Stërvitja “Defender Europe 2021”/Ministri Peleshi: Rikonfirmim i partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA

ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh sot se, miratimi i pr.ligjit për stërvitjen “Defender Europe 2021” është rikonfirmim i qartë i partneritetit strategjik që ekziston ndërmjet vendit tonë dhe SHBA-ve.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, Peleshi theksoi se, ky projektligj, do të kontribuojë në dobi të fuqizimit të sigurisë kombëtare të vendit tonë dhe forcimin e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.

Sipas tij, projektligji “Per zhvillimin dhe pjesëmarrjen e forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit te Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate në stërvitjen e përbashkët “DEFENDER EUROPE 21”, ka të bëjë me një ndër stërvitjet ushtarake më të mëdha që janë zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë.

“Stërvitja “Defender Europe 21” zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit me palën amerikane dhe është në vazhdën e partneritetit të fortë strategjik që vendi ynë ka me SHBA-në, në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë (USAEUR) do të drejtojë paketën e stërvitjeve të koduar “Defender Europe 21” dhe pjesë e kësaj pakete do të jetë pjesëmarrja e forcave të vendeve aleate dhe partnere, si: Kanadaja, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Britania e Madhe, Çekia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia, Turqia etj”, – tha Peleshi.

Qëllimi i pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë stërvitje do të jetë demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura për të pritur, koordinuar dhe për t’u stërvitur e trajnuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s, në aktivitete/operacione të përbashkëta, në një ambient operacional kompleks.

“Kryefjala jonë për këtë stërvitje do të jetë “Gatishmëri, ndërveprueshmëri dhe operacionalitet” me forcat aleate, siç bëjmë prej dekadash tashmë në operacione dhe misione të NATO-s, BE, OKB, etj. Gjithashtu, me zhvillimin e kësaj stërvitje, synohet të testohen procedurat kombëtare në koordinimin me autoritetet e tjera të vendit për përdorimin e aeroporteve, porteve, hapësirës ajrore dhe detare, procedurat për kalim transit në territorin e vendit tonë, si dhe procedurat tona kombëtare si Vend Pritës (Host Nation)”- u shpreh ministri.

Për këtë qëllim, beri të ditur Peleshi, para disa javësh patëm kënaqësinë të mirëprisnim Gjeneral Jarrard dhe angazhoheshim me aktorët kryesorë në vend në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Dhe javën që vjen, një tjetër zyrtar ushtarak i lartë amerikan, Gjenerali Mohan, do zhvillojë një rikonicion mbi masat dhe përgatitjet në proces për mbajtjen e stërvitjes. Është mëse evidente investimi dhe fokusi amerikan në këtë aktivitet, ku Shqipëria përbën një pjesë qendrore.

“Zhvillimi i stërvitjes dhe pjesëmarrja e një numri të madh trupash ushtarake në këtë stërvitje, do të rrisin bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Duke realizuar me sukses angazhimet e marra përsipër në këtë projektligj, vendi ynë tregon se është i aftë të bashkëpunojë, mirëpresë dhe zhvillojë stërvitje të rëndësishme dhe me numër të madh trupash dhe mjetesh“- theksoi ai.

Sipas tij, disa dimensione kryesore të këtij angazhimi janë: disa stërvitje me tematikë më të kufizuar dhe periudha kohore të ndryshme. Forcat Ushtarake të Republikës së Shqipërisë do të marrin pjesë me 1 mijë efektivë në komponentë të ndryshëm të stërvitjes si: stërvitjen “Immediate Response 21” (17 maj- 2 qershor); stërvitjen “Saber Guardian 21” (16 maj – 10 qershor) dhe në stërvitjen “Astral Knight 21” (13 maj – 21 maj).

Komponent i rëndësishëm i këtyre stërvitjeve, do të jenë mjetet ajrore dhe detare, teknika dhe sistemet e armatimit që do të përdoren, ku ndër më kryesoret përmendim: 6 sisteme raketash “Patriot”. 25 mjete fluturuese: (10 avionë F15, 2 avionë F16, 2 avionë F35, 3 avionë tip KC-135,për furnizim në ajër, 7 helikopterë për kërkim-shpëtim, 1 avion patrullimi C-130, 12 helikopterë shumërolësh dhe MEDEVAC) 1000 automjete të ndryshme (jo luftimi) transporti mallrash, personeli dhe mjete xheniere; 10 mjete detare.

Ndërkohë, pjesëmarrja e FARSH-it në këtë paketë stërvitjesh ndikon në rritjen e aftësive operacionale të trupave tanë, veçanërisht të disa prej njësive dhe reparteve tona të deklaruara në NATO. Mbajtja e kësaj stërvitje në vendin tonë është e një rëndësie strategjike. Ndërveprueshmëria, integrimi i strukturave tona dhe zhvillimi i aktivitetit të përbashkët stërvitor do të përcjellë mesazhe të shumëfishta me impakt strategjik në fushën e bashkëpunimit, sigurisë dhe mbrojtjes.

“Përzgjedhja e Shqipërisë për zhvillimin e kësaj stërvitje, së bashku me disa vende, do të sigurojë vizibilitet të konsiderueshëm dhe besueshmëri për vendin tonë, jo vetëm në kuadër të Aleancës por edhe në kuadrin rajonal. Me shumë rëndësi do të jetë mesazhi që do të përcjellë kjo stërvitje për vendet e lëkundura të rajonit tonë, apo dhe vendet që kanë axhenda dhe interesa të ndryshëm nga ato në të cilat beson dhe është i orientuar vendi ynë dhe rajoni, “Në Orientimin Euro-Atlantik”. Shqipëria dhe njëherë tregon qartësisht Rolin Thelbësor që luan dhe do vijojë të luajë për të mbajtur sa më larg rivalët tanë nga rajoni Ballkanit, të pozicionuar pa ekuivok në “Hapësirën Perëndimore”- deklaroi Peleshi.

Në aspektin kombëtar, theksoi ai, mbajtja e stërvitjes “Defender Europe 21” në vendin tonë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vlerave të Forcave tona të Armatosura në komunitet. Kjo stërvitje do të shërbejë edhe si “promovimi” më i mirë për FARSH-in, duke dëshmuar edhe një herë se ushtarakët tanë janë pjesa më vitale e shoqërisë. Kjo është faktuar vazhdimisht, në çdo kohë, në çdo moment, sidomos në ato të këqija, siç ndodh gjatë përmbytjeve, tërmeteve, zjarreve dhe së fundmi dhe në këtë pandemi, ku FA pritet të luajë një rol dhe në planin kombëtar të vaksinimit.

“Shpalosja e aftësive ndërvepruese dhe bashkëpunuese ndërmjet FARSH-it dhe trupave aleate, si dhe demonstrimi i kapaciteteve operacionale të FARSH-it, do të ndihmojnë të rinjtë tanë në orientimin e tyre në karrierë si dhe do të shërbejë si nxitje për bërjen e tyre pjesë të Forcave të Armatosura. Stërvitja Defender Europe, ndër të tjerash, do shërbejë dhe si një shtysë për vijimin e modernizimit të gjithanshëm të Forcave Armatosura, një proces i pandalshëm, në frymën e “Zotimit të Investimeve të Mbrojtjes”.

Në gjithë këtë aktivitet shumë-dimensionalësh, ne do tregojmë një kujdes të veçantë për ambientin dhe mjedisin në afërsi të vendeve stërvitore, ku parësor mbetet bashkëpunimi me autoritetet dhe komunitetet lokale. Nga ana tjetër, marrë në konsideratë situatën e pandemisë, FA në koordinim të plotë me palën amerikane do kenë pjesë të skenarit dhe aspektet e masave dhe mbrojtjes nga COVID-19, në përputhje me direktivat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe legjislacionin dhe rregullat”- deklaroi ministri Peleshi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close