Në Turqi po shtohet prodhimi i pijeve alkoolike të falsifikuara vdekjeprurëse

Që kur qeveria rriti taksën e alkoolit në Turqi po shtohet prodhimi i pijeve alkoolike të falsifikuara. Pijet të tilla kanë shkaktuar edhe vdekje.

Gati njëqind vetë kanë vdekur brenda tre muajsh prej alkoolit të falsifikuar në Turqi, ku prodhimi i pijeve alkoolike të falsifikuara po shtohet që kur qeveria rriti taksën e alkoolit.

Edhe e reja Derya Altan ra viktimë e pijeve alkoolike të falsifikuara. Babai i saj Shabani kujton ditën kur ajo vdiq: “Ajo u takua me disa miq dhe njëri prej tyre kishte blerë alkool. Ishte alkool i paligjshëm, i falsifikuar. Kur filloi të ndihej keq ditën tjetër, shkoi në spitalin lokal. Nga atje e çuan në klinikën më të afërt universitare, ku e mbajtën shtatë ditë në reanimacion. Por nuk mundën ta shpëtonin “.

Tani policia turke i ka shtuar bastisjet në distileritë e paligjshme. Biznesi i pijeve alkoolike në Turqi është shumë fitimprurës, kur tani alkooli legal është më i shtrenjtë se në shumicën e vendeve evropiane.

Humbje për kulturën kulinarike të Turqisë

Çmimi i një shisheje raki është dyfishuar nga viti i kaluar dhe tani kushton rreth 18 euro. Rritja e taksave i ka shndërruar pijet alkoolike në një artikull luksi. Disa thonë se kjo i nxit klientët të konsumojnë pije alkoolike të falsifikuara

“Ata që e shohin pirjen e alkoolit si mëkat duan që njerëzit që duan të pinë të paguajnë një çmim të lartë. Por qytetarët nuk po e paguajnë atë çmim vetëm me para, por gjithnjë e më shpesh edhe me jetën e tyre.” – thotë politikani opozitar Ali Seker.

Të tjerë kanë frikë se me shtrenjtimin e taksave për pijet alkoolike mund të humbasë një pjesë të kulturës kulinarike të Turqisë.

“Skocezët kanë uiskin e tyre, francezët verë, grekët kanë uzon dhe këtu në Turqi ne kemi rakinë. Ajo është pjesë e kulturës sonë që e njeh gjithë bota. Nëse disa njerëz duan ta heqin qafe këtë pasuri kulturore, ku është e mira e kësaj?” – thotë pronari i një bari.

Për Shaban Altanin pirja e alkoolit nuk është mëkat. Ai i quan tregtarët e pamëshirshëm të pijeve të falsifikuara përgjegjës për vdekjen e së bijës. “Ajo ishte një e re e lumtur, gjithmonë e gatshme për të qeshur dhe kishte mjaft të njohur. Më shumë se 100 të rinj erdhën në varrimin e saj, miq dhe të njohur. Unë mendoj se nëse çmimet e alkoolit do të ishin më të ulta, ajo nuk do të vdiste.” – thotë Shabani./dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close