Sekretari Blinken shpreh mbështetjen për mediat ndërkombëtare të SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur mbështetjen e tij për mediat ndërkombëtare të SHBA-së.

Shqetësimet janë në rritje në lidhje me përpjekjet ruse për të heshtur Radion Evropa e Lirë përmes ligjit të diskutueshëm për “agjentët e huaj”.

Blinken u takua me ushtruesen e detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Kelu Chao.

USAGM mbikëqyr Zërin e Amerikës, Radion Azia e Lirë, Radion Evropa e Lirë dhe transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë të financuar nga SHBA-ja.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate tha se, në takim “është diskutuar roli jetik që luajnë mediat e lira dhe të pavarura në ruajtjen dhe promovimin e parimeve demokratike në të gjithë botën”.

Sekretari Blinken shkroi në Twitter se në takim “diskutuan shqetësimin e përbashkët mbi përpjekjet e Rusisë për të mbyllur Radion Evropa e Lirë dhe heshtjen e këtij burimi me vlerë të raportimit të pavarur”.

Gati 1 milionë dollarë kanë arritur gjobat të cilat rregullatori i mediave ruse Roskomnadzor i ka vendosur ndaj shërbimit në gjuhën ruse të Radios Evropa e Lirë në lidhje me mosrespektimin e kufizimeve të rënda të ligjit për “agjent të huaj”.

“Sekretari (Blinken) u pajtua se përpjekjet e qeverisë ruse për të heshtur gazetarinë e pavarur dëmtojnë vetëm qytetarët të cilëve u është dashur t’iu shërbejë ajo”, tha Chao, sipas një deklarate të USAGM.

Blinken shprehu mbështetjen e tij të fortë për të gjitha rrjetet globale të USAGM, thuhet në njoftim.

Rusia, më 2012 miratoi për herë të parë ligjin për “agjent të huaj”. Mirëpo gjatë viteve ai u plotësua disa herë. Ligji u jep autoriteteve fuqinë për të shënjestruar organizatat joqeveritare, grupet e të drejtave të njeriut dhe mediat që mendohet të marrin fonde të huaja për aktivitetin politik si “agjentë të huaj”.

Në vitin 2017, rregullatorët rusë e vendosen Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë në listë. Ligji gjithashtu vë gazetarët e REL-it në rrezik për ndjekje penale.

Ndër të tjera, ligji kërkon që organizatat e lajmeve të cilat marrin fonde të huaja të etiketojnë përmbajtjen e tyre brenda Rusisë si të prodhuar nga një “agjent i huaj”.

Njoftimi duhet të jetë dy herë më i madh se madhësia e shkronjave e përdorur për titullin e artikullit.

Për materialet video, teksti duhet të zërë të paktën 20 për qind të ekranit dhe të shfaqet për të paktën 15 sekonda.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close