Greva e kontrollorëve të trafikut ajror ka çuar në ndërprerjen e fluturimevenë Aeroportin e Tiranës

Të mërkurën në Shqipëri janë bllokuar të gjitha fluturimet në Aeroportin e Rinasit, deri të enjten në orën 10:00.

Ky bllokim është shkaktuar pas dështimit të negociatave mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me kompaninë “Albcontroll”, që menaxhon kontrollin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Shkak i kësaj është greva e 68 kontrollorëve të “Albcontrol”, të cilët protestojnë për kushtet e punës dhe uljen e pagave.

Ministrja Belinda Balluku tha se kjo protestë ka ardhur për shkak se punonjësve u janë ulur të ardhurat gjatë vitit 2020, sepse për shkak të pandemisë janë ulur fluturimet për 57 për qind.

“Albcontrol nuk ka lidhje financiare me shtetin shqiptar dhe në fund të vitit financiar nuk duhet të kenë fitim. Disa prej rrogave arrijnë në 4,440 dollarë, dhe për shkak të uljes së fluturimeve u është ulur në 2,400 dollarë. Kompania nuk ka depozita për t’u dhënë atyre para. Dhe duhet ta kenë të qartë që po punohet me 43 për qind të trafikut ajror. Por, kontrollorët duan të kenë paratë që janë mësuar të kenë sepse është niveli i jetesës që kanë. Pra nëse nuk kanë 4,000 dollarë në dispozicion, stresohen dhe nuk punojnë dot”, tha Balluku.

Ajo bëri të ditur se Albcontrol është e vetmja kompani që ofron këtë shërbim, në kushtet e monopolit. Sipas saj, greva e punëtorëve të kontrollit në aeroport është e jashtëligjshme, pasi nuk mund të ushtrohet në shërbime të rëndësisë jetike.

“A duhet të kapet vendi peng sot nga disa persona që janë të stresuar me pagën 2,490 dollarë dhe nëse nuk ia bëjnë 4,400 dollarë, ata do të mbajnë vendin peng?”, tha ajo.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook, reagoi duke thënë se është i shqetësuar nga gjendja e krijuar dhe se ndërprerja e punës nuk është zgjidhje dhe se siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje Qeverisë dhe organeve drejtuese të “Albcontrol” që të vlerësojnë me kujdes kërkesat e kontrollorëve.

“Qeveria dhe Organet Drejtuese të ‘Albcontrol’, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, duke iu referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga COVID-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare”, shkruan presidenti Meta.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama përmes një postimi në Twitter tha se “organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve”.

“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës ‘Leshko’ dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat”, tha Rama.

Greva e kontrollorëve të trafikut ajror ka çuar në ndërprerjen e fluturimeve mëngjesin e së mërkurës në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Arsyeja e kësaj proteste është fakti se 68 kontrollorët e “Albcontrol” kanë firmosur deklaratën për paaftësi të përkohshme për punë, pas nisjes së procedurave për shkarkimin e disa kolegëve të tyre.

Ata kërkojnë nënshkrimin e kontratave të reja, transparencë në fonde, qasje në vendimmarrje dhe kthimin në punë të kolegëve.

Vijimi i grevës mund të paralizojë të gjitha fluturimet në Shqipëri.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close