Nis testimi i uljes së avionëve në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit

ATSH/ Fluturimi i parë zyrtar në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit do të jetë pas një muaji.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndoqi sot nga afër testimin për mënyrën e uljes së avionëve në këtë aeroport.

“Jemi një muaj larg nga nisja e operimeve nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit. Fluturimi i parë do të kryhet pas një muaji. Ecuria e ritmit të punimeve ka qenë shumë e shpejtë“, deklaroi ministrja Balluku nga Kukësi.

Testi i parë, pra fluturimi për dizenjimin e procedurës së ulje-ngritjeve të avionëve apo emergjencave, pavarësisht erës së fortë rezultoi i suksesshëm dhe sipas ministres Balluku përgjatë këtyre ditëve do të ketë edhe teste të tjera për të siguruar një funksionim normal deri në fazën e certifikimit.

“Kemi hyrë në rrugëtimin drejt finalizimit të procesit. Ky është një nga shumë testet paraprake para se të hapet aeroporti. Testi rezultoi i suksesshëm”, tha Balluku.

Sipas saj, punimet kanë ecur edhe sa i përket terminalit të pasagjerëve. Janë kryer deri tani, bëri të ditur ajo, rreth 80% e vëllimit të punimeve.

Ministrja Balluku, po ashtu vuri në dukje se po punohet edhe për pjesën e rrethimit të territorit, sipas parametrave të sigurisë që një aeroport ndërkombëtar duhet të ketë, sipas aneksit të 17 të ICAO-s.

“Deri në ditën e certifikimit të aeroportit do të përmbushen kushtet e nevojshme për një aeroport ndërkombëtar, i dyti në territorin e Shqipërisë“, tha Balluku.

“Deri në fund të muajit besojmë se do të kapim afatet dhe të kemi rezultatin qe presim”, tha Altin Progonati, drejtori i aeroportit Kukës.

Nga ana tjetër, ministrja bëri të ditur se brenda pak ditësh do të kemi dhe rezultatet nga gara e aeroportit të Vlorës dhe do t’i jepet start negociimit të kontratës, duke nisur kështu punën për aeroportin e tretë ndërkombëtar në territorin e Shqipërisë.

“Para disa vitesh do të dukej ëndërr. Shpesh kemi folur për nevojën e aeroporteve të tjera në territor, por dukej një ëndërr e largët për tu realizuar. Ndërkohë vetëm në dy vitet e fundit ne dorëzojmë një aeroport të ri ndërkombëtar në vend dhe nisim punën për një aeroport të 3-të”, tha Balluku.

Balluku po ashtu bëri të ditur se brenda 4 vjeçarit të ardhshëm parashikohet edhe nisja e punimeve për dy aeroporte të tjera ndërkombëtare.

“Këto dy aeroporte, ai i Sarandës dhe Korçës do të akomodojnë vetëm nevojat turistike, duke përmbyllur kështu një strategji me 5 aeroporte në territorin e Shqipërisë, të ndara në mënyrë të barazvlefshme përsa i përket veriut, qendrës, jugut dhe lindjes”, tha Balluku.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close