94 vjet më parë u nda nga jeta kolosi i Shqiptarisë Idriz Seferi

Idriz Seferi u lind më 14 mars të vitit 1847 në Mertur të Pukës “APRRIPË GURI” nga babai Isufi dhe nëna Kadishja apo (Kaja) dhe ishte fëmija i tyre i parë. Ai u rritë në një familje me tradita atdhetare dhe jetoi në Sefer të Karadakut. Ishte bashkëluftëtar dhe prijës i tri gjeneratave luftëtarësh të viseve liridashëse e
luftarake të Malësisë së Karadakut, të Moravës, të Gollakut dhe të Vardarit.
Që në moshën 13 vjeçare ai luftoi kundër çetave terroriste serbe e bullgare, ndaj qëllimeve të të cilave nuk mund të pajtohej në asnjë mënyrë. Kundërshtoi dhe luftoi autoritetet lokale osmane dhe, si krah i fuqishëm në vijën e parë të rrezikut, u tregua mjaft aktiv në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjes Shqiptare të Pejës.
Idriz Seferi në korrik të vitit 1907 mori pjesë në asgjësimin e çetës komite serbe të Pasjanit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizmin dhe mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt gjatë korrikut të vitit 1908, i cili rezultoi me ngadhënjimin e Revolucionit Xhonturk. Pas këtij Revolucioni, Idriz Seferi dha ndihmesë të çmuar në emancipimin kombëtar të arsimit dhe shkollës shqipe kudo në vise të tjera të Vilajetit të Kosovës.
Politika demagogjike, obskurantiste dhe reaksionare xhonturke, në kauzalitetin e situatës dhe rrethanave nëpër të cilat po kalonin shqiptarët, diktonte në esencë nevojën e autonomisë territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Ky program u proklamua jo si doktrinë e vetme e platformës së Rilindjes, por si komponentë e përkohshme dhe e hartuar në simetri me aktualitetin e përgjithshëm shqiptar, ballkanik e më gjerë.
Për realizimin e kësaj platforme politike kombëtare, Idriz Seferi jo rastësisht u gjend në krye të
udhëheqjes popullore në kryengritjet kundërosmane të viteve 1910 dhe 1912. Në aktivitetin e tij patriotik spikat veçanërisht Beteja e Kaçanikut në Kryengritjen e vitit 1910, ku dolën në pah cilësitë e rralla të karakterit të tij dhe aftësitë drejtuese luftarake, kurse në Kryengritjen e vitit 1912 ishte ndër drejtuesit kryesorë. Në Luftën e Parë Ballkanike, së bashku me vullnetarët e tij, Idriz Seferi luftoi heroikisht në mbrojtje të trupit të atdheut.
Pas Pavarësisë së Shqipërisë në kufij të cunguar, ndonëse ishte në moshë të shtyrë, ai nuk pushoi së rezistuari e luftuari pushtuesit serbë e bullgarë. Në ditët e fundit të jetës, Idriz Seferi do të shprehej: “Nuk paska ma vështirë për burrin se sa me vdekë në shtëpi”. Kështu, drejtuesi dhe strategu i kryengritjeve për liri dhe pavarësi kombëtare, ndërroi jetë në moshën 80 vjeçare, më 25 mars të vitit 1927, në fshatin Zhegër, ku edhe u varros.
/Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close