Mirëpritet pushimi pranveror për nxënësit

Pushimi pranveror për të gjitha nivelet e arsimit para universitar është mirëpritur nga përfaqësuesit e prindërve, DKA-ve dhe mësimdhënësve, ndërkohë që njohës të arsimit thonë se pavarësisht që një pushim i tillë është i nevojshëm për nxënësit prapëseprapë shkakton ngecje në arritjen e përmbushjes së plan programit për këtë vit akademik.

Ministria e Arsimit konfirmoi lajmin e djeshëm se shkollat nga java e ardhshme do të shkojnë në pushim njëjavor, e duke qenë se për javën e ardhshme sipas kalendarit mësimor e hëna dhe e premtja do të jenë ditë feste zyrtare, për shkak të Pashkëve Katolikedhe Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i bie të humbasin vetëm tri ditë pune.

Gjithsej, nxënësit do të duhet të kompensojnë shtatë ditë mësimi. Katër ditë në bazë të vendimit të 17 dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa tri ditë në bazë të vendimit të sotëm.

Ministria e Arsimit sqaron se pesë ditë mësimi do të zëvendësohen në fund të vitit shkollor, ndërsa dy ditë të tjera të mësimit i takon komunave që të përcaktojnë ditët e shtuna për mbajtjen e mësimit.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës Ymret Reshiti, thotë se e kanë përkrahur idenë e pushimit pranveror edhe për shkak se kanë marrë garancinë se ditët e humbura do të zëvendësohen.

“Këshilli i Prindërve ka pasur takim dje me ministren e Arsimit, pasi ka dhënë garanci që 7 ditë të humbura nga pushimi dimëror të zëvendësohen atëherë është pajtuar që të ketë tri ditë të pushimit pranveror, nga data 6, 7 dhe 8 (prill). Më duhet të sqaroj për opinionin se me datën 5 prill dhe 9 prill janë dy ditë festa shtetërore. E kuptoj mësimin në kushte pandemie dhe për momentin sa më gjatë që është prezenca fizike e nxënësve në shkolla ne jemi të kënaqur për këtë cilësi të cilën e arrijnë sepse dikton kushtet e pandemisë”, thotë ai.

Besim Avdimetaj, kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, thotë se ky pushim është i mirëseardhur dhe do t’iu ndihmojë atyre që të bëjnë dezinfektimin e objekteve shkollore.

Ai thotë se si DKA kanë rënë dakord që të gjitha ditët e humbura gjatë këtij viti të zëvendësohen.

“Të gjithë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuar në Kosovë por edhe në shkolla u dakorduam që java e ardhshme të jetë pushim për të gjitha shkollat e Kosovës dhe ditët e humbura të asaj jave do të thotë tri ditë do të kompensohen në vazhdimësi gjatë vitit mësimor. Do të kompensohen varësisht nga komuna apo Drejtoria Komunale që sigurisht do të jenë ditë e shtune apo ndonjë ditë për nivelin e mesëm në fund të vitit shkollor që nxënësit do të përgatiten për testin e maturës”, thotë ai.

Pushimin pranveror e kanë mirëpritur edhe komuniteti i mësimdhënësve. Ymer Ymeri nga SBASHK-u, thotë se edhe nxënësit por edhe mësimdhënësit kanë pasur nevojë për këtë pushim, e që thotë se është në të mirë të shëndetit të të dy palëve.

“Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”, thotë ai.

Ndonëse, pushimin njëjavor e quan të nevojshëm për nxënësit, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se është shqetësuese se do të ketë sërish humbje të ditëve të mësimit.

“A është i mirëpritur pushimi për nxënësit? Vlerësoj që po, pasi që ka qenë një periudhë e vështirë edhe emocionale por edhe në proces të mësimdhënies për ta. Shpresoj që këto pak ditë pushimi të shfrytëzohen që nxënësit tanë të rimarrin vetën, po edhe mësimdhënësit të mbushin energjinë për rikthim për periudhën e mbetur të këtij procesi mësimor”, thotë Qehaja.

Ai nuk beson që do të ketë kushte për zëvendësimin e ditëve të humbura, duke thënë se një gjë e tillë nuk është arritur të bëhet edhe në vitet e kaluara.

“Ajo çka është shqetësuese për neve është që këto ditë përsëri na paraqesin humbje nga orari shkollor dhe si e tillë na paraqesin ngecje në arritje të atyre rezultateve që veç janë parashikuar sipas kalendarit shkollor për këtë vit. Pra, një ngecje në ditët e mëtejme që na konvertohet edhe në më pak dije për nxënësit tanë gjatë këtij viti shkollor. Edhe prej praktikave të zëvendësimeve nga vitet e mëparshme që zëvendësimi asnjëherë nuk e kompleton në tërësi një orë të rregullt mësimore, pra edhe nëse bëhet vikendeve, por edhe nëse bëhet gjatë ditëve të verës, këto periudha do të jenë të neglizhuara nga nxënësit si proces, por edhe jo shumë përkushtim edhe nga vet mësimdhënësit. Pra, frika jonë është që do të përfundojmë me një zëvendësim shumë sipërfaqësor e që në periudhën që jemi me gjitha këto humbje nuk është diçka që i nevojitet sistemit tonë”, thotë ai.

Sipas vendimit të sotëm të MASHTI, nxënësit do të rikthehen në bankat shkollore me 12 prill, ditë e hënë.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close