Bashkim Fino, njeriu që me një shaka e zbërtheu dhe e hutoi Sorosin në mars 1997

/Nga Kastriot Myftaraj

Soros ka fituar epitetin “Njeriu që theu Bankën e Anglisë” për bëmën e tij në vitin 1992 kur shkaktoi zhvlerësimin e paundit britanik. Por ish-kryeministri shqiptar që sapo ka vdekur, Bashkim Fino, në 1997 e “theu” dhe e zbërtheu me një shaka Sorosin.
Kur Bashkimi Fino botoi librin e tij me kujtime “Humnerë ‘97” në vitin 2007, më pyeti, kuptohet ndër shumë të tjerë si unë, se çfarë mendoja për këtë libër. Duke i treguar një shishe uji ku kishte mbetur fare pak ujë në fund- biseda e rastësishme u bë në një bar të Tiranës ku ai ndaloi pak në këmbë të më përshëndeste mua dhe ata që ishin në tryezë me mua, gjithashtu të njohur prej tij- unë i dhashë këtë përgjigje: “Duke pasur parasysh periudhën kur ke qenë kryeministër (ai kishte qenë në mars-korrik 1997) mund të them se libri yt i ngjan kësaj shisheje, ku përmbajtja e tij është pjesa e ujit që gjendet këtu, ndërsa hapësira boshe e shishesh përfaqëson ato që ke lënë pa treguar.”
Bashkimi qeshi, ai ishte njeri me humor të mirë dhe i pëlqente shakatë dhe zgjati dorën, mori një shishe uji të mbushur plot, e hapi, hodhi nëpër gota gjysmën e sasisë së ujit dhe duke treguar shishen tha:
“Ke të drejtë, por pasi të kalojnë nja 25 vjet nga ajo kohë, do të botoj një libër tjetër për të cilin mund të thuhet se do t’ i ngjajë kësaj shisheje.”
Dhe qeshi. Kështu do ta kujtoj Bashkimin. Libri i tij me kujtime i botuar në 2007, në të vërtetë është një libër i vogël, format xhepi, me 170 faqe. Është si të thuash parathënie e një libri të vërtetë me kujtime. Pak kohë pas ardhjes së PS-së në pushtet në 2013, më ndodhi ta takoja Bashkimin dhe e ngacmova për librin:
“Tani ke kohë të lirë për të shkruar se Rama nuk të bëri ministër.” –I thashë.
Bashkimi qeshi dhe me këtë rast më tregoi një episod nga viti 1997, pa harruar të më thoshte se kjo nuk ishte për t’ u shkruar apo për t’ u thënë në televizion. Rrëfimin e tij po e sjell unë këtu. Nuk e di nëse Bashkimi arriti ta përfundonte librin, por që kishte nisur ta shkruante dhe kishte shkruar një pjesë të madhe të tij, këtë e di me siguri. Nëse do të botohet libri i tij, i pacënuar, i përfunduar ose jo, lexuesi do të gjejë edhe episodin që do të tregoj më poshtë:
Kur Bashkim Fino u dekretua si Kryeministër në mars 1997, për shkak të vëmendjes që kishte media botërore ndaj Shqipërisë në atë kohë, emërimi i tij u bë lajm në mediat e mëdha ndërkombëtare. Me këtë rast Fino pati një telefonatë uruese nga George Soros, i cili i ofroi mbështetjen e tij për qeverinë e re. Finoja, me sa duket si me shaka, e pyeti se cilin nga bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri ia sugjeronte për postin e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Përgjigjia e menjëhershme e habiti Finon: “Po, Zoti Kryeministër, e kam një emër, Edi Ramën. Ai do të ishte një Ministër i Punëve të Jashtme shumë i mirë i qeverisë suaj.”
Fino, me intuitën e të apasionuarit pas lojërave të fatit, bëri “bingo” duke i thënë aty për aty:
“Domethënë Edi Ramën paskeni projektuar për lider të ardhshëm të Shqipërisë!”
Në anën tjetër të linjës telefonike u bë një heshtje dhe më pas u dëgjua një murmuritje në anglisht, si e dikujt që befasohet dhe habitet papritur gjatë një bisede. Pas kësaj Sorosi i kishte thënë diçka në anglisht dikujt që ishte pranë tij. Përkthyesi i kishte thënë Finos se iu duk sikur Sorosi kishte thënë një fjalë që në dukej është fyese por që amerikanët e thonë edhe si kompliment kur dikush i habit me zgjuarsinë e tij.
Kryeministri i ri shqiptar e kishte befasuar dhe hutuar Sorosin. Këtij iu deshën veç pak sekonda për të mbledhur mendjen dhe pas kësaj ndërkohe kishte thënë:
“Për mendimin tim ju jeni njeriu i përshtatshëm për të qenë kryeministër edhe pas zgjedhjeve të cilat duket se do t’ i fitojë partia juaj.”
18 vjet më pas Bashkimi i komentoi kështu fjalët e Sorosit:
“Që zgjedhjet e parakohshme do t’ i fitonte PS-ja kjo ishte e qartë, por mua m’ u duk se po më ofrohej një pazar nga ata që drejtojnë botën.”
Unë e përfundova mendimin e Bashkimit:
“Domethënë të thanë: Ju Z. Fino bëni Edi Ramën Ministër të Punëve të Jashtme duke inicuar kështu karrierën e tij politike në një periudhë shumë të favorshme për një politikan pasi në atë kohë ai që do të ishte ministër i tillë do të kishte shumë publicitet në mediat e mëdha ndërkombëtare dhe takime në qendrat e rëndësishme politike të kryeqyteteve të botës, ndërsa ne (ATA) do të mbështesim që të mbash postin e Kryeministrit edhe pas zgjedhjeve, në peridhën e ndërmjetme deri kur Edi Rama ta merrte edhe atë dhe kryesimin e partisë.”
“Pikërisht kështu”, tha Fino dhe shtoi:
“Unë mund ta kisha bërë Ramën ministër edhe pa miratimin e partisë.”
“Këtë e besoj plotësisht sepse sipas ndarjes së posteve për qeverinë e përbashkët, posti i Ministrit të Jashtëm i ishte rezervuar PD-së që ia dha një aleati të saj, Arian Starovës. Pra nëse ti ia propozoje Berishës (në atë kohë president) dhe ky e pranonte nuk kishte arsye pse PS të kundërshtonte.”- I thashë unë.
Bashkimi tha:
“ATA kishin ndërhyrë edhe te Berisha sepse ai më telefonoi dhe më tha se në shenjë mirëbesimi ndaj meje, nëse kisha ndonjë emër që më dukej i përshtatshëm për postin e ministrit të jashtëm, PD ishte gati ta lëshonte me kushtin e vetëm që ky njeri të ishte intelektual me njëfarë profili, anglishtfolës, por të mos ishte anëtar i PS-së dhe të mos kishte qenë pjesëmarrës i ekspozuar në trazirat në Jug të vendit.”
Unë vazhdova:
“Domethënë Berisha praktikisht e ngriti jo vetëm ta topin që ti ta gjuaje, madje e hapi dhe portën që të bëje gol lehtë, se me këto kritere përjashtoheshin të gjithë kandidatët e mundshëm pasi të gjithë anglishtfolësit tuaj kishin shoqëruar gazetarët e huaj në Jug të vendit gjatë trazirave. Edi Rama nuk kishte qenë fare në Shqipëri. Qartësisht Sorosi kishte ndërhyrë edhe te Berisha dhe ky ishte i lumtur që të promovonte një rival të Fatos Nanos.”
Bashkimi pohoi me kokë energjikisht.
“Në atë moment mora mësimin e parë sesi komandohet bota”, më tha Fino 18 vjet pas kësaj ngjarjeje.
Pak minuta pas Berishës, Finoja kishte pasur një tjetër telefonatë në numrin e tij të rezervuar që sapo e kishte marrë në disponim dhe kur u përgjigj dëgjoi pikërisht atë zërin e njeriut që kishte qenë pranë Sorosit në anën tjetër të linjës. Telefonuesi iu paraqit si Edi Rama dhe i tha se ai do ta pranonte postin e Ministrit të Punëve të Jashtme nëse i ofrohej. Fino kishte mbetur gojëhapur.
“Unë i dërgova fjalë Nanos që ishte ende në burg dhe i kërkova direkt atij mendim. Nuk e vura në dijeni Meidanin, që ishte drejtuesi më i lartë në parti pas tij. Nanoja ishte kategorikisht kundër dhe më tha se po e katapultova Ramën në politikë do të na hante kokën të dyve. Unë po të them që tani që do të jesh zëvendëskryeministër në qeverinë time, ndërsa me Ramën kryeministër të siguroj që ke për të mbetur jashtë çdo qeverie të tij.” Tha Fino.
“Fjalët e tij dolën të vërteta në të dy rastet. Ti u bëre zëvendëskryeministër në qeverinë e Nanos por nuk u bëre ministër me Ramën.” Thashë unë sipas stilit të bisedës sonë ku unë plotësoja mendimet e tij. Gjashtë vjet pas kësaj bisede Fino nuk u bë ministër as në vitin e tetë të qeverisjes së Ramës.
“Dhe pastaj një vit më vonë, në 1998 Sorosi ia sugjeroi Nanos emrin e Ramës për ministër dhe Nano e pranoi.” E ngacmova unë.
“Jam i sigurt se kështu ka ndodhur. Dhe jam i sigurt se Nano u detyrua që ta pranonte këshillën në thonjza, kundër dëshirës së tij. Unë u habita shumë sepse Nano kur u takuam pas daljes nga burgu më tha se nuk do të ma harronte kurrë të mirën që i kisha bërë dhe se ishte i vetëdijshëm që secili nga bashkëpunëtorët e tij të afërt në PS do ta kishte tradhtuar në këtë rast, duke pranuar ofertën e Sorosit. Ty të kërkuan të më vesh një “bombë” poshtë karriges sime dhe ti nuk pranove, vëllai im, më tha Tosi. Madje më tha dhe dicka tjetër për Ramën, më tha që e kishte sajuar rrahjen e tij në janar 1997 për të kompensuar përshtypjen e keqe që bëri te të majtët mungesa e tij në demonstratën e 28 majit 1996 në Tiranë ku u rrahën të gjithë politikanët dhe intelektualët e majtë.”- Tha Fino.
Para se të ndaheshim atë ditë të vitit 2015 i thashë Bashkimit:
“Më ke borxh gjashtë mijë lekë të vjetër.”
“Si kështu?!”- Më tha me të qeshur.
“Ky është çmimi që unë kam paguar për të blerë librin tënd. Kam blerë një libër ku thua se kur u bëre Kryeministër të telefonoi Resul Demi. Me gjithë respektin për Resulin për këtë nuk do të kisha paguar për të blerë librin.”
“Hahahahaha, shlyhemi kur të dalë libri, të dhuroj një kopje!”
Unë jam i sigurt se Fino e ka shkruar pak a shumë këtë histori në librin e tij me kujtime. Por ku është libri? Edi Rama është personi më i interesuar që ky libër të mos botohet kurrë madje të zhduket. Prandaj dërgoi njeriun e tij të besuar Lorenc Vangjelin që të marrë laptopin e Finos ku gjendej libri. Në librin e parë me kujtime të Finos, të botuar në 2007 e ka emrin edhe Lorenc Vangjeli si këshilltar. Pikërisht kështu, në faqen e dytë të librit lexon: Konsulent Lorenc Vangjeli.
Lorenci ka vetëm një problem. A do të besojë Edi Rama se ai ia ka dorëzuar laptopin me gjithë back up dhe nuk ka bërë ndonjë kopje të librit për ta mbajtur vetë. Se këta udhëheqësit që rrijnë gjatë në pushtet bëhen shumë dyshues për bashkëpunëtorët e tyre./Kastriot Myftaraj
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close