Agolli: Naimi i butë e i urtë, si Krishti

Të vish në Frashër do të thotë të ndjesh fare afër frymën e poetit shenjtor, apostullit të shqiptarizmës, dhe kjo frymë të të nxitë për t’u bërë njeri i vërtetë dhe atdhetar, që i nderon gjithë atdhetarët e ndershëm të botës.

Frashëri ku lindi Naimi, u be për shqiptarët vend pelegrinazhi, ashtu si Betlehemi i Jeruzalemit, ku lindi Krishti, apo Meka-atdheu i Muhamedit në Arabinë Saudite.

Naim Frashëri nga zemërgjerësia dhe urtësia i ngjante Krishtit. Edhe ai kishte shumë miq bashkëluftetarë, po kishte edhe tradhëtarë.

Krishti ka pasur 12 apostuj. I pari ishte Pjetri dhe i 12-ti Juda Iskariota. Këta ishin nxënës të Krishtit. Vetëm i 12-ti, Juda, e tradhtoi. Nëse Naim Frashëri do të ishte bashkëkohës i Krishtit, do të zinte vendin e parë të apostujve dhe do t’i lutej mëkëmbësit të zotit që ta hiqte Judën nga radha e shenjtorëve.

Por hyri gjysma e dytë e shekullit te 19-të pas Krishtit dhe Naim Frashëri u bë i pari apostull i shqiptarizmës. Për këtë shqiptarizmë flet çdo qelizë e shpirtit të Naimit, flet në çdo varg poetik e në çdo radhë të mendimit patriotik dhe filozofik te tij. Vëllazëria, urtësia dhe mirëqenia e shkrirë me patriotizmën, janë fara të mbjella në tokën e pasur të shqiptarëve. Dhe çuditërisht këto fara ai nuk i izoloi nga Europa. Në mes të Perandorisë Osmane, ku jetonte dhe krijonte, duke ëndërruar një Shqipëri të lirë, ai shkruante “Dielli lind andej nga perëndon”.

Është i pari mendimtar shqiptar qe hidhte idenë të drejtojmë sytë nga Perëndimi. Prandaj të mos na mburren disa oratorë të sotshëm, që qenkëshin të parët e përhapjes së idesë se bashkimit me Evropën. Naimi e shoqëronte idenë e Shqipërisë Evropiane me urtësinë dhe bashkimin dhe jo me grindjet oratorike. Elementi themelor për patriotizmën dhe bashkimin kombëtar për Naimin ishte gjuha e shkruar pastër dhe e folur pastër. Ai me mençuri të rrallë e pastroi u gjuhën nga fjalët e huaja si bujku arën e tij nga barërat dhe gjembaçet. Me gjeni një fjalë të huaj në veprën e Naimit!

Shikoni gjuhën e sotshme si është mbushur me fjalë të huaja, madje edhe fjalët shqipe shtrembërohen dhe nuk qëndrojnë drejt në fjali.

Vepra e Naim Frashërit nuk është një korije e vogël me lisa të rrallë por është një pyll pa fund. Vepra e tij përfshin shumë anë të natyrës, jetës dhe historisë sonë. Me krijimtarinë e tij janë rritur dhe do të rriten breza të tërë. E kush nuk i kujton “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e verës”; Vjersha për mësonjëtoret e para; Parajsa dhe fjala fluturake; Dëshir’ e vërtetë e shqiptarevet; Fletore e Bektashinjët, Shqiperia, “Historia e Skenderbeut”, “Qerbelaja”, e me radhë.

Naimi jetoi pak, vetëm 54 vjet, vdiq me penë në dorë, i shkrirë nga turbekulozi, por shpirti i tij jeton në çdo shqiptar, për këtë ai ishte i vetëdijshëm.

Kur më shihni se jam tretur
Mos pandehni se kam vdekur
Jam i gjall’ e jam ndë jetë
Jam ne dritë të vërtetë
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj./(konica.al)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close