Mjekët pas vaksinimit:Asgjë për t’u shqetësuar pavarësisht dyshimeve

Edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar vaksinimi i personelit shëndetësor në Klinikën Infektive. Ata që vaksinoheshin apelonin tek qytetarët që ta marrin vaksinën, por edhe t’i respektojnë masat anti-COVID.

KosovaPress ka mësuar që vetëm gjatë ditës së djeshme në këtë klinikë janë vaksinuar 104 mjekë dhe infermierë.

Që në orën 09:00 të mëngjesit ekipi mobil i vaksinimit arriti në Klinikën Infektive, ndërsa kishte edhe staf mjekësor që po prisnin për t’u vaksinuar.

Infektologia e Infektivës, Njomza Geca pasi e mori dozën e parë të vaksinës AstraZenenca tha se aspak nuk ka hezituar për t’u vaksinuar, madje ajo shprehet e lumtur që edhe shteti i Kosovës tashmë ka siguruar disa doza të vaksinës.

“Natyrisht që përveç masave anti-COVID kjo (vaksinimi) është e vetmja armë mbrojtëse unë edhe pse e kam kaluar COVID-in për herë të parë në muajin nëntor të vitit të kaluar sot e mora dozën e parë të vaksinës dhe natyrisht që jemi të lumtur që tani më jemi pjesë e botës që veç kanë startuar dhe ndihem mirë. Për efektet anësore janë të pritshme disa por ende herët. Ne jemi klinicistë edhe sikurse vaksinat që ekzistojnë për sëmundjet e tjera ne nuk kemi hezituar absolutisht (të vaksinohemi)”, tha ajo.

Madje ajo tregoi se kapacitetet në Klinikën Infektive janë të stërmbushura dhe se numri i pacientëve po shtohet.

“Vetëm mund të them që ne me kapacitete jemi të stërmbushur dhe numri i pacientëve që frekuentojnë janë është në shtim e sipër”, u shpreh infektologia.

Vaksinën AstraZeneca nuk hezitoi ta marr as anesteziologu i Mjekimit Intensiv në Klinikën Infektive, Muharrem Krasniqi. Ai tha se përkundër që e ka kaluar COVID-19 po e merr këtë vaksinë me shumë dëshirë pasi nuk ka arritur të krijojë anti-trupa të mjaftueshëm për t’u mbrojtur.

“Po ndjehem normal. Po i lexova disa portale që iu është ndaluar ndër 60 vite në Gjermani e se di ku, po kjo është vaksinë tek e fundit për të mbrojtur vetën se e kam kaluar, por antitrupa i kam minimum kështu që duhet t’i aktivizoj antitrupat”, deklaroi Krasniqi.

Adriatik Mehmeti, teknik farmaceutik në barnatoren e Klinikës Infektive, vetëm disa çaste pasi u vaksinua tha se po ndihet shumë mirë dhe apeloi tek qytetarët që të vaksinohen dhe mos të kenë dilema.

“Tash pas vaksinimit po ndjehem shumë mirë, nuk kam ndonjë shqetësim unë. COVID-in nuk e kam kaluar, shpresoj që me këtë vaksinë do imunizohem dhe nuk do kem telashe. Jo nuk kam hezituar asnjëherë. Apeloj tek qytetarët të mos kenë asnjë fije dyshimi për vaksinim dhe të vaksinohen në mënyrë sa më masive sepse kjo është e vetmja mënyra për të krijuar imunizim kolektiv”, tha Mehmeti.

KosovaPress e takoi edhe kryeinfermieren e Klinikës Infektive, Zyrafete Hulaj e cila ishte vaksinuar dje. Ajo madje tregoi se a pati ndonjë shqetësim pas vaksinimit apo jo.

“Po dje jam vaksinuar me kolegët infermierë dhe mjekët. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë reaksion, kam kaluar shumë mirë vaksinimi ka qenë krejt në rregull deri tash nuk kam asnjë simptomë. Kam informata prej kolegëve që dje më kanë thirr që janë disa simptoma të lehta që ne edhe i kemi pritur janë disa ethe, pak temperaturë por besoj që janë kaluese”, tregoi ajo.

Krahas Klinikës Infektive, vaksinimi për profesionistët shëndetësorë është duke ndodhur edhe në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Ata që po vaksinohen aktualisht janë stafi mjekësor i kujdesit primar. Ndërsa, nga dita e enjte është paralajmëruar edhe nisja e vaksinimit nëpër komuna, saktësisht nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Më 28 mars për herë të parë në Kosovë arritën 24 mijë dozat e para anit-COVID, AstraZeneca të cilat qytetarëve të Kosovës iu dhuruan si donacion nga COVAX-i i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim. UNICEF ndihmon në shpërndarjen e vaksinave në këto vende.

Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi për vaksinim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close