Taulant Balla: Zgjedhjet në Kosovë me një standard shumë të lartë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vlerësoi sot zgjedhjet në Kosovë, ndërsa uroi që edhe pas 25 prillit çdo parti politike në Shqipëri të pranoj rezultatin.

“Dua ta filloj me një urim për Kosovën për mbajtjen e zgjedhjeve me një standard shumë të lartë. Ta përgëzoj popullin e Kosovës për një pjesëmarrje të lavdërueshme në kushtet e pandemisë por edhe në kushtet e një të ftohti ekstrem. Në mbledhjen e përjavshme të shtabit mbi zgjedhjet në Kosovë konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë. Gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike të Kosovës për frymën dhe standardin e zgjedhjeve, por padyshim dua ta uroj me gjithë zemër ‘Vetëvendosjen’ dhe mikun tonë Albin Kurti për fitoren në zgjedhje. Uroj që procesi i konstituimit të Kuvendit të ri dhe të qeverisë së re të marri kohën sa më të shkurtër të mundshme dhe mezi presim të punojmë me qeverinë e re, parlamentin e ri në funksion të integrimit europian të Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Balla.

“Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht që marrim nga njëri-tjetri eksperienca. Ajo që për mua është e rëndësishme, mesazhi që duhet të japim sot është se tashmë të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe pas 25 prillit çdo parti politike të pranoj rezultatin. Është shumë e rëndësishme të hiqet dorë nga eksperiencat e kaluara sikurse janë bojkotet. Vota e popullit duhet respektuar dhe ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë se nuk është faji i popullit, por i tyre. Zgjedhjet në Kosovë janë festë e  demokracisë. Kur populli merr pjesë masivisht edhe në kushte tejet të vështira si pandemia apo kushtet e motit, mesazhi është tepër i qartë dhe duhet respektuar nga të gjithë”, shtoi ai.

Ndërkohë, lidhur me listat e PS-së për zgjedhje, Balla tha se “ne respektojmë afatet e vendosura nga Kodi Zgjedhor”. “Ne vazhdojmë të bëjmë konsultimet. E kemi thënë që PS në këto zgjedhje ka vetëm një aleat, njerëzit e thjesht dhe të zakonshëm për të cilët krijuam një instrument shumë domethënës si platforma ‘Deputeti që duam’. Në listat e PS-së do të kemi djem e vajza, burra e gra, që kanë jetuar jashtë territorit të Shqipërisë dhe përsëris apelin tim nga KQZ për të mundësuar domosdoshmërisht votën e shqiptarëve jashtë territorit”, tha ai.

Balla tha se “është e pafalshme që PD-LSI vazhdojnë t’i kundërvihen që shqiptarët jashtë territorit, më shumë se 1/3, të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre”.

Balla tha se “PS do të vijë me një listë përfaqësimi të të gjitha kontributeve të shoqërisë shqiptare”. “Po ju them se listat e PS-së do të jenë një risi dhe do të jenë një shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë. Ne kemi bashkëqeverisur me njerëzit në këtë mandat dhe do të vazhdojmë të bashkëqeverisim, sepse duam të çojmë përpara punët që ende kemi. Rindërtimi është një proces shumë i rëndësishëm. PS i ka qëndruar besnik dhe nuk la askënd vetëm gjatë asaj ngjarje tragjike si dhe në kushtet e pandemisë”, tha Balla.

Të dhënat e muajit janar, sipas tij, “në aspektin ekonomik janë tepër të shkëlqyera për të krijuar besimin se tashmë po ecim me shpejtësinë e duhur për ta kaluar këtë situatë”.

“Për të gjithë ata skeptikët e mëdhenj që vënë dyshime për suksesin e reformës në drejtësisë përgjigjet e njëpasnjëshme të SPAK të mbështetura edhe nga institucionet e  tjera të drejtësisë, sikurse është Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kanë rritur dhe rrisin çdo ditë besimin e qytetarëve shqiptarë se çuarja para e reformës në drejtësi është një rrugë pa kthim”, theksoi Balla.

“Le të betohet dhe stërbetohet Sali Berisha dhe Ilir Meta se gjoja këta nëse do të kthehen do të anulojnë Vetingun, apo do të zhbëjnë reformën në drejtësi, jam e sigurt që shqiptarët do të dinë të vlerësojnë. Goditja ndaj çdo strukture në sistemin e drejtësisë do të vazhdojë përpara. Ajo që kemi konceptuar në atë draft-program që do të përmbyllet brenda javës besoj, do të synojmë të vijmë para shqiptarëve me reforma të tjera të rëndësishme”, tha ai.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close