“Asnjë aks i bllokuar prej dëborës,mbi 480 mjete në të gjithë territorin”

ATSH/ – Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se sot nuk kemi asnjë aks të bllokuar prej dëborës.

Duke folur në Kuvend mbi situatën e ditëve të fundit të reshjeve të dëborës në vend, Balluku tha se, “shtetet nuk kanë flota borëpastruesesh, sidomos një shtet në Mesdhe, i cili i goditet një herë një vit nga reshje dëbore normale edhe një herë në 50 vite ndoshta nga stuhi të llojit që pamë herën e fundit. Shtetet kanë kontrata mirëmbajtjeje ashtu siç kemi dhe ne të cilat funksionuan shumë mirë në të gjithë territorin”.

Balluku u shpreh se, kemi pasur stuhi dëbore. “Për të gjitha ata që qëndruan dhe bënë analiza nga divani i shtëpisë realisht besoj që do ishte mirë që të kishin dalë dhe të kishin ardhur në ato akse ku situata ka qenë aq e ngarkuar sa nuk hapej as dera e makinës për të dalë nga automjetet, e jo më për të diskutuar me njëri-tjetrin apo për të gjetur rrugë alternative nga një aventurier siç dëgjuam, i cili i kthehu njerëzit në qytet”, theksoi ajo.

Balluku nënvizoi se, “ka qenë Policia e Shtetit në këto 72 orë, e cila nuk është larguar për asnjë moment nga i gjithë territori, që i ka treguar rrugët alternative qytetarëve. Ndërkohë që të gjitha skuadrat e mirëmbajtjes së ARRSH-së kanë vazhduar punën për të hapur çdo aks”.

“Sot që flasim nuk kemi asnjë aks të bllokuar”, theksoi Balluku, duke shtuar se, “edhe aksi fundit që ishin 2 kilometra, të cilat mbrëmë u bllokuan se në fillim ishin të hapura, por u bllokuan nga stuhia e dëborës në zonën e pikës doganore të Qafë Thanës, deri në rreth rrotullimin e Qafë Thanës, 2 kilometra, u hapën në orët e para të mëngjesit dhe autobusët, të cilët qëndronin në zonën neutrale midis kufijve kaluan pa asnjë problem”.

Balluku tha se, “kemi pasur në të gjithë territorin 480 mjete, pra një flotë e tërë e cila ka funksionuar në perfeksion dhe sigurisht nuk i janë kërkuar privatëve të na japin borëpastruese, sepse nuk ka qenë e nevojshme. Por patjetër, kemi bërë një koordinim të mirë dhe në ato zona ku mjaftonin disa borëpastruese dhe në disa zona të tjera ku duheshin më shumë, i kemi dërguar”.

“Sigurisht jemi mbështetur tek Forcat e Armatosura që si gjithmonë kanë pajisje më të rënda dhe kanë qenë aty për të ndihmuar dhe qytetarët me ndihmat e para”, tha Balluku.

Sa i përket furnizimit me energji, Balluku tha se, “në vitin 2015 në një stuhi dëbore normale nga ato që ndodhin gjatë muajit shkurt abonentët e shkëputur nga rrjeti kanë qenë 237 mijë. Kjo e vërtetuar me fakte. Dhe ndërkohë dje, pra datë 14 shkurt 2021, në orën 7 të mëngjesit ka qenë piku i problematikës që kemi pasur në zonat malore. Pasi duhet kuptuar që Shqipëria në rrjetin e saj energjetik mbështetet kryesisht në zonat malore në linja ajrore, të cilat çdo stuhi dhe jo vetëm dëbore i bën delikate dhe të prekshme. Pavarësisht kësaj situate dhe pavarësisht motit ekstrem dhe të paprecedentë për dekadën e fundit dje paradite në 7 të mëngjesit ne kemi pasur vetëm 60 mijë abonentë jashtë rrjetit dhe jashtë funksionit, të cilët rreth orës 2 të mesditës arritën në numrin 30 mijë, dhe tani janë dhe më pak”.

“Ne jemi mobilizuar në të gjitha njësitë administrative. Jemi mobilizuar çdo ministri, e cila mban përgjegjësi për këto situata. Janë mobilizuar mbi 480 mjete. Të 37 kontratat e mirëmbajtjes kanë qenë që të gjitha funksionale. 4 kontratat e mirëmbajtjes të rajoneve të subvencionuara nga BB kanë funksionuar më së miri. Kemi pasur mbi 1 mijë punonjës në të gjithë territorin, të cilët janë kujdesur për të kaluar sa më parë këtë situatë të motit ekstrem”, tha Balluku.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close