Numri i madh i rasteve të reja të infektuar me COVID-19 dhe rritja e numrit të të hospitalizuarve, kanë krijuar një situatë të rëndë në sistemin shëndetësor.

Masat aktuale kundër koronavirusit nuk po respektohen në masën e duhur. Këtë e thonë vetë zyrtarët shëndetësorë sipas të cilëve tashmë kapacitetet spitalore janë stërmbushur.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Valbon Krasniqi, tha për Radio Kosovën se masat aktuale anti-Covid duhet  të respektohen, siç është mbajtja e maskës, distanca fizike dhe higjiena personale. Sipas tij, nëse këto nuk japin rezultatin e vet, atëherë duhet të mendohet edhe për masa të tjera se si të ulet lakorja e të infektuarve.

Krasniqi shton se mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19, nga rreth 900 sa janë gjithsej të shtrirë në spitalet dhe klinikat e QKUK-së, po trajtohen me oksigjeno-terapi.

‘’Çdo mosrespektim i masave do të reflektohet në rritjen e numrit të rasteve të infektimit, grumbullimi në masë është faktor më i rëndësishëm në përhapjen e virusit. Pastaj mos mbajtja e maskës, mos mbajtja e distancës fizike, grumbullimet e çfarëdo natyre, duke filluar nga ato familjare deri te grumbullimi i njerëzve në lokale në ambiente të ndryshme, pra rritë numrin e rasteve me COVID-19’’, tha Krasniqi.

Shqetësuese situatën me pandeminë e ka vlerësuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai nuk përjashton mundësinë që autoritetet të ndërmarrin masa shtesë.

Në Kosovë përkundër situatës së krijuar me koronavirus, dhe spitaleve me plot pacientë, qytetarët duken të relaksuar dhe kafehanet janë përplot njerëz, pa distancë dhe pa maska. Shumë nga lokalet i kanë tavolinat pothuajse të ngjitura njëra me tjetrën dhe me grumbullim të madh të njerëzve.

Mbajtja e maskës dhe distanca fizike prej së paku 1.5 metra janë dy nga masat elementare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19. Këto masa, janë në fuqi që nga 13 marsi i vitit 2020.

Sipas Manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri maksimal i lejuar i klientëve është një person në tetë metra katrorë.

 

Autor: Ariana Kasapolli