Avokati i Popullit akuzohet nga zëvendësit e tij

Zëvendësit e Avokatit të Popullit, pas 3 vjetësh punë, kanë të drejtën edhe për një mandat tjetër. Por, kjo nuk ndodhi me zëvendësit aktualë të Naim Qelajt, i cili në ditën që u skadoi mandati zëvendësve të tij, i lajmëroi ata se tashmë po e hapte një konkurs për zëvendës të rinj, pa i lajmëruar më herët.

Konkursin për zëvendësit e rinj, Naim Qelaj e hapi 4 muaj pasi Kuvendi ia besoi detyrën e Avokatit të Popullit dhe atë pa ua dhënë mundësinë zëvendësve të tanishëm edhe për një mandat, ashtu siç parashihet sipas ligjit, shkruan Demokracia.com.

E gjithë kjo ndodhi më 26 janar 2021, kur edhe ligjërisht përfunduan mandatin e parë Majlinda Sinani-Lulaj, Marija Radulovic, Mehdi Geci, Edona Hajrullahu dhe Naile Alaj, si zëvendës të Avokatit të Popullit, të zgjedhur po ashtu nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Rregullores së Brendshme të këtij institucioni dhe Ligjit për Avokatin e Popullit kërkohet që konkursi për zëvendësavokatët të shpallet 6 muaj para skadimit të mandatit të tyre. Ndërsa, propozimi për vazhdim të mandatit duhet të bëhet pas përfundimit të mandatit të parë të zëvendësve dhe kjo nuk u bë në rastin e fundit, pasi që Qelaj mori vendim për hapjen e konkursit në ditën e njëjtë të skadimit të mandatit të zëvendësve aktualë.

Ajo që bie në sy është që ky konkurs u hap pikërisht në kohën kur Kuvendi ishte i shpërbërë dhe vendi ishte edhe në kohë zgjedhjesh, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Dy nga zëvendësit e Qelajt, Geci dhe Hajrullahu, me anë të një shkrese që e ka siguruar Demokracia.com, më dt. 29.03.2021 e kishin njoftuar edhe Kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për shkeljet ligjore të Avokatit të Popullit.

“Institucioni i Avokatit të Popullit, ndonëse institucion i pavarur kushtetues, i njëjti i nënshtrohet të gjitha ligjeve në fuqi, për sa kohë të njëjtat nuk cenojnë pavarësinë e tij. Rrjedhimisht, nisur nga mënyra, si dhe vetë shpallja e konkursit, Avokati i Popullit ka vepruar në kundërshtim me procedurat e përgjithshme administrative. Sipas Ligjit 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, neni 47, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, thuhet ‘… çdo akt administrativ duhet të përmbajë pjesën arsyetuese dhe pjesën përmbyllëse’, që në kuptim të nenit 52 të këtij ligji, vendimin e Avokatit të Popullit e bënë të paligjshëm”, thuhet në shkresën e zëvendësavokatëve të popullit.

Për më tepër, sipas tyre, Avokati i Popullit, me mandat për të mbrojtur të drejtat e njeriut nga keqadministrimi i autoriteteve publike (neni 19, Ligji nr. 05/l-019 për Avokatin e Popullit), ka dështuar të sigurojë edhe mirëadministrimin e procesit përbrenda institucionit që ka marrë besimin ta drejtojë.

“Shpallja e konkursit, sipas legjislacionit primar dhe sekondar, është dashur të shpallet 6 muaj para skadimit të mandatit”, thuhet në shkresën e tyre drejtuar Kuvendit të Kosovës, raporton Demokracia.com.

Si zëvendësavokatë, Geci dhe Hajrullahu, vlerësojnë se në rastin e shpalljes së konkursit, Avokati i Popullit është dashur t’i njoftojë 6 muaj para përfundimit të mandatit, duke u dhënë një arsyetim zyrtar, siç kërkohet me dispozita ligjore.

“Mos-shpallja e konkursit sipas procedurës ligjore, referuar edhe standardeve ndërkombëtare dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për ne, ka krijuar pritshmëri legjitime për propozimin e vazhdimit të mandatit, pa procedurë konkurruese, siç parashihet me Ligjin për Avokatin e Popullit. Koncepti i pritshmërisë legjitime është përdorur edhe nga vetë Institucioni i Avokatit të Popullit, për konstatimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, në një Raport me Rekomandime”, thuhet në shkresën informuese të zëvendësavokatëve të popullit për Kryesinë e Kuvendit.

Në fund të shkresës së tyre, duke marrë për konsideratë shkeljet e Avokatit të Popullit, Naim Qelajt, zëvendësit aktualë të tij, Geci dhe Hajrullahu, kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës si organ mbikëqyrës i Institucionit të Avokatit të Popullit, që të kërkojë përgjegjësi dhe njëherësh ta obligojë Avokatin e Popullit të anulojë procesin e zgjedhjes së zëvendësve të rinj, proces që sipas zëvendësve aktualë, ka konfirmuar keqadministrimin dhe kundërligjshmërinë e veprimeve përmes të cilave kanë vlerësuar se Avokati i Popullit ka shkelur të drejtat e njeriut. /Demokracia.com/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close