Shqipëri: Stuhi dëbore, përmbytje, rëndim situate nga Covid

Situatë e vështirë në Shqipëri nga përkimi në kohë zhvillimesh jo të favorshme si moti i keq, përmbytjet në zonat veriore e verilindore e grafiku në rritje i rasteve të reja të infektuara me virusin Corona.

Burime zyrtare thanë për DW se që nga dita e dielë (14.02)  95 përqind e territorit të Shqipërisë është i mbuluar nga dëbora, ngrica dhe acari përfshirë edhe Tiranën, Durrësin dhe qytete të tjera jo malore. Autoritetet e cilësojnë këtë situatë si “mot ekstrem”. Një mot i tillë mbërtheu Shqipërinë në fillim të janarit 2015, kur temperatura arriti në zonat fushore -12 gradë Celcius.

Situata e rënduar nga dëbora

Parashikime te sinoptikanëve bëjnë me dije se kësaj here në zonat fushore temperature do të arrijë në -9 gradë Celcius kurse në ato malore deri në -24 gradë. Në këto zona dëbora ka arritur 1,5 metra. Autoritetet u bënë thirrje të dielën drejtuesve të automjeteve të shmangin lëvizjet në akset kombëtare pasi moti i keq shkaktoi një ditë më parë bllokim të trafikut dhe radhë kilometrike të automjeteve që prisnin të kalonin. Të hënën pritet të rifillojë qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë, i ndaluar që prej 36 orësh shkak të motit të keq.

Stuhi dëborë dhe ere me shpejtësi 90 km/orë, që përfshinë Shqipërinë në fundjavën e sapo kaluar, kanë rrëzuar shtyllat e transmetimit të energjisë elektrike në zonat e Lezhës dhe Shëngjinit dhe për pasojë banorët dhe bizneset në këto zona kanë probleme me furnizimin me energji. Sipas sinoptikanëve moti i keq do të vazhdojë deri në fund të kësaj jave. Ministria e Arsimit mori vendim që nga dita e sotme, (15.02) dhe deri në fund të javës, (19.02) arsimi parauniversitar do të kryhet online.

Situatë kritike në Shkodër nga përmbytjet

Rreshjet intensive të shirave që parapranë stuhitë e dëborës dhe të erës, kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në qytetin e Shkodrës. Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna arritën kuotat maksimale dhe vërshuan në ultësirat rreth tyre duke i përmbytur ato. Burime zyrtare nga Prefektura e Shkodrës bëjnë me dije se në total janë përmbytur më shumë 5370 hektarë dhe 225 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Në disa zona niveli i ujit arrin deri në 130 centimetra kurse në disa toka bujqësore në 2-3 metra.

Automjete të larta transporti dhe varka të ushtrisë kanë mbërritur në zonat e përmbytura për të evakuuar familjet në rrezik në lagjet periferike të Shkodrës, pranë liqenit dhe lumit Buna. Ushtria po mbështet edhe evakuimin e bagëtive dhe gjësë së gjallë nga fermat bujqësore. Rreshjet e dendura të shirave nisën sivjet në javën e parë të janarit dhe përmbytën tokat dhe lagjet pranë lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës. Brenda një muaji harta e përmbytjeve është zgjeruar dhe dëmet e shkaktuara për fermerët e zonës së Shkodrës janë shumë të mëdha.

Mbi 1000 raste të reja infektimesh në ditë

Situatës së vështirë nga moti i keq i mbivendoset edhe vazhdimi i shifrave të larta të rasteve të reja në ditë të infektuar me virusin Corona si edhe viktimave prej tij. Autoritetet bëjnë me dije se në 24 orët e fundit ka pasur 1088 raste të reja dhe 12 viktima. Numri total i rasteve pozitive, që nga prekja e Shqipërisë nga pandemia Covid-19, është 414.278  dhe i viktimave 1.555. Tirana mbetet vatra më e nxehtë e infeksionit me 20 366 raste, e ndjekur nga Fieri me  2991, Durrësi me 1782 dhe Shkodra me 1531.

Autoritetet kanë shtrënguar masat kufizuese që nga java e kaluar, (10.02) duke rritur me 2 orë ndalim qarkullimin të detyruar prej rritjes me shpejtësi të rasteve të reja në ditë dhe dyshimet e pranisë në Shqipëri të varianteve të reja të virusit, kryesisht atyre anglez dhe afrikano- jugor. Masat e reja kufizuese do të jenë në fuqi deri në fund të këtij muaji. Autoritetet shëndetësore e shohin shqetësuese prekjen nga virusi të moshave të reja – grupmoshat 15-24 dhe 25-34 vjeç, e shoqëruar kjo edhe me humbje të jetës, kur të prekurit nuk kanë patur sëmundje shoqëruese.

Në fillim të këtij muaji në Institutin e Shëndetit Publik, në Tiranë, mbërritën 1 mijë e 170 vaksinat e para anti Covid -19 të kompanisë Pfizer, (BioNTech-Pfizer) që do të përdoren për mjekët, infermiereët dhe sanitaeët që janë në frontin e parë të përballjes me pacientët e infektuar si edhe edhe për 50 mjekë në spitalin anti-Covid të Prishtinës. Shqipëria ka një kontratë individuale me kompaninë farmaceutike BioNTech-Pfizer për një sasi të parë prej 10 mijë e 750 dozash vaksine anti- Covid deri në fund të këtij muaji. Sipas autoriteteve është afër përfundimit edhre kontrata me kompaninë AstraZeneca për të marrë dozat e duhura të vaksinës prej saj dhe “kryer brenda 14 muajve, brenda muajit prill 2022, vaksinimin e qytetarëve që duhet të vaksinohen apo atyre që dëshirojnë” ka theksuar kryeministri Rama.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close