretat e nevojshme për të dënuar Trumpin vështirë se mund të arrihen në gjyq.

Në votën rreth procedurave të gjyqit, në qendër të diskutimit kanë qenë argumentet nëse Kushtetuta amerikane mbështet mbajtjen e një gjyqi të tillë pasi Trump ka përfunduar mandatin.

Demokratët që kanë udhëhequr gjyqin, të njohur si menaxherë të procesit të gjyqit, kanë dorëzuar argumente ligjore, bashkë me fjalime emocionale për të fuqizuar rastin e tyre, derisa republikanët besojnë se ekipi i mbrojtjes së Trumpit nuk ka qenë i organizuar dhe koherent.

Mediat amerikane kanë raportuar që Trump, duke shikuar procesin nga prona e tij në Florida, është zemëruar nga prezantimi i argumenteve nga ana e ekipit të tij mbrojtës.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur deklaratat e tyre, duke iu treguar senatorëve, që kanë rolin e jurisë në këtë proces, një material 13-minutësh të trazirave që kanë ndodhur në Kongres.

Përfaqësuesi Jamie Raskin, demokrat nga Merilland, i cili udhëheq këtë proces, ka thënë se hartuesit e Kushtetutës kërkojnë që ish-zyrtarët të mbahen përgjegjës për abuzimet sa kanë qenë në zyrë, duke përfshirë ditët e fundit të mandatit.

“Në fakt, kjo është saktësisht ajo që na duhet më së shumti sepse atëherë sulmohen zgjedhjet”, ka thënë Raskin.

Në video-material është parë se pasi Trump u ka bërë thirrje mbështetësve që të marshojnë afër Shtëpisë së Bardhë për të “ndalur vjedhjen” – referencë për pretendimet e tij të pabazuara se ka humbur zgjedhjet 3 nëntorit sepse janë bërë manipulime – një mori e mbështetësve të Trumpit kanë nisur të marshojnë drejt Kongresit.

Pak kohë më vonë, zyrtarët policorë që ruajnë ndërtesën janë mposhtur nga turmat, në të cilën janë parë persona duke mbajtur kapela dhe flamuj të Trumpit dhe duke thyer dyer dhe dritare.

“Nëse kjo gjë nuk përbën shkelje, atëherë nuk e di çka tjetër”, u ka thënë Raskin senatorëve pasi ka shfaqur videon, në të cilën është përfshirë edhe momenti kur një zyrtar policor ka qëlluar një protestuese, e cila ka tentuar të ngjitet në një dritare të thyer.

Ekipi i mbrojtjes së Trumpit, që drejtohet nga David Schoen dhe Bruce Castor, ka tentuar të argumentojë se gjyqi është jokushtetues sepse Dhoma e Përfaqësuesve ka nisur menjëherë procedurat për shkarkim të Trumpit, një javë pas trazirave, duke ia mohuar të drejtën vetë Trumpit që të prezantojë argumentet.

Ata kanë thënë se zgjidhja për këtë proces është largimi nga zyra, gjë e cila tani është e pamundshme pasi Trump nuk është më president.

Schoen e ka konsideruar gjyqin si partiak, duke përmendur deklarata të disa demokratëve, që kanë bërë thirrje për largim të Trumpit nga zyra, pak pasi ka nisur mandatin ai.

Ekipi i Trumpit ka thënë po ashtu se ky proces i gjykimit mund të ndajë edhe më shumë shtetin, duke hapur “plagë të reja dhe më të mëdha”, ndërkohë që demokratët po shfrytëzojnë këtë proces për t’ia pamundësuar Trumpit garën për president në të ardhmen.

Mes tjerash, ata kanë argumentuar se çfarëdo që ka thënë Trump më 6 janar, është e mbrojtur me të drejtën kushtetuese për liri të shprehjes dhe nuk konsiderohet urdhër për të sulmuar Kongresin.

Prezantimi i mbrojtjes së Trumpit megjithatë është konsideruar se ka pasur paraqitje larg pritshmërive./rel

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close