Krasniqi:Nëse vazhdon rritja e infektimeve me Covid-19, ndërpriten shërbimet tjera
Në tre ditët e fundit numri i personave të infektuar me koronavirus është rritur për 15 për qind. Kosova ende nuk e ka një spital për personat e infektuar me koronavirus.
Kjo ka bërë që çdo rritje e numrit të infektuarve ta zë vendin e një pacienti me ndonjë sëmundje tjetër.
Kështu tha për Radio Kosovën Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Megjithatë ai shtoi se tani për tani janë duke i menaxhuar rastet, ndonëse ka rritje të kërkesave për hospitalizim.
‘’Po vërehet një rritje e numrit të pacientëve që po kërkojnë hospitalizim derisa gjatë muajve të kaluar kishim një situatë relativisht të qetë, e që ishin rreth 500 pacientë të shtrirë. Javën e fundit ka rritje. Brenda tri ditëve të fundit janë 81 pacientë më shumë.
Sot janë 581 pacientë të shtrirë në 7 spitale të përgjithshme dhe në klinikat covid brenda QKUK-së e që është rreth 15 për qind më shumë’’, tha Krasniqi.
Ai shtoi se nëse do të vazhdojë rritja e numrit të rasteve që kërkojnë hospitalizim, do të detyrohen ti ndërprenë shërbimet tjera dhe ti mbajmë vetëm shërbimet emergjente.
Sa i përket barnave dhe materialit shpenzuar, Krasniqi tha se janë mirë të furnizuar, përveç ilaçit ‘Remdesivir’, që pacientët po e blejnë vetë.
‘’Gjatë këtyre muajve kemi arritur ta stabilizojmë furnizimin me barna dhe material shpenzues për trajtimin e këtyre rasteve derisa ende mungon ilaçi ‘Remdesivir’. Ne kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të na furnizojë me këtë ilaç. Ndërkaq të tjera barnat i kemi dhe kemi furnizim të qëndrueshëm, edhe për tre deri në katër muajt e ardhshëm’’, tha ai.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, zëdhënësi Faik Hoti tha se ‘’ Lënda e tenderit për ‘Remdesivir’ është në Organin Shqyrtues dhe pritet qe këtyre ditëve të ketë një rekomandim për MSH-në, për më tutje, me gjasë për ta konfirmuar arsyeshmërinë e anulimit të tenderit’’, tha ai.
Sidoqoftë Krasniqi ka folur tutje edhe për furnizimin me oksigjen, e që pjesa dërmuese e pacientëve me Covid-19, janë duke u trajtuar me te.
‘’Edhe furnizimi me oksigjen është stabilizuar. Ne kemi arritur që ta ndërrojmë rrënjësisht mënyrën e furnizimit nga bocat e oksigjenit në furnizim me oksigjen të lëngët përmes instalimit. Këto janë instaluar në spitalin e Gjilanit, Prizrenit, Pejës, Gjakovës e Mitrovicës, derisa spitali i Vushtrrisë dhe Ferizajt kanë mbetur të rregullohen’’, tha Krasniqi.
Aktualisht brenda QKUK- së pacientët me Covid janë të shtrirë në klinikën infektive, mjekësinë sportive, klinikën e pulmologjisë , interno e mjekimin intensiv.
Comments are closed.