Albin Kurti: Drejtësia dhe punësimi, prioritete tona

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 14 shkurt.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Vetëvendosje fitoi 47.7 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.40 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.29 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.50 për qind.

Në rezultatet preliminare nuk përfshihen votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kurti, në një konferencë për media nga selia e partisë së tij në Prishtinë, e cilësoi si “madhështore” fitoren.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha ai.

“Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.

“Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha Kurti, duke u zotuar se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

“Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, theksoi ai.

Vjosa Osmani, kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente, tha se me fitoren e kësaj partie “Kosova do të ndryshojë”.

“Institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia”, tha ajo.

Vetëvendosje e fitoi mbështetjen me premtimet e Kurtit, i cili vitin e kaluar ka shërbyer si kryeministër për më pak se dy muaj, se do të luftojë korrupsionin dhe se do t’i rishikojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kosova si shtet i pavarur, këtë të diel, po i kthehet popullit të saj si burim i sovranitetit”, tha Kurti derisa hodhi votën e tij në një vendvotim në Prishtinë.

Në një konferencë për media, në orët e mbrëmjes të dielën, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, i ftoi mbështetësit e partisë që të festojnë në shtëpi, si për shkak të pandemisë së koronavirusit, ashtu edhe për shkak të motit të ftohtë.

Pavarësisht thirrjes, mijëra mbështetës u mblodhën në rrugët dhe sheshet e disa qyteteve në Kosovë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili në zgjedhjet e 14 shkurtit ka qenë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, tha se “rezultatet janë tjera me ato që i kemi pritur”.

Hoti tha se procesi zgjedhor është zhvilluar me standarde evropiane dhe se ai e merr “përgjegjësinë e plotë” për rezultatin e LDK-së.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e uroi Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe e ftoi të punojë “për të forcuar shtetin e Kosovës”.

Hoxhaj tha se partia e tij nuk do të jetë pjesë e Qeverisë me Vetëvendosjen, sepse, siç tha, dallimet midis këtyre dy subjekteve janë të mëdha.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu gatishmërinë që të hyjë në koalicion me Vetëvendosjen.

“Ne jemi deklaruar se nuk kemi vija të kuqe, as për Vetëvendosjen, as për ndonjë subjekt politik”, tha Haradinaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se pjesëmarrja në votime ka qenë 47.08 për qind – gati 3 për qind më e lartë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Votuesit i zgjodhën 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës nga më shumë se 1,000 kandidatë dhe 28 subjekte politike.

Rreth 100,000 kosovarë që jetojnë jashtë Kosovës, po ashtu kanë pasur të drejtë për të votuar me postë. Rreth 43,000 vota nga diaspora kanë arritur në Kosovë.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit janë thirrur më 6 janar nga ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese, në muajin qershor të vitit të kaluar.

Konstatimi i Gjykatës është shpallur më 21 dhjetor, me shpjegimin se një deputet që ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qenë i dënuar për vepër penale.

Një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Kurti, vitin e kaluar, ka zgjatur vetëm 51 ditë, pasi është rrëzuar me votë mosbesimi./rel

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close