Grindje publike midis SHBA-së dhe Kinës

Diplomatët amerikanë dhe kinezë u përplasën rëndë me njëri-tjetrin në bisedimet e para të nivelit të lartë, prejse presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën më 20 janar.

Zyrtarët kinezë e akuzuan SHBA-në për nxitjen e vendeve të tjera “për të sulmuar Kinën”, ndërsa SHBA-ja tha se Kina synon “ta madhërojë” veten.

Takimi u zhvillua në Ankorixh të Alaskës. Fjalët e hapjes para gazetarëve, që zakonisht zgjasin për disa minuta, zgjatën për më shumë se një orë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kinës “kërcënojnë rendin e bazuar në rregulla, i cili ruan qëndrueshmërinë globale”.

Ai tha se SHBA-ja do t’i diskutojë shqetësimet e saj të thella për veprimet e Kinës edhe në Ksinjiang. Uashingtoni e akuzoi Pekinin për “gjenocid” kundër ujgurëve myslimanë në këtë rajon.

Blinken tha se SHBA-ja do të diskutojë edhe për Hong Kongun, Tajvanin, sulmet kibernetike dhe detyrimin ekonomik të Kinës ndaj aleatëve amerikanë.

Kina, e përfaqësuar nga zyrtari i lartë i Partisë Komuniste, Yang Jiechi, dhe ministri i Jashtëm, Wang Yi, u përgjigj me zemërim, duke thënë se kundërshton fuqishëm ndërhyrjen e SHBA-së në punët e saj të brendshme.

“Ne kemi shprehur kundërshtimin tonë të vendosur ndaj ndërhyrjeve të tilla dhe, në përgjigje, do të ndërmarrim veprime të prera”, paralajmëroi Yang.

Ai po ashtu tha se SHBA-ja ka dështuar të merret me problemet e saj me të drejtat e njeriut.

Wang i kritikoi sanksionet e fundit amerikane kundër zyrtarëve të lartë kinezë – të shpallura në prag të bisedimeve – për, siç tha Uashingtoni, shkeljen e lirive në Hong Kong.

Ai gjithashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara për përdorimin e ndikimit të tyre ushtarak dhe financiar, “për të shtypur vendet e tjera”.

“SHBA-ja abuzon me të ashtuquajturat nocione të sigurisë kombëtare, për të penguar shkëmbimet normale tregtare dhe për t’i nxitur disa vende që të sulmojnë Kinën”, tha Wang.

Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, i cili shoqëroi Blinkenin, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Kinën dhe mirëpresin “konkurrencën e ashpër”, por shtoi se Uashingtoni do të ngrihet për parimet dhe miqtë e tij.

Yang i bëri thirrje atij që “të braktisë mentalitetin e Luftës së Ftohtë” dhe tha se as Pekini nuk dëshiron “asnjë konfrontim, asnjë konflikt”.

Pas shkëmbimit, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Kina ka “shkelur” protokollin për të cilin është rënë dakord.

“Delegacioni kinez duket se ka ardhur me qëllim për të madhëruar veten, duke u përqendruar në teatro publike dhe dramaturgji, e jo në përmbajtje”, tha zyrtari, për të shtuar se SHBA-ja do të vazhdojë me takimin siç është planifikuar.

Sipas mediave shtetërore në Kinë, delegacioni i Kinës tha se zyrtarët amerikanë kanë folur shumë gjatë dhe së nuk kanë qenë mikpritës.

Marrëdhëniet midis dy superfuqive janë të tensionuara prej vitesh. Problemet mes tyre kanë të bëjnë me politikat tregtare, ndërhyrjet kibernetike, të drejtat e njeriut e të tjera.

Blinken, i cili sapo ka vizituar Japoninë dhe Korenë e Jugut, dy aleatë të rëndësishëm të SHBA-së në rajonin e Azi-Paqësorit, tha se Kina përfaqëson “provën më të madhe gjeopolitike të Amerikës në shekullin 21”.

Por, Uashingtoni ka thënë më herët se është i gatshëm të punojë me Kinën kur është në interes të tij dhe ka përmendur si shembuj politikat e ndryshimit të klimës dhe pandeminë e koronavirusit./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close