Pas përplasjeve mbyllet mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Me përplasje të ashpra edhe sot është zhvilluar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shkak i kësaj përplasjeje ishte reagimi i anëtarit të KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi lidhur me anulimin e votave të diasporës. Mbledhjen e lëshoi anëtari i LDK-së, Sami Hamiti dhe më pas edhe ai i PDK-së, Arianit Elshani.

Edhe në këtë mbledhje e ashpër me reagimin e saj ishte kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka e cila iu drejtua Sami Kurteshit me fjalët “Boll” e “Mos bërtit”. Ndërsa, Kurteshi i kundërpërgjigj duke i thënë se tashmë mbledhjet e KQZ-së nuk do të jenë vetëm makina votimi.

Daka-Kurteshi: Boll bre Sami, nuk është në rregull ky nivel

“Është komplet e pamundur të procedohet në mbledhje dhe mbledhjet tona janë shndërruar në diçka që kurrë s’ka qenë duke e falënderuar së pari zotëri Kurteshin… Kurteshi: Kurteshi dhe Alim Rama kanë vendosur që mbledhjet e KQZ nuk do të jenë më makinë votimi. Fund, gjithçka do të diskutohet…Daka: Boll bre më Sami bre më se nuk është në rregull, nuk është në rregull sjelljet e juaja si anëtar I KQZ-së nuk janë në nivel… Kurteshi: Derisa na e ndërprenë çdo fjalë dhe ngriheni nga mbledhja ne nuk do të lejojmë dhe asnjë mbledhje nuk do të shkojë vetëm sa për të votuar… Daka: Nuk po votohet edhe na votojmë gjithkush qysh ka qejf edhe nuk mund ta impononi ju rrjedhën e mbledhjes ….Daka: Mos bërtit bre…Kurteshi: Sepse ju po bërtisni… Daka: Mos bërtit, o njeri!….Kurteshi: Unë bërtas sa bërtisni ju. Këtu po ju them se ka marrë fund ky monopol i veprimit si doni ju… Daka: Konsideroj se kjo mbledhje më nuk mund të vazhdojë dhe në momentin kur Sami Kurteshi fillon të sillet si njeri normal dhe si njeri i kulturuar vazhdojmë me mbledhje”, tha Daka.

Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi ka thënë se nuk po pajtohet që të anulohen të gjitha fletëvotimet në një zarf ku njëri nga votuesit nuk ka vendosur dokument identifikimi.

Kurteshi: Anulohet gjithë zarfi sepse njëri nuk e ka dërguar një dokument identifikimi

“Ka me qindra ose mijëra të tilla. Ne kemi kategori të tilla që dua t’i përmendi. Thotë votues që kanë dërguar dy herë. Çka është kjo, si është bërë klasifikimi? A është hequr njëri e njëri është lënë apo po dërgohen në prokurori apo çka do të ngjajë. Votues të paidentifikuar, votimi grupor. Ne nuk kemi ndonjë definicion të kësaj çështjeje. Kjo është futur këtu, nuk e di nga është marrë. Ajo çka kam dëgjuar unë nga Sekretariati dhe në QNR është nëse në një zarf qenkan 7, 8, 9, 10 fletëvotime që nuk mohohet se janë të një familje, sepse janë me një mbiemër mirëpo nga 10 fletëvotimeve njëri prej tyre nuk e kanë dërguar një dokument identifikimi, për arsye të ndryshme që as unë nuk i di, me gjasë as këta nuk i dinë, por nga ajo që kam dëgjuar thonë se të gjitha zarfet anulohet, sepse njëri s’e ka dërgua një dokument të identifikimit”, tha ai.

Arianit Elshani nga PDK, anëtar i KQZ-së, ka dhënë sqarime rreth kësaj çështjeje.

Elshani: Janë raste ku nuk dihet i kujt është fletëvotimi

“Ato janë raste të cilat personat nuk i kanë dërguar dy zarfe që duhet në atë të fshehtësisë dhe atë të ku vendoset letërnjoftimi. Një video ku e keni bërë edhe ju si LVV ato raste nuk refuzohen janë raste ku nuk e dini se fletëvotimi, i cili person është“, tha ai.

Kurteshi kërkoi që mos t’u mohohet vota votuesve të tjerë për dikë që nuk është identifikuar.

Kurteshi: Nga votimi grupor të hiqet vetëm njëri fletëvotim

“Fletëvotimet dy herë të klasifikohen dhe ato që kanë dërguar ose të dërgohen në Prokurori ose njëra t’iu eliminohen, dy votues të pa identifikueshëm, votimi grupor të hiqet vetëm njëri nga fletëvotimet mos të dënohen shtatë-tetë në mënyrë anonime… Nuk po e keni dert 10 t’i mohoni, nuk ka problem, por njërin nuk po mund ta largoni, se ai po vendoska… Daka: Si me ditë cili ka votuar për cilin?… Kurteshi: Ne hiq nuk e dimë se ai është një familje dhe njëri prej tyre në mënyrë rastësore e heqim pa e ditur për kë është votuar dhe për kë ka votuar edhe ajo është shumë më e lehtë“, u deklaruan Kurteshi dhe Daka.

Sami Hamiti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se janë vendosur disa rregulla për votim nga jashtë vendit dhe nuk është nevoja të hidhen dilema në procesin e votimit.

Hamiti: Nuk po e kam të qartë apo frikësoheni të merrni pushtetin

“Kemi vendosur që disa rregulla për votim jashtë vendit dhe nuk është e vërtetë që nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë në ueb faqen e KQZ-s në dhe ato i kemi aprovuar bashkërisht edhe tekstin se kur mund të votohet, kur mund t’i dërgojë, pse mund t’i dërgojë dhe kemi punuar mjaft gjatë për t’ua lehtësuar votimin jashtë vendit… Jemi në shpallje të rezultateve. Ju keni që fituar, a jeni të gatshëm të merrni pushtetin apo çfarë jeni duke bërë? Nuk e kam të qartë për besë, a po frikësoheni dhe histori as për Bizantin, mos na trego Sami Kurteshi, nuk ke nevojë se nuk je më fëmijë”, tha Hamiti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për përjashtimin nga rezultati dy vendvotime, njëri në Vushtrri e tjetri në Mitrovicën Veriore.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se deri te rekomandimi për përjashtim të këtyre dy vendvotimeve kanë ardhur pasi ka më shumë fletëvotime sesa nënshkrime.

Ahmetaj: Dy vendvotime nuk kanë mundur të procedohen të rregullta

“Edhe pas procesit të rinumërimit më tutje nuk kanë mundur të procedohen si të rregullta për shkak të tejkalimit të nivelit të tolerancës. Niveli i tolerancës është plus minus tre që nënkupton dallimin në mes nënshkrimeve dhe fletëvotimeve që tolerohet deri në tre, por nuk mund të tolerohet apo pranohet asnjë tolerancë tjetër më e madhe sesa tre. Kemi dy raste ku edhe pse këto dy vendvotime janë rinumëruar prapë se pra kanë përfunduar në auditim dhe nuk mund të kalojnë auditimin. Është fjala për një vendvotim në komunën e Vushtrrisë ku dhe pas procesit të verifikimit që është bërë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve rezultojnë se janë pesë fletëvotime më shumë sesa nënshkrime. Rasti tjetër është në komunën e Mitrovicës së Veriut, ku pothuajse është i njëjti rast, vetëm kemi 10 fletëvotime më shumë sesa nënshkrime. Të dyja këto fletëvotime nuk mund të procedohen si të rregullta në mënyrën se si janë. QNR ka bërë hetime pas procesit së rinumërimit dhe gjendja është si e përshkruar në raportin e QRN”, tha ai.

Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje ka kërkuar që për këto vendvotime duhet komisionarët të dërgohen në prokurori, kushdo që të jetë.

Kurteshi: Kërkoj që rastet të raportohen në prokurori

“Përveç rekomandimit që këto dy vendvotime të mos përfshihen unë kërkoj tash procedurë nuk e di se si do të ndiqet kërkoj që këto vendvotime komisionet të merren dhe të dërgohen në prokurori, si është e mundur që të futen më shumë fletëvotime sesa nënshkrime. A janë pesë, dy apo tre mendoj që duhet ulur tolerancën në zero, por jo papërgjegjësi të atyre personave që e kanë dërguar këtë në KQZ, kushdo që të jetë”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaroi se shkelësit e ligjit do të dërgohen në prokurori kompetente dhe do të përgjigjen për veprat penale ata që kanë votuar nga dy herë.

Daka: Edhe atë të vendvotimeve të rinumëruara duhet të dërgohen në Prokurori

“Jo vetëm ato dy (vendvotime), por edhe të tjerët, ku kutitë janë rinumëruar dhe ka pasur mos përputhje sidomos te kandidatët dërgohen në prokurori kompetente dhe pastaj përgjigjen për vepra penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe po ashtu edhe ata të cilët kanë votuar dy herë”, u shpreh Daka.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close