Kryeministri Kurti në Kuvend: Plani i qeverisë vjen në kuvend pas zgjedhjes së presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ekzekutivi do të sjellë në kuvend planin e tij, pasi të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Në seancën plenare, që u mbajt të premten, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi që qeveria të sjellë këtë plan, pasi siç tha ai, ende nuk dihen se cilat janë prioritetet e ekzekutivit që udhëheq Kurti.

Kurti tha se ky plan do të vijë pas “skanimit të gjendjes” që qeveria ka gjetur në institucione.

“Jemi duke skanuar gjendjen, që kemi gjetur dhe në përputhje me këtë regjistrim, me këtë trashëgimi që kemi hasur në kuptimin institucional, politik dhe administrativ, do të përpilojmë edhe programin tonë qeverisës dhe të punës. Pastaj, duhet presidenten edhe më pas edhe planin e punës”, tha ai.

Kosova është me ushtrues detyre të presidentit që prej nëntorit të vitit të kaluar, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Për këtë post, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka propozuar Vjosa Osmanin, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit fitoi mbi 300 mijë vota.

Kurti po ashtu u pyet pse i pari u vaksinua kundër koronavirusit dhe ai tha se për shkak se vaksina e kompanisë britanike, AstraZeneca, ka një reputacion të dëmtuar në botë.

“Po të ishte Pfizer ose Moderna nuk do shkoja, vetëm se ka qenë AstraZeneca që ka një reputacion të dëmtuar, kam shkuar ta marrë i pari vaksinën. Asnjë arsye për t’u privilegjuar, një brend tjetër i vaksinës mua nuk do më bënte marrës të parë të vaksinës”, tha Kurti.

Gjatë seancës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu pyeti lidhur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kanë intensifikuar punën në sigurimin e vaksinave dhe shtoi se “kemi konfirmim nga kompanitë e tjera, të cilat pritet të arrijë së shpejti”.

“Sa është lajm i mirë që vaksinat po vijnë, masat që janë në fuqi dhe ato që do të ndërmerren në ditët në vazhdim në raport me situatën në terren, është e rëndësishme që të respektohen nga të gjithë qytetarët”, tha Vitia.

Kosova më 29 mars nisi vaksinimin me 24.000 dozat e vaksinës së AstraZenecas, që i siguroi falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova së fundmi ka shënuar rritje të rasteve me koronavirus. Të enjten, më 1 prill, u shënua rekord i rasteve të reja ditore, përkatësisht 975.

Që prej marsit të vitit të kaluar, e deri më 1 prill, Kosova ka regjistruar në total 91.405 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.884 pacientë kanë vdekur dhe janë shëruar 75.647 persona.

Raste aktive janë 13.874.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close