NATO konfirmon unitetin përballë “agresionit rus”

Ministrat e Jashtëm të NATO-s u zotuan se aleanca perëndimore do të vazhdojë të përshtatet përballë “kërcënimeve në rritje dhe konkurrencës sistematike”, ndërsa theksuan se “veprimet agresive të Rusisë përbëjnë kërcënim për sigurinë euro-atlantike”.

“Fuqitë kategorike dhe autoritare, si dhe aktorët joshtetërorë sfidojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ashtu si edhe kërcënimet hibride dhe kibernetike, përdorimi keqdashës i teknologjive të reja, si dhe kërcënimet e tjera asimetrike”, thanë ministrat në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të martën, pas ditës së parë të bisedimeve në Bruksel.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po merr pjesë në mbledhjen dyditore të NATO-s, tha më herët se rritja ushtarake e Kinës dhe përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar Perëndimin janë kërcënime që kërkojnë bashkimin e NATO-s.

Në deklaratën e tyre, ministrat e NATO-s e riafirmuan “lidhjen e qëndrueshme transatlantike midis Evropës dhe Amerikës së Veriut – me NATO-n në zemër të saj”.

Ministrat po ashtu shprehën mbështetje për Nenin 5 të Traktatit themelues të NATO-s, sipas të cilit, sulmi kundër një aleati konsiderohet sulm kundër të gjithë atyre.

Në udhëtimin e tij të parë në Bruksel si sekretar shteti, Blinken po ashtu u zotua se Uashingtoni do të punojë për të rindërtuar dhe forcuar NATO-n.

“Shtetet e Bashkuara duan ta rindërtojnë partneritetin tonë… Ne duam ta ringjallim aleancën”, u tha Blinken gazetarëve, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Blinken do të takojë edhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për të biseduar rreth rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 dhe forcimit të demokracisë.

Udhëtimi i tij në Evropë, sipas vëzhguesve, synon të nxjerrë në dukje politikën e re të jashtme amerikane, pas administratës së ish-presidentit Donald Trump.

Qasja e Trumpit ka qenë “Amerika e para” dhe aleatët tradicionalë i ka trajtuar shpesh si rivalë dhe jo partnerë.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, është zotuar se do t’i riparojë marrëdhëniet transatlantike.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close