Intensifikim përpjekjesh për takimin Kurti-Vuçiq

I ngarkuari i BE për dialogun, Miroslav Lajçak thotë se shpejt mund të ketë takim ndërmjet Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit. Beogradi reagoi ashpër pas deklaratave të Kurtit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi një bisedë telefonike me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak, duke i premtuar atij bashkëpunim në të ardhmen. Vetë Kurti shkroi në Twitter për telefonatën, por nuk shpalosi detaje tjera. ”Sot më erdhi një telefonatë nga Miroslav Lajcak i cili më përgëzoi për postin tim të ri si Kryeministër, duke i uruar qeverisë sonë sukses. Presim bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, shkroi Kurti.

Lajçak: Kam garanci për dialogun

Kërkesa e vazhdueshme e Lajçakut drejtuar kryeministrit të ri kosovar është vazhdimi i dialogut me Serbinë, ndonëse Albin Kurti ka thënë se nuk i shmanget dialogut me Serbinë, por nuk e ka ndër prioritet e para të qeverisjes së tij. Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq pritet të ndodhë brenda disa javësh, ka thënë Lajçak. “Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova ashtu siç jemi marrë vesh edhe me Albin Kurtin duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel për t’u takuar me presidentin Aleksandar Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet”, ka thënë Lajqak.

I ngarkuari i BE-së për dialogun ka qenë i inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd ku, siç shprehet ai, “ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun”. “Gjatë qëndrimit tim të fundit në Prishtinë dhe Beograd, partnerët më kanë konfirmuar se e dinë mirë rëndësinë e dialogut dhe se janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë proces. Natyrisht se dialogu është jo vetëm proces i normalizimit të marrëdhënieve, por edhe platformë ku zgjidhen edhe problemet tjera”, thotë Lajçak.

Kurti refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Ndër kërkesat që vazhdimisht Serbia ka përcjellë për autoritetet e BE-së dhe ato të Kosovës është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas pikëpamjes së Beogradit ky asociacion ka kompetenca ekzekutive. Por kjo është  e papranueshme për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që refuzon për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive. “Neni 44 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e asociimit, por nuk ka nevojë të negociohet për diçka që ne e kemi të garantuar me Kushtetutë. Nuk mund të kemi Asociacion një-etnik, mund të jetë karakteri i Asociacionit të komunave, por jo një-etnik, e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të shpallur më 25 dhjetor të vitit 2015.” Këtë deklaratë  kryeministri i Kosovës e shprehu në një diskutim për dialogun, të organizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur.

Pas kësaj ishte i menjëhershëm reagimi i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq. “Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq lidhur me deklarimet e Prishtinës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, u shpreh Vuçiq. “Edhe sot, kur ata na kërcënojnë me formimin e “Shqipërisë së Madhe ” dhe thonë se nuk ka asgjë nga Asociacioni i Komunave Serbe, ne po themi që ne nuk jemi aq të dobët sa kemi qenë”, citojnë mediet në Serbi, Vuçiqin duke shtuar se Prishtina nuk duhet të kërcënojë. “Thjesht u kërkoj atyre që të mos na kërcënojnë dhe të mos mendojnë se Serbia është thyer dhe se nuk do të dijë si të përgjigjet”, ka thënë Vuçiq.

Fund i dialogut?

Reagime ka pasur edhe nga ambasadori serb në Uashington dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi përfundimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës me deklaratat se nuk dëshiron as ta diskutojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. “Albin Kurti po bën kërdi në rajon në ditët e para të tij në detyrë. Ai as nuk dëshiron të diskutojë mbi formimin e Asociacionit të komunave serbe, një detyrim ligjërisht obligativ i Kosovës, i nënshkruar, ratifikuar dhe i garantuar ndërkombëtarisht, Kurti ka njoftuar në fakt përfundimin e dialogut në mënyrën më të egër”, shkroi në Twitter Gjuriq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht e ka përsëritur se sa i përket dialogut me Serbinë ai nuk i shmanget atij, por, fillimisht dëshiron të dialogojë me serbët e Kosovës dhe më pas me Beogradin. Analisti politik, Blerim Burjani është i mendimit, se kjo formë e dialogut mund të zgjats marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. “Dialogu i brendshëm me pakicën serbe e vonon zgjidhjen. Kurti duhet të pranojë se normalizimi i raporteve është prioritet, sepse i përket paqes, stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar e paqja e qëndrueshme gjithmonë është prioritet ndërkombëtar, andaj ikja nga prioriteti ndërkombëtar i këtij rendi botëror nuk është e dobishme dhe i bën dëme këtij rendi”, thotë për DW Blerim Burjani.

Nga komuniteti ndërkombëtar vijnë thirrje të qarta për kryeministrin e Kosovës për angazhim në dialogun me Serbinë. Kërkesa e fundit ishte nga debati në Parlamentin Evropian ku i miratua raporti për Kosovën i raportueses Viola von Cramon, ku ndër të tjera qeverisë së re të Kosovës i bëhet thirrje që të angazhohet në dialog me Serbinë. “Qeveria e re duhet të angazhohet për dialogun. Kemi parë në javët dhe muajt e kaluar që është bërë progres dhe do të donim që ky proces të vazhdojë në javët dhe muajt në vijim. Dialogu është parakusht për rrugën drejt BE-së”, tha Viola von Cramon./dw

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close