MAKSIMA POETIKE NË VARGJET E LEFTER ÇIPËS

“O erë e shpirtit të hollë…”
Maksimat janë thënie me vlerë të madhe. Në poezi ato marrin kuptime të gjera. Janë koncentrate figurative, të cilat japin hapësira mendimi e ndjenje. Poezitë e poetëve të shquar janë shumë të pasura me shprehje të tilla. Ato grupojnë vargje me një densitet mendimi të habitshëm.
Edhe te poeti popullor Lefter Çipa ka shumë maksima të tilla. Vargjet e tij herë-herë marrin formën e aforizmave, ku ndrit lirika e tij karakteristike. I përqas dukuritë njerëzore me objektet e natyrës përreth, apo me ato kozmike. Kështu fjala e mençur merr përmasa edhe më të gjera. Ato janë sentenca të vërteta që shkëlqejnë më shumë se një mendim i thjeshtë. Ndritin si fjalë të urta, duke nënvizuar dukuri nga jeta e individëve, e kolektiviteteve, e popullit, etj. Japin aspekte edhe nga përvojat njerëzore, nga historia, punët e dertet e njeriut në jetë.
Po marrim disa prej tyre:
Kur do të shpjegojë përvojën në njohjen e dy të rinjve që duan të lidhin jetën, mendimin praktik për domosdoshmërinë e një kohe relativisht të gjatë për këtë njohje, poeti e shpreh me një vezullim të këndshëm lirik:
Edhe rrushi që të piqet
Kërkon një behar të tërë,
Pa le dy zemra që lidhen
Duan një vit e ca hënë.
Ja mrekullia e poezisë: objektet e natyrës- rrushi, behari, viti, hëna, shprehin domosdoshmërinë e kohëzgjatjes së njohjes së dy të rinjve për lidhjen e jetës. Imazhet sjellin lirikë e romantikë.
Liria duaj betejë
Dhe beteja duaj trima! –
thotë në një vjershë tjetër, për epopenë e çlirimit. Kjo maksimë është ndër të rrallat për mendimin e poetikën e shprehjes dhe kumbimin e mesazhit.
Për epopetë e lirisë autori ndrit edhe vargje të tjera. Vajzat partizane, të cilat ranë në fushën e betejës, ai i cilëson:
Mbrujtur-ë me idealë,
Gjaku i tyre u bë dritë.
… Se heronjtë e lirisë
Me barut luftojnë e rrojnë.
Të tilla mesazhe flladitin qiejt e ndërgjegjes së brezave. Lidhjen e pushkës me penën, këto dy emblema të Rilindësve, poeti e cilëson prekshëm:
Dhe pena, po s’ pati pushkë,
Mbetet penë vajtimtare…
Vashëria e kësaj toke ndrit:
Dielli i kësaj toke
O vasha, u ka për shoqe.
“Dritat brenda gjakut qenë”-
flladit sërish.
O ju djem prej trimërisë
Ishit jastëkë të lirisë.
Me mjetin e thjeshtë: “jastëkë”, ku mbështet kokën njeriu. Ashtu edhe djemtë për idealin e lartë: lirinë e vendit. Pra, heroizmi i tyre është “flori mbi jastëkë lirie”. Lefter Çipa është mjeshtër i gjetjes dhe përdorimit të detajeve të tilla, sa të thjeshta, aq edhe shkëlqimtare. Detajet i gjen në mjedisin përreth, në familje, në fshat, në mal. Shpesh u jep imazh kozmik, duke përdorur elementë qiellorë.
Ka maksima për punën, si mënyrë ekzistenciale e njeriut, dhe , lidhur me ‘të, edhe për djersën, si një ndriçim fosforeshent i kuptimit të jetës:
Nga puna rritet kalliri.
Duket si e njohur, por metafora është e beftë. “Kalliri” këtu përgjithëson, d.m.th. çdo fushë e jetës së njeriut ndrit nga puna e njeriut. Është nocion filozofik.
Kush për vendin ka punuar,
Pishën ndezur ka te varri.
Pra, ka mirënjohjen e të gjallëve, nderimin e pavdekësinë. Dhe më poshtë:
O vreshtar, na u poq vreshta,
Vera e ëmbël del nga djersa.
“Djersën” e përdor shumë herë, a thua se është një personazh. Ajo i çel njeriut lulet e lumturisë. Poeti shkërmoq në të tjera vargje pikime nga qielli, nga makro-trupat e tij, si diellin, hënën, yjet. Pluhuri poetik i këtyre objekteve bie në ndërgjegjet e njerëzve. Maksimat janë të shumta, diku si zeje argjendi, diku tjetër si grimca apo shufra floriri.
Gjaku i zemrës s’ ka të fjetur,
Drita e diellit s’ ka të mekur…
Nuk jetoj nga buka,
Kam jetë nga shpirti.
Secila prej këtyre maksimave mund të jetë titull për ese e meditime të ndezura emocionalisht. Diku gjetkë ai flet për djalin, të cilit nuk i ka shkrepur fati në jetë, nga mos-gjetja e dashurisë, apo nga largësia e kurbetit. Dhe djali është:
“Guri që shkërmoq dëshpërime”!
Maksimat janë një apo dy-vargëshe, apo më gjatë- një grup vargjesh. Në to sundon metafora si dhe figura të tjera, në pleksje kuptimore me njëra-tjetrën.
“Ecën mbi lule të njoma”- thotë për vashën që i ngjitet malit për të takuar djalin që ajo do. Bukuri fine: vasha- lule- mbi lulet e njoma! Dhe vargu fluturon në një metaforë tjetër, shumë lëbyrëse:
O erë e shpirtit të hollë …
Poeti pëshpërit më habi e ëndje, i ekzaltuar nga bukuria e natyrës, e dashurisë, e punëve dhe pamjeve të ndryshme të jetës.
Vargu i gjatë, dy-pjesësh, jep më shumë kadencë melodike, lirikë e meditim:
Deti- valë me shkumë, vera sjell behare,
Dashuria e shumtë zotin ngre në valle.
Tallazet e vargjeve dhe tallazet e detit. Zemra e poetit është e mbrujtur me materie kënge. Ndaj ai mejton:
Do ta tier shpirtin
për shpirtin e këngës.
“Tjerrja” është fjalë e zejit të hershëm të nënave e gjysheve tona. Ato tirrnin hollë leshin e deles a të dhisë, e bënin fill, në furkë.”Tier shpirtin” thotë Lefteri, duke shkaktuar kështu një kënaqësi estetike të madhe, për ngjashmërinë e saktësinë e figurës.
Më pas ai krijon një distik figurativ fantastik:
… Në flokët e tua tëndë
Dimëron një fshat i tërë.
Bukuria e vashës është aq e madhe, sa që tek ajo e ka mejtimin i gjithë fshati. Pra, ”dimëron” atje, në flokët që vajza i ka si tenda e bagëtive në verë… Ndoshta këtu autori është i ndikuar nga figurativiteti i këngëve të folklorit, por i përdor ato me përvetësim krijues, origjinal. Të tilla gjetje të kujtojnë ato- klasiket e bukurisë, Helenën e Trojës, apo Hankon tonë “të varreve”, që , me bukurinë e saj, ngjallte të vdekurit !
Frymëzimi patriotik tek poeti merr rrezen e diellit, prandaj:
Dielli që shkon kaluar
E ka për fron këtë tokë…/

/Idajet Jahaj

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close